Kreu i PD Lulzim Basha nga Lushnja deklaroi se pas 6 muajsh teatër e balet, u bë pazar për karrige dhe interesa personale. Basha theksoi se pseudo-revolucioni ishte për të mbajtur listat e mbyllura.
Basha: Sot partia Demokratike qëndron përballë një kaste politike që bën sikur zihet me njëri-tjetrin, por pas 6 muajsh teatër, është e gatshme të arrijë pazare, marrëveshje, për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve. I tillë është pazari që kanë bërë. Ndaj edhe javën që shkoi donin të mbysin transparencën dhe denoncimin e këtij pazari në Kuvendin e Shqipërisë, natyrisht që nuk ia dolën. Ky është një pazar që mundohet të fshehë gjërat më të thjeshta dhe më të kuptueshme nga çdo shqiptar. 6 muaj pseudo revolucion me flakadanë! Çfarë u arrit?
U arrit një ligj i ri për komisionet hetimore që është 10 herë më i keq se ligji i mëparshëm dhe që zhduk transparencën, zhduk aftësinë e opozitës për të mbledhur fakte e dokumenta, për të detyruar dëshmitarët e për ta bërë këtë në mënyrë transparente. Pra, jo vetëm që nuk u arrit diçka pozitive, por u humbën të drejta parlamentare, të drejta opozitare, të drejta publike që opozita i kishte. U kërkuan 8 komisione, u morën dy dhe populli me të drejtë thotë: ua bëri 8 me 2. Një prej atyre komisioneve është sa për sy e faqe, sepse siç e dini fare mirë, si mund të kërkohet një hetim parlamentar për sterilizimin, ndërkohë ministri i shëndetësisë së kohës së sterilizimit u mor i pandehur në fillim të javës nga SPAK, me një akuzë e cila rrezikon të shkojë deri në 4 vite burg. Atëherë për çfarë e kërkon komisionin hetimor kur prokuroria i mbaroi hetimet?
Sigurisht nuk ka transparencë, ka një lojë, ka një balet të palëve për të fshehur të vërtetën. Po të lexosh dokumentet është e qartë se ia ashtu quajturi komision I transparencës për sterilizimin, do merret me masa administrative dhe ndryshime ligjore. Pra ndërkohë që SPAK do ta fusë në burg Ilir Beqën për vjedhjen e sterilizimit, këta do të merren me masa administrative, që do të thotë se maksimumi do të propozojnë gjoba?!
Dëmi tjetër shtrihet në mungesën totale të hapësirës dhe zërit opozitar për 6 muaj.
I binin bilbilave për të penguar zërin e opozitës sepse qeverinë nuk e pengonin dot. Qeveria kalonte për 3,4 apo 5, maksimumi 7 minuta. Për 4 minuta e 50 sekonda miratuan buxhetin 7 miliardë euro taksa që po i merren dhe do ti merren shqiptarëve për tu shpenzuar siç do Edi Rama dhe qeveria e tij e korruptuar.
Po a pati mundësi PD ta ngrinte këtë çështje në Parlament?! Sigurisht që jo sepse bilbilfryrësit nuk e kishin mendjen këtu. Ata e kishin mendjen si e si të arrinin një marrëveshje për veten e tyre, për karriget e tyre dhe kjo është një akuzë që nuk e bëj lehtësisht, por që ju vetë e keni parë se cili është motivi i vërtetë. Motivi i vërtetë është mbajta në fuqi të Kodit zgjedhor siç është me lista të mbyllura.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co