Basha publikon amendamentin për hapjen 100% të listave dhe u bën thirrje deputetëve: Rrefuzojeni pazarin Rama-Berisha

basha publikon amendamentin per hapjen 100 te listave dhe u ben thirrje deputeteve rrefuzojeni pazarin rama berisha

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka publikuar amendamentin e dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkon hapjen 100% të listave.

Basha shkruan se pasi i ekspozoi për amnistinë, sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe mbylljen e listave, koha i dha të drejtë. Sipas tij, Rama dhe Berisha nuk duan Reformë Zgjedhore, sepse kërkojnë të mbajnë rreth vetes një tufë deputetësh që i shërbejnë interesave të tyre dhe halleve që kanë me drejtësinë, jo qytetarëve.

Ai më tej ka dhe një mesazh për deputetët në Kuvend ku shprehet se nëse brenda bunkerëve anti-SPAK të Ramës dhe Berishës duan të vendosen në rresht për t’i shërbyer atyre dhe jo qytetarëve, le të ngrenë dorën dhe të ulin kokën për të votuar riciklimin e marrëveshjes së 2008-ës.

Postimi i plotë i Bashës:

I ekspozuam për pazarin me amnistinë, dhe koha na dha të drejtë.
I ekspozuam për pazarin për sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, dhe koha na dha të drejtë.
I ekspozuam për pazarin për mbylljen e listave, dhe koha na dha të drejtë.
Rama dhe Berisha nuk duan Reformë Zgjedhore, sepse kërkojnë të mbajnë rreth vetes një tufë deputetësh që i shërbejnë interesave të tyre dhe halleve që kanë me drejtësinë, jo qytetarëve.

Ne e refuzojmë me forcë këtë pazar, prandaj kam depozituar një amendament përmes të cilit ju jepet mundësia deputetëve që duan realisht lista të hapura dhe neverisin këtë mynxyrë, të votojnë për të pasur lista 100% të hapura.

Përmes këtij amendamenti u japim mundësi partive të zgjedhin nëse duan të përdorin listat e hapura, apo listat e mbyllura, e jo t’i nënshtrohen në mënyrë të detyrueshme pasojave të allshiverishit të atij që ka shpallur revolucion, por është ulur në prerin e Ramës, dhe atij që deklaron se nuk bashkëpunon me non gratat, por bashkon vota me Berishën sa herë ua do halli i përbashkët.

Nëse brenda bunkerëve anti-SPAK të Ramës dhe Berishës duan të vendosen në rresht për t’i shërbyer atyre dhe jo qytetarëve, le të ngrenë dorën dhe të ulin kokën për të votuar riciklimin e marrëveshjes së 2008-ës.

Por, nëse duan realisht që gjërat të ndryshojnë e të fuqizojnë votën e qytetarëve duke i’u dhënë dinjitet, autoritet dhe përfaqësim deputetëve, të mbështesin këtë amendament. Shqipëria meriton më shumë.

AMENDAMENTI

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN
“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 019, DATË 29.12.2008 “KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 75, pika 4, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, me propozim të deputetit Lulzim Basha, në projektligjin “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 019, DATË 29.12.2008 “KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 4, ndryshohet pika a) me përmbajtjen si vijon:

1.Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve:
a)listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve dhe listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes, ose
b)listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

Neni 2

Në nenin 8, pika 3, ndryshohet me përmbajtjen si vijon:

3. Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumëemërore të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të, dhe në rast shterimi të saj vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes sipas pikës 2 të këtij neni. Kur subjekti zgjedhor nuk ka paraqitur një listë shumëemërore të fiksuar, shpërndarja e mandateve do të bëhet sipas pikës 2 të këtij neni.

DEPUTETI
Lulzim Basha

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →