Kryetari i PD-së, Sali Berisha u kërkoi kandidatëve për deputet në Tiranë që të ndjekin shembullin e Donald Trump dhe të takojnë sa më shumë qytetarë, pasi siç u shpreh ai një e treta e tyre që takohen ndryshojnë mendim.
Berisha tha se 8-12 orë takime me qytetarët nuk mjaftojnë, ndaj i kërkoi kandidatëve që të krijojnë stafin e tyre që edhe ata të zhvillojnë takime të pavarura.
Berisha u shpreh se është emergjencë krijimi një ekipi me përfaqësues një të ri dhe një të rritur.
“Donald Trump pati si Levë Arkimedi në këtë fushatë, takimin me qytetarin. Takimin e përfaqësuesve të tij me qytetarin. Dhe ata konstatuan për herë të parë, një shifër që nuk është dhënë më përpara, mundësinë e ndryshimit të mendimit të një të tretës së atyre që takohen. Shifër shumë e lartë kjo që duhet vlerësuar në shkallë maksimale.
Por, problemi është si duhet ta zbërthejmë takimin ne? Takimin sigurisht që ju 8 deri në 12 orë në ditë duhet të jeni në takime. Por këto nuk mjaftojnë. Duhet përfaqësuesit tuaj, jo një, por mundësisht tetë, dhjetë të takojnë njëlloj si ju në mënyrë të pavarur nga ju.
Të shkojnë derë në derë, të dorëzojnë fletëpalosjet. Po t’u thonë edhe dy fjalë. Dikush në tavolinë të kafenesë mund të thotë, të lutem shumë, nuk kam prirje për të të dëgjuar. Nuk ka gjë, shkon tek tjetri.
Por krijimi nga ju i ekipeve me preferencë një i ri ose dy të rinj, ose një i ri dhe një i rritur, është emergjencë, është e domosdoshme.
Sado që të bëni vetë, Tirana është një oqean, nuk dominohet. E kuptoj atë përkushtimin tuaj, por prapë… lagjet janë, po marr Kombinatin, 72 mijë banorë. Mund të kenë lagje që kanë edhe më shumë.
Ndaj duhet të bëni çdo gjë që të krijoni këto ekipe. Të komunikoni, të regjistrojnë ama. Sot këto takova në këtë rrugicë, në këtë numër apartamentesh hyra, që të bëjmë një bilanc pune çdo natë”, tha Berisha.
–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot botasot.co