Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord unanimisht të enjten për një paketë ndihmash prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën, duke tejkaluar kështu kundërshtitë e mëparshme nga Hungaria. Ukrainës i sigurohet në këtë mënyrë një financim i qëndrueshëm dhe afatgjatë, ndërsa BE-ja përcjell një mesazh të fortë uniteti.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e përshëndeti arritjen e marrëveshjes, duke thënë se BE-ja po udhëheq me përgjegjshmëri në mbështetje të Ukrainës dhe se është e ndërgjegjshme për rëndësinë e kësaj.
“Kjo siguron një financim të qëndrueshëm, afatgjatë dhe të parashikueshëm për Ukrainën”, shkruajti zoti Michel në rrjetin X.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e mirëpriti votimin, duke thënë se ai “dëshmon unitetin e fortë të BE-së”.
“Mbështetja e vazhdueshme financiare e BE-së për Ukrainën do të forcojë stabilitetin afatgjatë ekonomik dhe financiar, që nuk është më pak i rëndësishëm se ndihma ushtarake dhe trysnia e sanksioneve ndaj Rusisë”, u shpreh zoti Zelenskyy në rrjetin X.
Ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha të enjten se miratimi hedh poshtë idenë e ndonjë lodhjeje apo zbehje të mbështetjes ndaj Ukrainës.
“Kjo është gjithashtu një tregues i qartë se shpresat e Putinit për të mbizotëruar ndaj Ukrainës dhe vendosmërisë së botës janë të kota”, tha zoti Kuleba.
Gjatë takimit të mëparshëm të nivelit të lartë në dhjetor, Hungaria pati vendosur veton ndaj një pakete katërvjeçare ndihmash për Ukrainën, duke thënë se fondet nuk duhet të vinin nga buxheti i unionit, pasi Ukraina nuk është një vend anëtar. Të gjitha 26 vendet e tjera anëtare patën votuar në favor të paketës së ndihmave.
Ndihma financiare e BE-së është jetike për Kievin, thotë Luigi Scazzieri nga Qendra për Reformimin Evropian.
“Është në thelb mbështetje buxhetore që i nevojitet Ukrainës për të përballuar luftën. Por, paketa nuk synon të rrisë kapacitetet ushtarake. Ka një fond të veçantë për këtë, që gjithashtu pengohet nga Hungaria, prej 5 miliardë eurosh, të cilat do t’i shtohen fondit të përbashkët të BE-së për furnizimin me armatime për Ukrainën”, thotë zoti Scazzieri.
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka paraqitur gjithnjë probleme për unitetin e BE-së përballë Rusisë dhe mban marrëdhënie të mira me Presidentin rus Vladimir Putin.
“Hungaria nuk pranoi që në fillim t’i bashkohej sanksioneve ndaj Rusisë. Hungaria ka refuzuar t’i dërgojë armë Ukrainës. Hungaria refuzoi t’i japë Ukrainës statusin e vendit kandidat, derisa mori çfarë dëshironte”, thotë Liana Fix, nga Këshilli i Marrëdhënieve me Jashtë.
Në këmbim, Hungaria mori në dhjetor ndër të tjera edhe 11 miliardë dollarë fonde të BE-së që ishin ngrirë për shkak të shqetësimeve për hapat pas të demokracisë në këtë vend. BE-ja vazhdon të mbajë të pezulluara rreth 24 miliardë të tjera, ndërsa pritet që zoti Orban të kërkojë edhe lëvrimin e tyre.
Sipas një raporti të publikuar në gazetën Financial Times, Brukseli kishte ngritur mundësinë e marrjes së masave ndaj ekonomisë së Hungarisë, nëse nuk ajo nuk do të hiqte dorë nga vetoja për Ukrainën, ndërsa Budapesti e pati akuzuar BE-në për shantazh./VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co