Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të martën se vrasja nga Izraeli e aktivistes turko-amerikane Aysenur Ezgi Eygi në Bregun Perëndimor të pushtuar është edhe “e paprovokuar dhe e pajustifikuar”, duke theksuar se është “e papranueshme”.
“Askush nuk duhet të qëllohet dhe të vritet për pjesëmarrje në një protestë ,” tha Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, duke përmendur se Eygi është shtetasi i dytë amerikan i vrarë në duart e forcave izraelite të sigurisë.
“Unë mendoj se ajo që ne pamë në këtë hetim … duket se tregon atë që dëshmitarët okularë kanë thënë dhe e kanë bërë të qartë se vrasja e saj ishte e paprovokuar dhe e pajustifikuar,” tha ai.
Blinken vazhdoi duke thënë se askush nuk duhet të rrezikojë jetën e tij vetëm për të shprehur lirshëm pikëpamjen e tij.
“Sipas gjykimit tonë, forcat izraelite të sigurisë duhet të bëjnë disa ndryshime thelbësore në mënyrën se si ato veprojnë në Bregun Perëndimor, duke përfshirë ndryshimet në rregullat e tyre të angazhimit,” shtoi ai.
Eygi, 26 vjeç, një shtetase turko-amerikane, u qëllua për vdekje nga forcat izraelite të premten e kaluar gjatë një proteste kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite në Beita, një qytet jashtë qytetit të Nablusit.
Dëshmitarët raportuan se ushtarët izraelitë hapën zjarr drejt demonstruesve. Ndonëse qëndronte larg zonës kryesore të protestës, ajo u qëllua për vdekje në kokë. Pavarësisht se u dërgua me urgjencë në spital, punonjësit mjekësorë nuk arritën ta shpëtonin.
Eygi, e lindur në Antalia, Turqi, në vitin 1998, u diplomua në qershor në Universitetin e Uashingtonit, ku studioi psikologji, për gjuhë dhe kultura të Lindjes së Mesme.
Ajo mbërriti në Bregun Perëndimor të martën e kaluar për të dalë vullnetare me Lëvizjen Ndërkombëtare të Solidaritetit si pjesë e një përpjekjeje për të mbështetur dhe mbrojtur fermerët palestinezë.
(A.A/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co