Festa kombëtare e Greqisë u përkujtua sot në një ceremoni të veçantë në jug të Shqipërisë, ku morën pjesë dhjetëra qytetarë grekë dhe të afërm të të rënëve në luftën italo-greke.
Në ceremoninë e mbajtur në Këlcyrë dhe Bularat ishin të pranishëm edhe ambasadorja e Greqisë, Kostandina Kamici, eurodeputeti Fredi Beleri dhe Kreu i PBDNJ, njeheresh deputeti Vangjel Dule.
Në Bularat ata kryen homazhe në varrin e Kostandin Kacifas, duke përkujtuar incidentin e vitit 2018. Aktivitetet u zhvendosën më pas në memorialin e ushtarëve grekë në Bularat, ku morën pjesë autoritete greke dhe lokale.
Në prononcimin e tij, Beleri vlerësoi rëndësinë e ditës, duke theksuar angazhimin e tij për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit.
“Sot është një festë e madhe për kombin tonë, është dita që populli grek i tha jo fashizmit. Në histori jemi nga popujt e pakët që festojmë nisjen e një beteje dhe jo fitoren. Shumë herë në jetë njerëzve u vjen të thonë një po ose një jo të madhe. Ata që thonë jo historia i nderon dhe i respekton”, tha Beleri për gazetarët.
Pyetje: A do vazhdoni të kërkoni të drejtat e minoritetit në Parlamentin Europian?
“Sigurisht do bëj atë që kam bërë deri tani”, u përgjigj Beleri.
Ceremonia e përvitshme organizohet çdo 28 tetor për të përkujtuar ditën kur kryeministri I kohës Joanis Metaksas I tha “Jo” ultimatumit të Italisë për të hyrë pa rezistencë në tokën greke nëpërmjet kufirit shqiptar.
Kujtojmë se ish-kryetari i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili u lirua nga qelia në fillim të muajit shtator do të takohet në Tiranë me kryeministrin Edi Rama më datë 29 tetor, sipas raportimeve në mediat greke.
Delegacioni i BE, pjesë e të cilit do të jetë edhe Beleri, do të zhvillojë në Shqipëri një vizitë 3-ditore. Ky komision do të informohet gjithashtu nga ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, në lidhje me zhvillimet për negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Takimi me Kryeministrin Edi Rama i komisionit ku do të jetë dhe Beleri parashikohet që të zgjasë rreth 45 minuta. Pjesa e axhendës së takimeve janë edhe përfaqësues të partive të tjera si dhe një takim me kryeparlamentaren Elisa Spiropali.
Beleri u lirua pasi gjykata në Fier, ku ai po vuante dënimin me dy vjet burgim për blerje votash pranoi kërkesën e tij për lirim të parakohshëm.
Beleri, 51 vjeç, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023 në Himarë. Ai u akuzua dhe u dënua për ofrimin e 360 eurove për t’i blerë tetë vota.