VOLTIZA DURO/ Pak ditë më parë, Shqipëria ka çelur negociatat me Bashkimin Europian për grup-kapitullin e parë.
Kjo është cilësuar si një ditë historike e një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Arsejda Gjyli, pedagoge në universitetin “Luarasi” e njëkohësisht eksperte në Shkenca Politike dhe Studime Evropiane sjell një analizë të plotë mbi rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ajo thekson se një nga sfidat kryesore mbetet zbatimi i reformave të nevojshme për të përmbushur kriteret e Kopenhagen-it, të cilat përfshijnë stabilitetin institucional, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e pakicave kombëtare.
Më tej Gjyli shprehet se hapja e kapitujve negociues të Shqipërisë me Bashkimin Evropian është një mundësi transformuese për fushën e arsimit dhe ndërkombëtarizimit universitar e kjo do të jetë në funksion të universitetit “Luarasi” që ka fokus të veçantë në ndërkombëtarizmin universitar, duke u mbështetur ngushtësisht në strategjinë e ndërkombëtarizimit universitar e cila është adaptuar në sinkron të plotë me kriteret europiane të arsimit të lartë, parimet dhe konceptet më të rëndësishme në këtë qasje.
Cili është rrugëtimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe cilat janë momentet kyçe të arritjeve të këtij rrugëtimi në vite?
“Aspiratat e Shqipërisë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian kanë nisur që në fillim të viteve 90’, nga ku direkt pas regjimit komunist vendit i duhej një mbështetje për të dalë nga vështirësitë e mëdha ekonomike dhe izolimi i skajshëm ku ndodhej, përmes ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut”. Përpjekjet për të qenë pjesë e BE-së nuk kanë reshtur që nga viti 92’ – deri më sot, por duhet theksuar se arritja e parë më e rëndësishme në rrugën e integrimit të Shqipërisë, është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) e cila hyri në fuqi në Prill 2009.
Detyrimet që kanë një theks kryesor janë qeveritare dhe institucionale, ku mund të theksojmë: menaxhimi i strukturimit dhe reformimit administrativ; decentralizimi dhe politikat rajonalizuese të qeverisjes vendore dhe konsolidimi i demokracisë vendore; suksesi i reformave shtetërore dhe lufta ndaj korrupsionit përmes funksionimit të ligjit; mbrojtja e të drejtave të minoriteteve dhe target-grupeve dhe veçanërisht politikat e antidiskriminimit. Në vijim të plotësimit të pesë prioriteteve MSA-ja përcaktonte si kushtin më themelorë për integrimin, përafrimin e legjislacionit të brendshëm me atë të BE-së: proces ky që përfundoi në dy faza 5-vjeçare, brenda vitit 2019.
Një nga hapat historike më të rëndësishëm, që e pasuan këtëproces shumëvjeçar, është së pari, hapja formale e negociatave në korrik të vitit 2022. Si rrjedhojë e këtij hapi të rëndësishëm vendi ka realizuar takime bilateral me BE-në, duke kryer një proces intensiv të hartimit të kontributeve përgjatë vitit 2023, gjë e cila u finalizua me hapjen e grup-kapitujve negociues “Themelorët” në tetor 2024.
Si e dimensionon hapja e kapitujve të negocimit rrugëtimin e vendit në BE dhe pse është i rëndësishëm procesi i negociatave me BE?
Hapja e kapitujve të negociatave është një proces që përfshin vlerësimin e politikave dhe legjislacionit shqiptar në përputhje me Acquis Communautaire, që është legjislacioni dhe standardet e BE-së. Ky proces ndihmon në identifikimin e mungesave dhe sfidave që duhet të adresohen për të arritur standardet evropiane. Kapitujt e negociatave janë të ndara në disa kategori, duke përfshirë:
– Sundimi i ligjit: Ky kriter kërkon forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit;
– Tregu i brendshëm: Kjo nënkupton krijimin e një tregu të hapur dhe konkurrues, që do të nxisë zhvillimin ekonomik;
– Politika e jashtme dhe sigurimi: Integrimi në politikat e jashtme të BE-së dhe kontribuimi në misionet e sigurisë evropiane.
Hapja e kapitujve të negocimit, sjell një sërë sfidash, por, gjithashtu, hap mundësi të reja për Shqipërinë. Një nga sfidat kryesore mbetet zbatimi i reformave të nevojshme për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit, të cilat përfshijnë stabilitetin institucional, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e pakicave kombëtare.
Nga ana tjetër, ky proces ofron mundësi për përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Bashkëpunimi me institucionet evropiane gjithashtu do të ndihmojë në përmirësimin e kapaciteteve administrative dhe në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Për të arritur suksesin në këtë proces, është e domosdoshme që qytetarët shqiptarë të jenë të informuar dhe të angazhuar. Mbështetja e gjerë publike për reformat dhe për integrimin evropian është një faktor kyç që do të ndihmojë në përballimin e sfidave dhe në sigurimin e një rruge të qartë drejt BE-së.
Si do të angazhohen qytetarët në këtë proces?
