Një video për sheriatin ka ndezur diskutimet në Turqi. YouTuber-i Diamond Tema është tani në shënjestër për shkak të deklaratave të tij mbi Profetin Mohamed. Ndaj tij ka kërcënime me vrasje dhe një urdhër-arrest.
A është sheriati një rend i mirë juridik? Dy YouTuber-a diskutuan për këtë përpara dhjetë ditësh dhe qysh atëherë kjo çështje po preokupon mbarë Turqinë. Në qendër të diskutimit është çështja, nëse YouTuber-i Diamond Tema me deklaratat e tij për Profetin Mohamed ka cënuar ndjenjat religjoze të popullsisë.
I këtij mendimi është presidenca dhe Ministria turke e Drejtësisë. Ato deklaruan, se ndaj Diamond Temas po hetohet ndër të tjera për “nënçmim të ndjenjave religjoze” dhe se është lëshuar urdhër-arrest kundër 30 vjeçarit.
Akt penal apo shprehje e lirë e mendimit?
YouTuber-i turk me origjinë shqiptare përpiqet përmes disa videove të shpjegojë, se nuk ka kryer vepër penale dhe se vetëm ka lexuar nga rrëfimet për Profetin nga koleksionet e pranuara në përgjithësi. “As juridikisht dhe aq moralisht këtu nuk ka problem”, përsërit ai. “Ta paraqesësh situatën të transformuar, sikur një i pa fe ka goditur një ithtar të sheriatit, ky është manipulim.”
Ky rast tregon edhe njëherë se sa thellë është e përçarë shoqëria turke. Disa janë të mendimit, se e gjitha çfarë ka thënë Diamond Tema, ka të bëjë me lirinë e shprehjes. Të tjerë thonë, se ai e ka nënçmuar Profetin Mohamed dhe ka cënuar ndjenjat religjoze.
Çfarë ka ndodhur?
Në programin në YouTube Diamond Tema, një agnostik dhe laik i bindur, ka folur me influencerin nacional-konservator Asrin Tok. Tok e konsideron sheriatin një sistem më të mirë se sa demokracinë. Për rreth dy orë të dy diskutojnë për tema të ndryshme që nga të drejtat themelore dhe të pakicave e deri tek demokracia dhe barazia mes burrit dhe gruas.
Edhe martesa e Mohamedit me gruan e tij të fundit Aishe është diskutuar. Sipas disa burimeve islamike Aishe përpara fejesës duhet të ketë qenë gjashtë vjeç, dhe në realizimin e martesës pas tre vjetësh kishte mbushur nëntë vjeç.
“A beson ti, që Profeti është martuar me një gjashtëvjeçare? Në një sistem të sheriatit një mysliman lejohet të martohet me një vajzë gjashtë vjeçare. E konsideron ti të drejtë këtë?”, me këto pyetje e konfronton Diamond Tema të intervistuarin e tij.
Ka mjaftuar kaq që nisnin sulmet në masë kundër tij: Në rrjetet sociale qysh atëherë po qarkullojnë me miliona herë kërcënime me vrasje kundër YouTuber-it e madje edhe kundër familjes së tij. Diamond Tema është i zhgënjyer, kryesisht prej ndërhyrjes së ministrit turk të Drejtësisë, gjë që duket si një paragjykim. “Ai është edhe ministri im, ai duhet të mbrojë edhe të drejtat e mia”, thotë Tema.
Në rrethana të tilla turko-shqiptari vendosi të qendrojë në Shqipëri. Në Turqi ai do të udhëtojë vetëm, kur të jetë qetësuar gjendja.
Turqia është e përçarë
Qysh prej marrjes së pushtetit më 2001 partia islamiste-konservatore AKP e presidentit Rexhep Tayip Erdogan ka nxitur polarizimin e vendit. Ai edhe sot vazhdon të propagandojë narrativën, që qysh prej themelimit të republikës përpara njëqind vjetësh besimtarët dhe konservatorët, pra klientela e Erdoganit, vazhdimisht diskriminohen dhe shtypen.
Në rrjedhën e qendrimit të tij në pushtet kreu 70-vjeçar i shtetit ka krijuar një elitë të vetën të përbërë nga urdhëra dhe vëllazëri ekstremiste, që janë të lidhur fort me njeri-tjetrin. Sot ndihen të shtypur njerëzit që kërkojnë një ndarje strikte të shtetit nga feja.Studimet sugjerojnë, se sheriati është pak i preferuar në popull
Sipas hulumtimeve të Fondacionit turk për Studimet e Politikave Ekonomike (TEPAV) në vitin 2016 rreth 75 përqind e njerëzve thanë, se duan të jetojnë në një vend laik. Katër vjet më vonë kuota e atyre, që duan një ndarje të qartë mes shtetit dhe fesë u rrit në 81 përqind.
Sheriatin atëherë e dëshironin 22 përind. Katër vjet më vonë, më 2020, kuota e tyre ra në 17 përqind. Rreth 85 përqind në popull thonë, se religjoni luan një rol të rëndësishëm në jetën e tyre. Për grupin e 18 – 24 vjeçarëve religjoni nuk ka shumë rëndësi./DW
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co