ILIR ÇUMANI
Pas disa dekadash, takohem i përmalluar me shokun tim të fëmijërisë, Rando Hodo. Me Randon kemi kaluar kohëra të çuditshme në fëmijërinë e hershme. Ishin vite të bukura, por edhe të trazuara, kohë mjaft të vështira, atje, në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. Në foton bardhezi që po publikoj, kemi dalë me një nga ish-punonjëset zemërdhembshura të Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë.
Rrallëkush si ajo u kujdes aq shumë për Randon, për mua dhe për shumë fëmijë të tjerë jetim në atë institucion. Kjo grua e veçantë mban në fizikun dhe shpirtin e saj të brishtë një histori të jashtëzakonshme vuajtjesh e sakrificash mbijetese të pashoq, që përmes një sage të madhe dhimbjesh e privacionesh, vetëm gra si ajo mundin t’ia dalin mbanë…. E megjithatë, veç halleve pafund, ajo iu përkushtua dhe u kujdes po aq shumë edhe për të gjithë fëmijët pa kujdesin prindëror, pa asnjë dallim, ashtu si për mua edhe për shumë fëmijë të tjerë jetimë.
Asokohe, në jetimoren e Sarandës, ishim jo pak, por plot 200 fëmijë që rriteshim dita-ditës para syve vëzhgues dhe nën përkujdesjen e një stafi të shkëlqyer profesionistësh multidisiplinor, drejtues dhe mësuese e kujdestare, personel shërbimi si: kuzhiniere, infermiere, udhëheqës artistik, sanitare, rrobaqepëse dhe deri te këpucarë dhe roje të shërbimit të natës…. Secili prej fëmijëve të atij institucioni, mbartte me vete një dhimbje, një histori, një dramë…. Asnjëra prej tyre nuk i ngjasonte njëratjetrës…. Por, një gjë kishim të përbashkët: “botën vetmitare të bonjakut…!”. Atë e jetonim të gjithë së bashku njëlloj brenda mureve të një institucioni. Gruaja që u bë referencë dhe melhem e dhimbjeve dhe e dashurisë pa kushte për ne fëmijët, quhet Evlojia Boçi. Është një shembull model i mëmësisë, i altruizmit, i dhembjes stoike, i humanizmit dhe i dashurisë njerëzore…
Një nënë e rrallë që dikur edhe vetë jetonte brenda familjes së saj biologjike në vështirësi të mëdha ekonomike e sociale. Me shumë mundime e sakrifica, ajo i rriti dhe i edukoi tre fëmijët e saj biologjikë; Elin, vajzën e madhe, (e cila është me ne edhe në këtë imazh bardhezi, foto që i përket vitit 1980), dhe dy djemtë më të vegjël, Landin dhe Kastriotin. Fëmijët e saj nuk i ndau dhe nuk i dalloi kurrë nga ne, ishfëmijët e familjes së madhe të Shtëpisë së Fëmijës. Mbaj mend, kur ajo përfundonte orarin e punës gjatë turnit të tretë, linte mjediset e institucionit dhe nuk shkonte për në shtëpinë e saj për t’u çlodhur, ose të bënte zgjimin e fëmijëve dhe t’u përgatiste mëngjesin që më pas t’i përcillte për në shkollë, (ata e përgatisnin vetë higjienën e tyre dhe ngrënien e mëngjesit).
Në agun e mëngjesit, pa u gdhirë mirë dita, ajo ngjitej në kodrat e qytetit për të mbledhur bimët e çajit të malit, llojet e ndryshme të barishteve dhe lakrave të egra, të cilat, pothuajse çdo ditë i përgatiste si ushqim për të vegjlit e saj që i konsumonin për drekë, sapo ata ktheheshin nga shkolla. I gatuante mjeshtërisht, i regjte mirë e bukur me dashurinë e një amvise shembullore, me pak uthull e vaj ulliri, aq sa unë dhe Randua që ajo e kishte bërë bir për shpirt, shkonim shpesh në shtëpinë e saj dhe na ulte bashkë me fëmijët në tryezën e ngrënies. Ne, pasi e konsumonim të gjithë pjatën me lakra të egra që ajo na e servirte me aq shumë bujari, lëpinim të shpenguar gishtat e duarve si për të dashur edhe më shumë që ato çaste ngazëllimi, lumturie e gëzimi fëmijësh të pafaj të mos na shteronin kurrë…. Sot, nënë Evlojia jeton pleqërinë e bardhë në Greqi, në moshën 90-vjeçare, pranë fëmijëve të saj biologjikë.
Sa mall kemi ne ish-fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, të rritur me aq dashuri e dhembshuri nga duart e saj! Sa respekt e mirënjohje të pa kufi kemi për atë grua simbol të mirësisë dhe të humanizmit! Këto dhe shumë kujtime të tjera i sollëm me Randon gjatë një takimi të përmallshëm. Rando ka krijuar një familje të shëndoshë dhe të mrekullueshme. Jeton në Kuçovë. Ka një vajzë të martuar në Gjermani dhe një djalë të mbarë, që shkon mirë me mësime në shkollë, është me rezultate të shkëlqyera. Gëzohem pa masë Rando! Mbi të gjitha, gëzohem dhe lumturohem se ke ditur t’ia dalësh mbanë dhe dite ta fitoje betejën me jetën, duke e ndërtuar aq bukur e me dinjitet, ashtu siç edhe e ke merituar… Por, mos harro: Në këtë betejë të suksesit tënd me jetën, meritë të veçantë ka edhe ajo grua trupimët e me zemër të madhe që ti në fëmijëri shpesh i thërrisje: “Mama”. Sigurisht, në mungesë të nënës tënde biologjike që për fat të keq, nuk e njohe kurrë…. Latinët e vjetër thonë: “….Jeta u përket guximtarëve…”. Dhe ti ke guxuar mjaft mirë. Bekime Vëlla…!
PS – Për çudi, emri i saj, Evlojia, e ka kuptimin e fjalës: Bekim.
A mos vallë ka qenë një rastësi në ato kohë të vështira dhe aspak të lehta për ne fëmijët bonjakë, miturakë e pa familje, të kishim kaq pranë si një engjëll mbrojtës këtë grua me përmasa kaq madhështore në dhembje e dashurinë e pamatë që i mbartte brenda gjithë qenies së saj…!? Asgjë nuk është rastësi….
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co