Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk do të paraqitet vetë fizikisht këtë të mërkurë në ambientet e SPAK. Të hënën, Prokuroria e Posaçme njoftoi ish-kryeministrin përmes avokatëve mbrojtës se duhej të paraqitej për të firmosur zyrtarisht përfundimin e hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” dhe marrjen e akteve të plota.
BalkanWeb mëson se Berisha do të përfaqësohet në SPAK nga pala mbrojtëse. Më pas, dosja e përpiluar nga Prokuroria e Posaçme do t’i dërgohet për gjykim GJKKO-së.
Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur për këtë çështje Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa Malltezi për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, pasi ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, Berisha.
Të pandehur janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi dhe noterja Andia Pustina, e cila është zotëruese e studios ligjore “Pustina”, në të cilën janë bërë të gjitha kontratat, si dhe Xhimi Begeja, kushëriri i Jamarbër Malltezit e njëherazi një prej trashëgimtarëve të truallit ku dikur ndodhej kompleksi Partizani.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co