BRITANI E MADHE – Mbretëria e Bashkuar ka ngrirë asetet e gjashtë shefave të burgjeve ruse, që janë në krye të kolonisë penale të Arktikut, ku vdiq lideri i opozitës Alexei Navalny.
Individëve të sanksionuar do t’u ndalohet gjithashtu të udhëtojnë në MB. Udhëheqësit perëndimorë kanë hedhur fajin për vdekjen e Navalnyt tek autoritetet ruse, përfshirë presidentin Putin.
“Ata që janë përgjegjës për trajtimin brutal të Navalny nuk duhet të kenë asnjë iluzion – ne do t’i mbajmë ata përgjegjës”, tha Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Lord Cameron.
Qeveria britanike ka kërkuar gjithashtu që trupi i Navalnyt t’i jepet menjëherë familjes së tij dhe të bëhet një hetim i plotë dhe transparent.
Apeli nga MB i bën jehonë thirrjeve të ngjashme nga nëna e Navalnyt, e cila u filmua të martën jashtë kolonisë penale ku ai vdiq, duke thënë se ajo po përpiqej ta shihte për pesë ditë, por as nuk e dinte se ku ishte.
Duke shpallur sanksionet, Lord Cameron tha se ishte e qartë se autoritetet ruse e shihnin Navalny-n si një kërcënim dhe ata u përpoqën vazhdimisht ta mbyllnin çështjen në heshtje. “Askush nuk duhet të dyshojë në natyrën shtypëse të sistemit rus”, shtoi ai.
“Kjo është arsyeja pse ne sot po sanksionojmë zyrtarët më të lartë të burgut, përgjegjës për paraburgimin e tij në koloninë penale ku ai kaloi muajt e fundit. Ata që janë përgjegjës për trajtimin brutal të Navalnyt, nuk duhet të kenë asnjë iluzion – ne do t’i mbajmë ata përgjegjës”, tha Cameron.
Ndërkohë, kryeministri Rishi Sunak tha se Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj po shqyrtonin të gjitha opsionet për të kërkuar llogari nga Rusia dhe Putin. (BBC – BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co