Federata Angleze ja nisur procedimin disiplinor kundër futbollistit brazilian të Uest Hem, Lukas Paketa, duke vënë në dyshim një transferim të mundshëm të tij te Mançester Siti gjatë verës.
Braziliani, i cili kishte shkëlqyer në klubin anglez pas një eksperience jo edhe aq të lumtur te Milani, dyshohet për shkelje të rregulloreve të basteve, sidomos sa u përket disa kartonëve të verdhë që ai ka marrë gjatë viteve 2022 dhe 2023. Ka pasur lëvizje të çuditshme të koeficienteve të basteve dhe shumave që janë vënë për ndëshkimin e Paketa gjatë ndeshjeve të veçanta dhe në katër raste, është identifikuar edhe vendosja e këtyre shumave në vendlindjen e tij, në ishullin Paketa në bregdetin e Rio De Zhaneiros.
Ai sot reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, duke mohuar çdo akuzë të mundshme që është ngritur kundër tij. “Jam jashtëzakonisht i çuditur dhe i mërzitur që Federata Angleze ka vendosur që të hapë çështje disiplinore ndaj meje. Për nëntë muaj unë kam bashkëpunuar në çdo hap me hetimin e tyre dhe u kam vënë në dispozicion të gjitha informacionet. Unë hedh poshtë çdo akuzë dhe do të luftoj për të pastruar emrin tim”, shkruante Paketa në postimin e tij.
Mançester Siti e shihte Paketa si një zëvendësim potencial të Bernardo Silvas nëse largohet gjatë verës, por me çështjen që është hapur tashmë kundër brazilianit, duket e vështirë që Pep Guardiola të japë dritën e gjelbër për futbollistin.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co