Biznesi i ardhshëm triliona dollarësh i energjisë së pastër

biznesi i ardhshem triliona dollaresh i energjise se paster





































Bateritë në shkallë rrjeti më në fund po përdoren gjerësisht, shkruan The Economist

Energjia-e-paster-e-rinovueshme-1150

Për të eliminuar karbonin nga zinxhiri i furnizimit me energji elektrike në botë, do të nevojiten më shumë se panele diellore dhe turbina me erë, të cilat mbështeten në rrezet e diellit dhe një erë të qëndrueshme për të prodhuar energji.

Një zgjidhje për këtë problem, është magazinimi në shkallë rrjeti, por nuk ka mjaftueshëm. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) llogarit se kapaciteti global i ruajtjes me bateri do duhet të rritet nga më pak se 200 gigavat (GW) vitin e kaluar, në më shumë se një teravat (TW) deri në fund të dekadës dhe në gati 5TW deri në vitin 2050, nëse bota dëshiron të arrijë emetimet neto zero (shih grafikun 1).

Megjithatë, për fat të mirë, biznesi i ruajtjes së energjisë në rrjet, më në fund është duke marrë vrull.

Rritja-e-furnizimit-1150

Tradicionalisht, magazinimi në shkallë rrjeti mbështetej në sistemet hidroelektrike që lëviznin ujin midis rezervuarëve në krye dhe në fund të një shpati. Në ditët e sotme, po zgjidhet gjithnjë e më shumë metoda e baterive gjigante të palëvizshme të vendosura në rreshta.

Sipas IEA-së, vitin e kaluar, në botë u instaluan 90 GW në bateri, sa dyfishi i sasisë së vitit 2022. Nga këto, rreth dy të tretat ishin për rrjetin dhe pjesa e mbetur për zbatime të tjera si energjia diellore ose për banesa.

Çmimet po bien dhe po zhvillohen metoda të reja. Shoqëria këshillimore Bain vlerëson se tregu për ruajtjen e energjisë në shkallë rrjeti, mund të zgjerohet nga rreth 15 miliardë dollarë në vitin 2023, në 200 miliardë dollarë, e deri në 700 miliardë dollarë deri në vitin 2030, dhe më pas në 1-3 trilionë dollarë deri në vitin 2040.

Rënia e çmimit të baterive të litiumit, po nxit përdorimin e tyre në rrjet. Sipas grupit kërkimor BloombergNEF, çmimi mesatar i baterive të palëvizshme të litiumit për ruajtje të matur në kilovat-orë, ra me rreth 40% midis viteve 2019 dhe 2023.

Ngadalësimi i ritmit të blerjes së automjeteve elektrike, të cilat funksionojnë me një teknologji të ngjashme, ka bërë që prodhuesit e baterive të kenë një interes më të madh për ruajtjen në rrjet të energjisë.

Në vitin 2019, bateritë e palëvizshme të litiumit ishin pothuajse 50% më të shtrenjta se ato të përdorura në automjetet elektrike. Kjo diferencë tani ka rënë në më pak se 20% pasi janë shtuar prodhuesit (shih grafikun 2).

Agjencia IEA llogarit se energjia diellore e ndërthurur me bateritë, tani është konkurruese me energjinë elektrike me qymyr në Indi dhe është në rrugën e duhur për t’u bërë më e lirë se energjia me gaz në Amerikë, në pak vite.

Nje-udhetim-1150

Qendra e prodhimit global të baterive është Kina. Ajo është shtëpia e katër nga pesë prodhuesit më të mëdhenj në botë, duke përfshirë kompanitë e mëdha CATL dhe BYD (shih grafikun 3). Pjesa globale e Kinës në prodhimin e baterive të krijuara për ruajtje stacionare, është rritur nga pothuajse zero në vitin 2020, në rreth një të pestën vitin e kaluar.

Rritja është ndihmuar nga politikat vendase që kanë vendosur që projektet e mëdha të energjisë diellore dhe të erës të instalojnë gjithashtu hapësirën e magazinimit.

Kompanitë e baterive të Kinës janë jashtëzakonisht inovative. Për shembull, kompania CATL, ka rritur me tetëfish investimet në kërkim dhe zhvillim që nga viti 2018, duke arritur në 2.5 miliardë dollarë vitin e kaluar. Kompania BYD, e cila ka investuar shumë në robotikë dhe inteligjencë artificiale, ka ndërtuar një strukturë baterish në qytetin kinez Hefei.

Kjo strukturë është pothuajse tërësisht e automatizuar. Por industria ka gjithashtu kapacitet të tepërt. Sipas BloombergNEF, Kina prodhon tashmë mjaftueshëm bateri litiumi për të kënaqur kërkesën globale të të gjitha llojeve. Industria e saj ka njoftuar planet për një kapacitet të mëtejshëm prej 5.8 teravat/orë (TWh) deri në vitin 2025, më shumë se dyfishi i kapacitetit të tanishëm global prej 2.6 TWh.

