Blinken përfundon vizitën në Lindjen e Mesme, thirrje palëve për të arritur marrëveshje

blinken perfundon viziten ne lindjen e mesme thirrje paleve per te arritur marreveshje
blinken perfundon viziten ne lindjen e mesme thirrje paleve per te arritur marreveshje

Mes përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i dha fund vizitës në Lindjen e Mesme, duke u bërë thirrje Izraelit dhe Hamasit të mbështesin planin, i cili, sipas tij, përfshin tëheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës. Ai nënvizoi se palët nuk kanë kohë për të humbur, ndërkohë që grupi militant Hezbollah goditi sot pjesën veriore të Izraelit, në Lartësitë Golan, me mbi 50 raketa, duke dëmtuar një numër banesash private.

Në mbyllje të vizitës së tij në Lindje të Mesme mes përpjekjeve diplomatike për arritjen e një armëpushimi, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken theksoi se për Uashingtonin pushtimi afatgjatë i Gazës nga Izraeli është i papranueshëm. Ai u bëri thirrje palëve që të tregojnë fleksibilitet dhe të pranojnë propozimin amerikan, duke theksuar se “nuk ka kohë për të humbur.” “Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë asnjë pushtim afatgjatë të Gazës nga Izraeli. Marrëveshja i bën të qarta afatet dhe vendet e tërheqjes së ushtrisë izraelite nga Gaza. Izraeli është pajtuar me këtë plan”, tha ai.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane i tha agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara presin që bisedimet për armëpushimin të vazhdojnë gjatë kësaj jave. Hamasi nuk e ka refuzuar planin amerikan, por një zyrtar i lartë i grupit militant akuzoi Shtetet e Bashkuara se po i nënshtrohen “kushteve të reja” të Izraelit, duke thënë se propozimi i tanishëm shënon kthim prapa. Ndërkohë, sipas mediave shtetërore izraelite, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u ka thënë familjeve të pengjeve të martën se Izraeli nuk do të heqë dorë nga dy korridore në Rripin e Gazës, kusht ky kryesor i Hamasit.

Në përfundim të vizitës në Doha të Katarit, ndalesën e tij e fundit në turneun që përfshiu takime me zyrtarët izraelitë në Tel Aviv dhe krerët egjiptianë në Kajro, Sekretari Blinken tha se përqëndrimi kryesor i ndërmjetësve gjatë ditëve në vijim është të sigurojnë mbështetjen e Hamasit për propozimin e armëpushimit.

“Gjatë ditëve në vijim do të bëjmë çdo gjë që është e mundur për ta siguruar pëlqimin e Hamasit për propozimin dhe pastaj të sigurohemi që dyja palët të bien dakord për detajet e nevojshme të zbatimit, që do të hapin rrugën për të ecur përpara”, deklaroi ai.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve, zoti Blinken zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan mbi negociatat ndërmjet Hamasit dhe Izraelit. Turqia është përkrahëse e Hamasit dhe ka dënuar luftën e Izraelit në Gazë.

Ndërkohë të mërkurën grupi militant Hezbollah, i afërt me Iranin, goditi me mbi 50 raketa Lartësitë e Golanit, që gjenden nën kontrollin e Izraelit, duke dëmtuar një numër banesash private, sipas ekipeve të emergjencave.

Hezbollahu tha se kishte goditur me raketa në shenjë hakmarrjeje ndaj një sulmi izraelit në Liban të martën mbrëma, që ka një të vdekur dhe 19 të plagosur. Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gazë, të nxitur nga sulmi i Hamasit ndaj vendbanimeve izraelite me 7 tetor, Izraeli dhe Hezbollahu, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, kanë shkëmbyer zjarr në baza ditore.

Zyrtarët izraelitë paralajmëruan këtë javë se ndërkohë që ushtria izraelite po shkon drejt përmbylljes së operacioneve në Rripin e Gazës, ajo po përqëndohet në pjesën veriore në kufi me Libanin, për t’u përballur me Hezbollahun./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →