“Black out-i” që ka prekur botën nga ndërprerja e internetit, ka paralizuar aeroportet në të gjithë Europën. Linja ajrore gjermane Lufthansa dhe SAS Airline, me bazë në Skandinavi, janë linjat ajrore më të fundit që raportojnë ndërprerje të fluturimeve.
Lufthansa thotë se, për momentin, rezervimi i biletave të udhëtimit është e kufizuar, por po punohet për një zgjidhje.
Dhe SAS thotë se shërbimet e saj janë plotësisht funksionale, por “çështjet teknike” po ndikojnë në pjesën e rezervimit.
Aeroporti i Pragës është prekur gjithashtu nga ndërprerja e sistemit të check-in dhe thotë se disa nisje nga kryeqyteti çek janë vonuar.
Linja ajrore gjermane Eurowings po raporton gjithashtu se check-in e saj online aktualisht nuk po funksionon.
Dhe në Irlandën e Veriut, aeroporti Ndërkombëtar i Belfast thotë se ndërprerja po ndikon në aeroport, por fluturimet mbeten funksionale.
Aeroporti më i madh i Zvicrës në Cyrih thotë gjithashtu se aeroplanët nuk lejohen të ulen.
Linja ajrore holandeze KLM thotë se trajtimi i fluturimeve është i pamundur. KLM thotë se i është dashur të pezullojë të gjitha operacionet ajrore, por shton se po punon fort për të zgjidhuyr problemin. “Ne e kuptojmë se kjo është një gjë shumë e papërshtatshme për klientët dhe stafin tonë, veccanërisht në mes të sezonit të pushimeve”, ishte reagimi i KLM.
Vonesa dhe ndërprerje raportohen edhe në linjat e trenave.
Çfarë duhet të dini nga black out-i i pazakontë?
Një problem i madh me sistemet kompjuterike po pengon transportin, transmetuesit, spitalet dhe sektorë të tjerë në mbarë botën
Fluturimet janë ndalur dhe aeroportet në mbarë botën po raportojnë vonesa
American Airlines thotë se Crowdstrike, një kompani e sigurisë kibernetike, është burimi i çështjeve të teknologjisë. Crowdstrike në një mesazh telefonik të regjistruar tha se është në dijeni të raporteve të problemeve në sistemin operativ Windows të Microsoft-it në lidhje me sensorin e tij Falcon.
Në shtetin amerikan të Alaskës, policia paralajmëron se sistemi 911 mund të mos jetë i disponueshëm
Në Poloni, terminali Baltic Hub u kërkon anijeve të mos dërgojnë kontejnerët e tyre atje
Në MB, kompanitë hekurudhore po “përjetojnë probleme të përhapura të IT” dhe paralajmërojnë për vonesa
Probleme raportohen edhe në shërbimet spitalore. Mjekët nuk kanë akses në të dhënat e tyre, ndërsa janë pamundësuar edhe rezervimet në internet
Probleme edhe në rrjetet e transmetimeve televizive. Sky News dhe CBBC kanë qenë jashtë transmetimit
Aeroporti i Delhit i proceson pasagjerët me shkrim dore
Në Delhi, nuk kishte terminale elektronike të disponueshme për check-in. Radhët e njerëzve raportohen të gjata. Pasagjerëve iu është dhënë një formular që ta plotësojnë me dorë. BBC shkruan se pas kalimit të sigurisë, është një person në Terminalin 3 i cili është përgjegjës për përditësimin e një tabele të bardhë me dorë me informacionin e portës.
“Unë jam në portën nga ku është menduar të niset fluturimi, por nuk ka agjentë dhe as aeroplan. Në portën përballë asaj ku jam, ka një kapiten dhe ekuipazh që presin ekuipazhin e terrenit për të filluar procesin e hipjes. Për shkak se gjithçka këtu bëhet me dorë, gjërat janë të ngadalta. Por ky aeroport mbetet i hapur”, raporton BBC.
United Airlines fajëson ‘softuerin’ e Crowdstrike, për ndërprerjen e fluturimeve
Kompania e pestë në botë për nga numri i pasagjerëve, United Airlines, në një deklaratë për BBC ka gjetur “fajtorin” e ndërprerjes së fluturimeve dhe paralizimit të fluturimeve në të gjithë botën.
United Airlines bën të ditur se problemi u shkaktua në “softuerin” e kompanisë që ofron shërbimin, Crowdstrike. Kompania ajrore amerikane njofton se po punohet për të rivendosur në punë sistemet, ndërsa njofton se fluturimet janë rikthyer dhe po vijojnë për në destinacionet e tyre.
“Një ndërprerje e softuerit të palëve të treta po ndikon në sistemet kompjuterike në mbarë botën, duke përfshirë edhe linjën United Airlines. Ndërsa ne punojmë për të rivendosur ato sisteme, ne po i mbajmë të gjithë avionët në aeroportet e tyre të nisjes. Fluturimet tashmë po vazhdojnë për në destinacionet e tyre”.
Linja ajrore amerikane transporton mesatarisht 578,000 pasagjerë në ditë.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co