Kjo do të jetë katastrofike për shumë firma në industrinë e baterive, përfshirë ato që prodhojnë për rrjetin. Sipas grupit kërkimor Benchmark Mineral Intelligence, ndërtimi i 19 fabrikave të baterive në Kinë, u anulua ose u shty në shtatë muajt e parë të vitit 2024.

Rënia e çmimeve ka goditur gjithashtu shumë firma perëndimore startup që merren me prodhimin e baterive. Një shembull është firma suedeze Northvolt, që ishte konsideruar nga disa si përgjigjja e Europës ndaj kampionëve të Kinës.

Vitin e kaluar, ajo raportoi një humbje prej 1.2 miliardë dollarësh, nga 285 milionë dollarë në vitin 2022. Pasoja e gjithë kësaj ka të ngjarë të jetë një valë konsolidimi, siç parashikoi në fillim të këtij viti Robin Zeng, shefi i firmës CATL.

Furnizuesit-kryesore-1150

Paradoksi

Megjithatë, dështimet e disa prodhuesve të baterive janë diçka që mund të ndihmojë, në vend që të dëmtojë. Çmimet mund të bien më tepër teksa kompanitë më produktive marrin një pjesë më të madhe të tregut.

Konkurrenca e ashpër tashmë po nxit risinë, pasi kompanitë po kërkojnë teknologji të reja për t’i ndihmuar ato të jenë konkurruese. Bateritë me jone natriumi janë një alternativë mjaft premtuese. Ato nuk kanë nevojë për litium të kushtueshëm dhe megjithëse kanë një densitet më të ulët të energjisë, ky nuk është ndonjë problem i madh për bateritë e palëvizshme.

Prodhuesit po nxitojnë të zhvillojnë teknologjinë për rrjetin. Disa firma startup po ndërmarrin nisma guximtare. Natron, një firmë amerikane e mbështetur nga gjiganti i naftës Chevron, do të investojë 1.4 miliardë dollarë për të ndërtuar një fabrikë baterish me jone natriumi në Karolinën e Veriut, e cila është planifikuar të hapet në vitin 2027.

Landon Mossburg, drejtuesi ekzekutiv i firmës Peak Energy, një kompani startup që merret me prodhimin e joneve të natriumit, thotë se dëshiron që firma e tij të bëhet version amerikan i kompanisë kineze CATL.

Tom Jensen, shefi i firmës startup Freyr Battery, mendon se e vetmja mënyrë që kanë kompanitë perëndimore të baterive për të konkurruar, është nëpërmjet teknologjive të reja. Lista e qasjeve inovative po rritet.

Firma startup EnerVenue po hedh në treg një bateri me nikel-hidrogjen. Firma ka mbledhur mbi 400 milionë dollarë dhe do të ndërtojë një fabrikë në Kentucky që shpreson të prodhojë bateri të lira që mund të ruajnë energjinë për periudha të gjata.

Rritja e furnizimit

Këto teknologji të reja janë të përshtatshme për të përmbushur kërkesën e rritur për energji nga qendrat e të dhënave, të cilat gjigantët e teknologjisë duan t’i furnizojnë me energji të ripërtëritshme.

Fakti që bateritë me jone natriumi priren më pak të marrin flakë sesa ato me bazë litiumi, i bën ato veçanërisht tërheqëse për kompanitë e teknologjisë, sepse kjo ul kostot e sigurisë, vëren Jeff Chamberlain, shefi i firmës së investimeve Volta Energy Technologies, të përqendruar në biznesin e ruajtjes së energjisë. Colin Wessels, shefi i firmës startup Natron, vëren se firma planifikon të furnizojë bateri kryesisht në qendrat e të dhënave.

Nevojat e mëdha të qendrave të të dhënave po çojnë gjithashtu në boshllëqe në infrastrukturën e rrjetit, e cila është e nevojshme për të prodhuar dhe transmetuar energji. Këtë problem mund ta zgjidhin bateritë me kohëzgjatje më të gjatë si EnerVenue’s.

Aaron Zubaty, shefi i kompanisë energjetike Eolian, parashikon risi të mëdha në metodat e ruajtjes së energjisë për të përballuar kërkesën në rritje për rrjetet e energjisë gjatë dekadës së ardhshme.

Pra, ruajtja në shkallë rrjeti po përparon me shpejtësi. “Bateritë kanë bërë në pesë vjet atë për të cilën energjisë diellore i është dashur 15 vjet”, vëren një analist. Siç thotë Fatih Birol, kreu i agjencisë IEA: “Bateritë po ndryshojnë lojën para syve tanë”./Monitor

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →