Bota

Biden mbron me vendosmëri vendimin për të vazhduar garën presidenciale: Jam personi më i kualifikuar

biden mbron me vendosmeri vendimin per te vazhduar garen presidenciale jam personi me i kualifikuar



































Presidenti Joe Biden për gati një orë iu përgjigj me hollësi pyetjeve të gazetarëve të enjten mbi politikën e jashtme, duke mbrojtur me vendosmëri vendimin e tij për të vazhduar garën për president, pavarësisht shqetësimeve rreth gjendjes së tij. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell, Presidenti Biden foli në fund të takimit të NATO-s në Uashington, ku udhëheqësit e aleancës ranë dakord për veprime konkrete për të forcuar aftësinë e Ukrainës për të zmbrapsur sulmet ruse.

biden

Presidenti Joe Biden e dinte se paraqitja para mediave të përgatitura për të bërë pyetje mbi të ardhmen e tij politike do të ishte një sfidë e madhe.

Vetëm disa minuta para fillimit të konferencës së tij për shtypin, ai e ngatërroi emrin e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski me atë të armikut të tij, Presidentit rus Putin.

“Dhe tani dua t’ia jap fjalën Presidentit të Ukrainës, i cili është i guximshëm dhe i vendosur. Zonja dhe zotërinj, Presidenti Putin.” “Presidenti Putin! Ai do të mundë Presidentin Putin. Presidenti Zelenski! Unë jam shumë i përqëndruar në mposhtjen e Putinit, ne duhet të përqëndrohemi në këtë çështje. Zoti President.”

Zelenski para se të merrte fjalën tha: “Unë jam më i mirë.”

Zoti Biden u përgjigj duke thënë “Ju jeni shumë më i mirë”.

Të enjten, në fund të një dite të mbushur me takime me udhëheqës të NATO-s, Presidenti Biden në konferencën për shtypin, që zgjati gati një orë, u përpoq të ngrihej mbi gabimet e tij dhe pikëpyetjet mbi aftësinë e tij për të kryer detyrën e Presidentit edhe për katër vjet të tjera, duke u përqëndruar në atë që ai e sheh si sfidën më të madhe të presidencës së tij: mbështetjen për Ukrainës në përballjen e saj me sulmet e Rusisë. Ai mori meritat për atë që ai tha se ishte një sukses.

“Gjatë takimit të kësaj jave, disa krerë shtetesh e bënë të qartë në deklaratat e tyre se falënderojnë Shtetet e Bashkuara dhe mua personalisht për gjithçka që ka arritur NATO”, tha zoti Biden.

Por ai gjithashtu e pranoi që gara presidenciale ka paraqitur sfida për të pas paraqitjes së tij të dobët në debatin e muajit të kaluar me rivalin e tij republikan Donald Trump. Ai e ka vlerësuar paraqitjen në debat si një “gabim trashanik”, por përsëriti besimin e tij se do të fitojë ndaj ish-presidentit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.

“Mendoj se jam personi më i kualifikuar për të kandiduar për president. E kam mundur atë një herë dhe do ta mund sërish”, tha zoti Biden për ish Presidentin Trump.

Pyetjet në lidhje me aftësinë e zotit Biden për t’u përballur me sfidat e mëdha globale kanë qenë një zë i pëshpëritur në takimin e NATO-s në Uashington, në të cilin u shënua 75-vjetori i themelimit të aleancës. Anëtarët e Aleancës kanë bërë disa hapa konkretë për të mbështetur Ukrainën, përfshirë një plan për të sjellë koordinimin e konfliktit nën autoritetin e NATO-s, në vend të Uashingtonit.

Dhe publikisht, shumë udhëheqës kanë hedhur poshtë dyshimet mbi aftësinë e Presidentit Biden.

“Nuk kam asnjë shqetësim për aftësinë e presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara për të udhëhequr vendin e tij dhe për të udhëhequr luftën tonë në mbështetje të Ukrainës dhe për të udhëhequr NATO-n. Unë mendoj se ky takim është një shenjë e qartë për këtë”, tha Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb.

Disa analistë duket se janë dakord me këtë vlerësim

“Mendoj se ishte një ditë e mirë për zotin Biden, dita më e mirë që ai ka patur në një kohë të gjatë. Por, unë nuk e di nëse kjo do të ndryshojë rrënjësisht rrjedhën e ngjarjeve politike në ditët në vazhdim”, tha William Galston nga Instituti Brookings.

Presidenti Biden sot përballet me një tjetër provë të fortë. Ai po bën fushatë në Detroit, ku po përpiqet të fitojë mbështetjen e njerëzve për të cilët ai ka nevojë më së shumti, votuesit amerikanë./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts