Në Phuket të Tajlandës kanë nisur që prej ditës së djeshme garat e Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, një aktivitet madhor, i cili është edhe eventi i fundit kualifikues për Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Shqipëria kishte regjistruar fillimisht dy peshëngritës në Botëror, dy emra të mëdhenj që kanë bërë historinë e këtij sporti në vendin tonë, Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn, të dy në kategorinë e peshave 73 kg edhe pse shkodrani në fakt prej kohësh garon në kategorinë 81 kg. Por në momentet e fundit Erkand Qerimaj ka njoftuar se nuk do të jetë në Kampionatin Botëror.
Në një komunikim me “Panorama Sport”, Qerimaj bën të ditur se nuk do të garojë për shkak të një viroze të stinës, ndërsa thotë se mjekët i kanë rekomanduar disa ditë pushim, pasi ka kaluar një ftohje. Kujtojmë që sot është data 1 prill dhe na ndajnë më pak sesa 4 muaj nga Lojërat Olimpike, ndërsa Shqipëria vijon të mos ketë ende asnjë peshëngritës të kualifikuar me normë për në “Paris 2024”.
Kombëtarja kuqezi e shtangës i ka të gjitha shpresat te Briken Calja, i cili pasi ka fituar betejën me rënien nga pesha, duke zbritur në kategorinë 73 kg, tashmë synon shkëlqimin në botëror dhe një biletë kualifikuese për në Olimpiadë. Por ky nuk do të jetë një mision i lehtë për Caljen, i cili do të konkurrojë nga Bateria B e peshave 73 kg, ndërsa gara e shtërmenasit do të zhvillohet mëngjesin e 4 prillit në orën 08:30 me të Shqipërisë. Caljen e pret një rivalitet i lartë mes 35 garuesve në tri bateri, ndërsa 34-vjeçari kuqezi është më i madhi në moshë nga të gjithë konkurruesit e peshës 73 kg.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co