Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, ua ka dorëzuar shteteve anëtare raportin e kërkuar për masat ndaj Kosovës. Megjithatë, BE po qëndron e mbyllur sa i përket përmbajtes së këtij drafti dhe diskutimeve për të.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka hezituar të përgjigjet nëse Borrell ka rekomanduar heqjen e masave dhe nëse heqja e tyre do të bëhet gradualisht, duke thënë se e gjithë procedura është konfidenciale.
“Raporti që Përfaqësuesi i Lartë i dorëzoi shteteve anëtare është një raport për diskutimet e tyre, të cilat janë të brendshme dhe konfidenciale. Ne nuk zbulojmë as përmbajtjen e raportit, as të diskutimeve”, tha Stano.
Sidoqoftë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dje tha se janë disa shtete që po e kërkojnë një mënyrë të tillë të heqjes së masave ndëshkuese.
“Ne shpresojmë që asnjë vend nuk do të ngrisë zërin që t’i kundërshtojë masat, për arsye se nuk ka pasë asnjë vend që është kundër heqjes së masave. Ka pasë dy-tri shtete që kanë preferuar heqje graduale të masave në dy shkallë, por jo që ka pasë të tillë të cilët kanë qenë kundër heqjes së masave, por shumica absolute e vendeve besojnë se vendosja e masave ndaj Kosovës ka qenë e padrejtë, mos vendosja e masave ndaj Serbisë ka qenë padrejtësia shtesë që i është bërë Kosovës”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co