Bashkëpunimi Gjerman, nëpërmjet organizatës Help – Hilfe zur Selbsthilfe si partner zbatues i projektit, dhuroi pajisje dhe makineri bujqësore për fermerët, për të lehtësuar prodhimin e produkteve vendase. Në ceremoninë e zhvilluar në Tregun e ri Agroushqimor në Farkë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi miqtë gjermanë për kontributin dhe vuri në dukje këtë mundësi të jashtëzakonshme bashkëpunimi për të përkrahur fermerët.
“Sot kemi një mundësi të jashtëzakonshme të bashkëpunojmë me Gjermaninë sepse kemi kaluar nga ajo ndihma e viteve ‘90, ku shumë prej qytetarëve të qytetit tonë u futën në ambasadën gjermane si e vetmja shpresë për të ikur, tani jemi bërë bashkë me ambasadën gjermane për të ndihmuar fermerët të ndërtojnë këtu, të mbjellin këtu, të korrin këtu, të punojnë këtu dhe të rrisin familjet e tyre këtu. Kemi kaluar nga faza e lëmoshës, në fazën e bashkëpunimit, ku fermerët tanë do t’i punojnë tokat tona me të njëjtat pajisje që punohen në Gjermani”, tha Veliaj.
Ai bëri një ftesë për të gjithë qytetarët që përgatiten për të shkuar me pushime, që të blejnë produkte vendase, për t’i ardhur në ndihmë familjeve të fermerëve. Veliaj tha se i njëjti model duhet të ndiqet edhe nga restorantet, që të shërbejnë sa më shumë produkte vendi. “Kam një ftesë për qytetarët që përgatiten të shkojnë me pushime: Mbusheni makinën me produkte që prodhohen këtu. Kur dikush blen perime dhe fruta të vendit, gjelin e Baldushkut, verën e Lundrës, domaten e Shëngjergjit, nuk ka blerë vetëm ushqim për barkun, por ka blerë edhe librat e shkollës për një gocë të vogël, që do të shkojë në shkollë në shtator. Nëse doni të jeni patriotë sot, nuk ka nevojë të thoni “O sa mirë me qenë shqiptar”, se atë e thonë të gjithë. Është krenari kombëtare të shërbesh diçka, që është rritur nga duart, djersa, pasioni dhe dashuria e fermerëve tanë”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se ashtu sikurse fermerët, edhe bashkia nuk pushon gjatë muajit gusht, pasi duke shfrytëzuar kohën kur pjesa më e madhe e qytetarëve janë me pushime, mund të ecë puna për përfundimin e projekteve, që do të jenë gati në shtator. Këtu ai përmendi edhe punën për përgatitjen e 400 shkollave, kopshteve dhe çerdheve për vitin e ri shkollor, si dhe hapjen e shkollave të reja.
“Këtë muaj Bashkia ka momentin më të mirë për të punuar sepse shumica e njerëzve kanë shkuar në plazh, rrugët dhe parkingjet janë të lira. Duhet të bëjmë gati 400 shkolla, kopshte e çerdhe për në shtator. Do të hapim disa shkolla e kopshte të reja. Bashkia e Tiranës nuk do jetë vetëm tek sheshi “Skënderbej”, nuk mund të jetë vetëm te zgjatimi i Lanës, Bulevardi i Ri, nuk mund të jetë vetëm tek eventet që ndodhin nëpër stadiumet tona. Bashkia e Tiranës duhet të jetë edhe e gjithë katundarëve tanë. Ata mund të jenë vërtet 30% e popullsisë, por janë 100% e mbushjes së pjatave, mëngjes, drekë, darkë për gjithë qytetin e Tiranës”, tha ai.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co