Pas tetë muajsh në paraburgim për akuza korrupsioni, Włodzimierz Karpiński i Platformës Qytetare të Donald Tusk u lirua nga paraburgimi dhe do t’i bashkohet Parlamentit Evropian, i cili ndër të tjera do t’i japë atij imunitet në të ardhmen. Karpiński, një ish-ministër i thesarit në qeverinë e Donald Tusk, u arrestua në muajin shkurt pas dyshimeve se kishte marrë një ryshfet prej mbi 1 milion euro nga një kompani që ofronte një kontratë për mbledhjen e mbeturinave.
“Ndihem i cenuar, më është bërë padrejtësi nga zyra e prokurorisë dhe mënyra se si vepruan, që rezultoi me një qëndrim kaq të gjatë në paraburgim,” tha ai, duke hedhur poshtë akuzat pasi la paraburgimin, siç citohet nga e përjavshmja Wprost, ku kaloi rreth 8 muaj.
Pas postit të tij ministror, ai vazhdoi të drejtonte departamentin e menaxhimit të mbetjeve të Varshavës, por agjencia polake kundër korrupsionit, CBA, e akuzoi atë për ryshfet pas një hetimi.
Në zgjedhjet evropiane të vitit 2019, Karpiński kandidoi për Parlamentin Evropian, por nuk u zgjodh. Ai doli i katërti në listën e tij dhe humbi mandatin ndaj një kandidati tjetër nga blloku i atëhershëm i Koalicionit Evropian, Krzysztof Hetman.
Megjithatë, pasi Hetman u zgjodh në parlamentin polak në zgjedhjet e muajit të kaluar dhe po largohet nga Parlamenti Evropian për të marrë postin e tij të ri, ai do të zëvendësohet nga Karpiński. Ish-ministrja e Sporteve Joanna Mucha doli e treta, por u zgjodh në Sejmin polak së bashku me Hetman.
Pas marrjes së mandatit të eurodeputetit, Karpińskit do t’i garantohet imuniteti parlamentar, që do të thotë se Parlamenti Europian do të duhet të japë dritën jeshile për çdo burgim të mundshëm në të ardhmen.
Megjithatë, partia konservatore në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS, ECR) nuk reagoi lehtë ndaj lajmit.
“Të shkosh në Parlamentin Europian direkt nga burgu është “një skandal në nivel europian”, tha zëdhënësi i PiS Rafał Bochenek.
Ndërsa shanset e PiS për të formuar një qeveri të re janë të pakta, pavarësisht fitores në zgjedhjet parlamentare të tetorit dhe emërimit nga presidenti Andrzej Duda të kryeministrit aktual Mateusz Morawiecki si kryeministri i ri, Bochenek iu drejtua shumicës së re në parlamentin e Polonisë.
“Lirimi nga paraburgimi i Karpiński, i cili përballet me akuza të rënda për korrupsion, dhe marrja e mandatit të tij si deputet në PE është një simbol i spikatur i koalicionit të ri,” tha ai, cituar nga e përjavshmja Do Rzeczy, është artikulli i gazetares Aleksandra Krzysztoszek të Euractiv.
***
Rasi i Włodzimierz Karpiński në Poloni është i ngjashëm me rastin e Fredi Belerit në Shqipëri. Ky i fundit u dënua nga GJKKO me 2 vite burg për blerje votash në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. Partia qeverisëse në Greqi, Demokracia e Re e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis kandidoi Belerin në zgjedhjet për Parlamentit Europian ku edhe rezultoi fitues. Ndërsa KQZ në Shqipëri i komunikoi Fredi Belerit ndërprerjen e mandatit dhe presidenti i Republikës dekretoi zgjedhjet e parakohshme në bashkinë e Himarës, të dielën e 4 gushtit.
Ndërkohë, në 8 korrik, nga qelia, Fredi Beleri iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të kërkuar leje për t’u betuar si eurodeputet në Parlamentin Europian, të hënën e 15 korrikut. Edhe sot mediat greke shkruajnë se Fredi Beleri do të jetë në Strasburg të martën e javës së ardhshme, për të marrë pjesë në seancën plenare të Parlamentit Evropian si dhe për të marrë zyrtarisht detyrën e tij si eurodeputet. Sipas gazetës Kathimerini, Beleri do të fluturojë për në Strasburg mëngjesin e së hënës, me një ndalesë të ndërmjetme në Athinë. Kathimerini thekson se autoritetet shqiptare, pas presioneve të shumëanshme, i kanë dhënë atij një leje pesë-ditore, të cilën ai vetë e kishte kërkuar, në mënyrë që të shkonte në Strasburg dhe më pas të kthehej në burg për të vuajtur afatin e mbetur të dënimit, i cili përfundon në tetor.
Por ajo që News24 dhe BalkanWeb mësojnë është se komisioni i burgjeve, ku bëjnë pjesë autoritetet me të larta të burgjeve u mblodh këtë mëngjes por nuk mori asnjë vendim dhe e shtyu mbledhjen për pasdite.Në fakt ligji shqiptar nuk parashikon një rast të tillë, që një i dënuar të marrë leje për të dalë jashtë Shqipërisë dhe vendimi për lejimin e Belerit të betohet në Strasburg, do të binte ndesh me refuzimin për ta lejuar atë të betohej si kryebashkiak i himarës.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co