Qeveria synon që të rrisë përdorimin e biokarburanteve me 1 për qind çdo vit për të arritur në fund të 2030 gradualisht në 7 për qind.
Një projektligj i hedhur për konsultim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizon se kjo masë ka për objekt promovimin e prodhimit dhe të përdorimit të Burimeve të Energjisë së Rinovueshme për sektorin e Transportit, nëpërmjet përdorimit të biokarburanteve për zëvendësimin e një pjese të nënprodukteve të naftës me lëndë djegëse jo fosile për motorët me djegie të brendshme.
Draftligji “Për prodhimin, transportimin, tregtimin dhe përdorimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport” parashikon në 18 nene mënyrën sesi do të aplikohet teksa parashikon si vitin e parë të zbatimit vitin 2025.
“Shqipëria është e angazhuar në kuadër të Acquis të plotësojë Objektivin kombëtar për Energjinë e Rinovueshme. Sasia minimale vjetore në treg e biokarburanteve dhe e lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport, të cilat plotësojnë kriteret e qëndrueshmërisë në përputhje me nenin 6 të këtij ligji dhe reduktimit të emetimeve të gazeve serrë për biokarburantet, duhet të jetë jo më pak se 1 për qind të sasisë të konsumi perfundimtar te lendeve djegëse në sektorin e transportit në vitin 2025. Nga viti 2026 deri në vitin 2030 kjo sasi do të rritet gradualisht me 1% te vit me synim qe ne vitin 2030 te jete jo me pak se 7%“, thuhet në relacionin që shoqëron ligjin.
I njëjti nënvizon se qëllimi i ligjit është të krijohen politika te tilla nxitëse për kultivimin të bimëve energjetike në Shqipëri dhe mundësinë e përdorimit te biomasave me origjine te ndryshme per te garantuar mbrojtjen e mjedisin nëpërmjet respektimit të kritereve të qëndrueshmërisë dhe reduktimit të emetimeve të gazeve serrë për biokarburantet, biolëngjet dhe lëndët djegëse nga biomasa, si dhe plotësimin e kërkesave për cilësinë e karburanteve në sektorin e transportit referuar parashikimeve në direktivën 2018/2001KE, të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 11 Dhjetor 2018, “Mbi promovimin e përdorimit të energjisë nga burimet e energjive të rinovueshme”, amenduar se fundmi me direktivën.
Nxitja e përdorimit të biokarburanteve dhe regjimi fiskal për prodhuesit parashikohet të shoqërohet me lehtësi .
“Zbatimi i regjimeve fiskale lehtësues për biokarburantet me qellim rritjen e përdorimit dhe konkurrimin me çmimin. Lehtësitë dhe përjashtime fiskale ne lidhje me sasitë e biokarburanteve te pastra 100% bio, pa përfshirë pjesën e nënprodukteve respektive të prodhuar nga përpunimi i naftës bruto, që hidhen në treg, te cilat do te përcaktohen në ligjet respektive të tatimeve dhe taksave”, thuhet në relacion./Monitor
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co