Angazhimi i qytetarëve është shumë i rëndësishëm në procesin e negociatave me BE. Ata mund të përfshihen në këtë proces duke marrë pjesë aktivisht përmes takimeve dhe forumeve, për të diskutuar mbi rëndësinë e integrimit dhe për të artikuluar shqetësimet e tyre. Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, konsultimi publik i akteve ligjore dhe nënligjore, politikave e strategjive të reja të cilat do të hyjnë në fuqi dhe do të përafrohen me Acquis e BE-së, shihen si thelbësore në angazhimin e qytetarëve në këtë proces. Po ashtu, përdorimi i platformat digjitale për të informuar dhe përfshirë më shumë njerëz në procesin negociues do e lehtësonte edhe më shumë angazhimin e tyre. Qytetarët duhet të ndihen pjesë e këtij rrugëtimi dhe të dinë se zëri i tyre ka rëndësi.
Çfarë përfitimesh priten nga ky proces për Shqipërinë? Sa i rëndësishëm është roli i Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor gjatë këtij procesi?
Procesi i Negociatave me BE do të sjellë shumë përfitime për vendin tonë duke filluar nga forcimi i shtetit ligjor, ndërtimi i strukturave të reja mbështetëse sociale, një qeverisje më demokratike, institucione më efektive, ligje dhe politika të përafruara me vlerat dhe acquis të BE etj. Gjithashtu, hapja e Kapitujve të negocimit me BE, do të forcojë marrëdhëniet tona me vende të tjera dhe do të na ofrojë mundësi për të kontribuar në politikën evropiane, nga ku një Shqipëri më e fortë dhe më e zhvilluar do të ketë një ndikim pozitiv në të gjithë Ballkanin. Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në stabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor me fokus kryesor angazhimin për të promovuar paqen dhe bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit. Procesi i negocimit të Shqipërisë me Bashkimin Everopian do të përforcojë pozitat e vendit tonë si dhe do të inkurajojë fqinjët tanë që të ndjekin një rrugë të ngjashme. Bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm për të përballuar sfidat e përbashkëta, si migrimi dhe siguria.
Sa do të ndikojë hapja e kapitujve negociues në fushën e arsimit dhe nderkombëtarizimit universitar në Shqipëri?
Hapja e kapitujve negociues të Shqipërisë me Bashkimin Evropian është një mundësi transformuese për fushën e arsimit dhe ndërkombëtarizimit universitar. Duke adaptuar praktika më të mira ndërkombëtare dhe duke investuar në teknologji, kërkim shkencor dhe bashkëpunim ndërkombëtar, Shqipëria mund të krijojë një sistem arsimor që është në përputhje me standardet evropiane dhe që përgatit studentët për sfidat e një bote gjithnjë e më të globalizuar. Ky proces do të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie më të qëndrueshme dhe më të zhvilluar, duke rritur përfitimet për brezat e ardhshëm.
Hapja e kapitujve të negocimit, do të inkurajojë bashkëpunimin me Universitete dhe Institucione arsimore të tjera Evropiane. Kjo do të krijojë mundësi të reja për shkëmbime akademike, projekte kërkimore dhe partneritete strategjike. Universitetet shqiptare do të kenë mundësinë të angazhohen në projekte të përbashkëta, duke rritur kështu njohuritë dhe ekspertizën e stafit akademik.
Një ndikim i rëndësishëm është rritja e mundësive për studentët. Me hapjen e kapitujve të negocimit, studentët shqiptarë do të kenë mundësi më të mira për të studiuar jashtë vendit, duke përfituar nga programet e shkëmbimit si Erasmus+. Kjo do t’u mundësojë atyre të fitojnë përvojë ndërkombëtare dhe të zhvillojnë kompetenca që janë të kërkuara në tregun e punës.
Hapja e kapitujve negociues do të sjellë gjithashtu një rishikim të politikave arsimore. Shqipëria do të duhet të implementojë reforma që synojnë përmirësimin e qeverisjes në arsim dhe rritjen e transparencës. Këto reforma do të kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi arsimor më efikas dhe të përgjegjshëm.
Si e ka adaptuar universiteti “Luarasi” strategjinë e ndërkombëtarizimit universitar, referuar kritereve evropiane të arsimit të lartë?
Universiteti “Luarasi” ka fokus të veçantë në ndërkombëtarizmin Universitar, duke u mbështetur ngushtësisht në strategjinë e ndërkombëtarizimit universitar e cila është adaptuar në sinkron të plotë me kriteret evropiane të arsimit të lartë, parimet dhe konceptet më të rëndësishme në këtë qasje.
Theksi kryesor i Strategjisë së Ndërkombëtarizimit është nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të bashkëpunimit me universitete të huaja dhe ndërtimi i partneriteteve të qëndrueshme, me qëllim krijimin e mundësive të reja për bashkëpunime përmes Projekteve inovative, Programeve të shkëmbimit Erasmus+ me qëllim pjesëmarrjen e sa më shumë studentëve dhe pedagogëve në Universitete të huaja, si dhe bashkëpunimit në programe të binjakëzuara të studimit me universitete të huaja.
/Gazeta Panorama