Anësori i Mançester Sitit, Oskar Bob, do të jetë jashtë fushës deri në katër muaj. Këtë e ka zbuluar Pep Guardiola. Bob, i cili shkëlqeu gjatë turneut parasezonal të Sitit në Shtetet e Bashkuara dhe luajti pothuajse të gjithë ndeshjen në fitoren e ekipit të tij ndaj Mançester Junajtid në Superkupën e Anglisë fundjavën e kaluar, pësoi një frakturë në një kockë të këmbës gjatë stërvitjes të mërkurën dhe trajneri konfirmoi se 21-vjeçari do t’i nënshtrohet një operacioni.
“Ndodhi në seancën stërvitore. Mendoj se do të bëjë operacion këtë pasdite dhe shpresoj se ai do të jetë mirë dhe do të kthehet sa më shpejt që të jetë e mundur në tre, katër muaj”, zbuloi katalanasi. “Ne jemi shumë të trishtuar për të, por jo sepse ai bëri një para-sezon të mrekullueshëm, nuk ka rëndësi për këtë. Kur dëmtimi është afatgjatë, është problem. Ne mezi presim ta shohim përsëri sa më shpejt të jetë e mundur. I urojmë riaftësim të mirë dhe kjo është e gjitha”.
Tani kampionët po vlerësojnë opsionet e tyre në merkato, duke qenë se kanë shitur tek Atletiko e Madridit edhe Julian Alvarezin. Ata po shikojnë për të transferuar edhe për një sulmues dhe mesfushor në dy javët e fundit. Huazimi i Filipsit tek Ipsuiçi e rrit varësinë e skuadrës te Rodri, i cili do të mungojë në ndeshjen e së dielës kundër Çelsit.
Kur u pyet nëse Siti do të hyjë në treg për lojtarë të rinj, Guardiola tha: “Ndoshta ose ndoshta jo, do ta shohim. Jam shumë i kënaqur me skuadrën që kam, do të shohim. Mund të vazhdojmë deri në janar në këtë mënyrë ose ndoshta do të shtojmë disa lojtarë”. Foden, Stons dhe Uoker do të jenë gati për ndeshjen e parë të Premier Ligës, por Rodri jo. “Nuk ka asnjë shans. Nuk e kam parë akoma. Ai ndihet mirë. Por do të shohim kur të fillojë të lëvizë se si ndihet”.
I pyetur nëse Siti është gati për të fituar titullin e pestë radhazi, Pep si gjithnjë mundohet të largojë presionin nga ekipi i tij, duke thënë: “Ne e kemi prioritet pushimin e lojtarëve, absolutisht. Do të doja të jepja më shumë kohë. Ne kemi prioritet çlodhjen e tyre. Unë do të doja që t’u jepja lojtarëve më shumë kohë, por kërkoj më të mirën të dielën kundër Çelsit. Ne e dimë se duhet të marrim pikë sa më shpejt që të jetë e mundur. Të gjithë e dinë se nuk jemi në gjendjen më të mirë, por nuk ka rëndësi. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Unë nuk mendoj se ka shumë skuadra që janë perfekte tani. Sezoni është kaq i gjatë. Është e rëndësishme që lojtarët të jenë gati mendërisht dhe për këtë ata kanë nevojë për pushim”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co