TIRANE
Parlamenti i Shqipërisë shpesh ka qenë vend rivaliteti mes palëve, por situate e muajve të fundit ka bërë që disa propozime të rëndësishme ligjore kërkojnë një marrëveshje nga të gjitha palët të mos marrin miratim nga deputetët. Në tre muajt e fundit, deputetët e opozitës kanë protestuar dhe bojkotuar aktivitetin parlamentar pasi propozimet e tyre për ngritjen e komisioneve hetimore u rrëzuan nga socialistët.
Kërkesa e opozitës bazohet në kushtetutë dhe konsiderohet si një mjet i rëndësishëm që mund të kërkojë llogari nga ekzekutivi.
Ndërkaq për shkak të situatës disa projektligje që kërkojnë konsensus nga të dyja palët nuk mund të avancojnë më tej, përfshirë propozimet për reformën zgjedhore, pagat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ligjet për reformën në drejtësi dhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
[embedded content]
Si për të shtuar edhe më shumë konfuzionin, janë ndarë mes tyre edhe deputetët e opozitës nga Partia Demokratike. Një nga çështjet më urgjente për t’u votuar është reforma zgjedhore. Për ta trajtuar këtë është ngritur një komision, por opozita përfaqësohet në të nga deputetë të grupit të Bashës. Kundër janë deputetët e opozitës që i përkasin grupit të Berishës.
Ka pasur disa takime, por asnjë rezultat konkret. Deputetët e Berishës e kanë kundërshtuar punën e komisionit, ndërsa deputetët e drejtuar nga Basha e kanë kritikuar këtë veprim.
Një tjetër çështje pezull që kërkon miratimin e të gjitha palëve është projektligji i Ministrisë së Drejtësisë për pagat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Vetë Gjykata Kushtetuese ka propozuar që paga të jetë rreth 6,000 euro, dhe ai i kryetarit të Gjykatës rreth 7,000 euro. Kur u miratua për herë të parë në vitin 2016, reforma në drejtësi mori një konsensus nga të gjitha palët dhe kështu ndryshimet e fundit të propozuara kërkojnë miratim edhe nga të gjitha palët.
Zgjedhja e Avokatit të Popullit është një tjetër çështje pezull që ka nevojë edhe për një konsensus politik. Në praktikën e kaluar parlamentare, Avokati i Popullit propozohej përgjithësisht nga opozita, por këtë herë socialistët dhe opozita janë larg një konsensusi, duke shkelur afatin kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të këtij institucioni.
Në përkeqësimin e konfliktit mes opozitës dhe qeverisë në parlament ka ndikuar edhe rregullorja e parlamentit që u ndryshua në mes të konfliktit të 14 dhjetorit të vitit të kaluar, kur socialistët votuan që deputetët tani mund të përjashtohen deri në 60 ditë, nëse shkelin rregulloren.
Raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian theksoi si një shqetësim të madh faktin se Parlamenti i Shqipërisë ushtron shumë pak kontroll mbi qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co