Ceremonia e certifikimit të kursantëve në Policinë e Shtetit, ministri Balla: Uniforma, simbol i shtetit dhe qytetarëve tek ju. Mbroni qytetarët dhe…

ceremonia e certifikimit te kursanteve ne policine e shtetit ministri balla uniforma simbol i shtetit dhe qytetareve tek ju mbroni qytetaret dhe
ceremonia e certifikimit te kursanteve ne policine e shtetit ministri balla uniforma simbol i shtetit dhe qytetareve tek ju mbroni qytetaret dhe

Ministri i Brendshëm Tulant Balla ka marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të kursantëve që kanë përfunduar me sukses kursin e 18-të për “Patrullë e Përgjithshme”, ceremoninë e fillimit të studimeve të kursantëve të rinj në Kolegjin Profesional të Formimit Policor dhe të fillimit të kursit për “Specialist për Hetimin e Krimeve”, për studentët që kanë mbaruar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë.

Ai u shpreh se detyra e policimit është një përgjegjësi e lartë, ndërsa uniforma nuk përfaqëson vetëm policinë, por është simbol i shtetit dhe qytetarëve tek efektivët.

Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Taulant Balla:

E sotmja është një ditë e rëndësishme në përballjen tonë me sfidën e madhe për ta rinuar policinë e shtetit, por edhe një kapitull i ri në përpjekjet e Akademisë së Sigurisë për të shërbyer si gjenerator i vërtetë energjie për gjithë strukturën e Policisë së Shtetit.

E sotmja është një ditë e rëndësishme edhe për prindërit tuaj, të cilët kanë arsye të ndihen krenarë për shkollimin dhe profesionin e zgjedhur nga fëmijët e tyre.

Synimi ynë është ta vendosim Policinë e Shtetit në krye të institucioneve më të besueshme nga publiku!

Sondazhet e fundit na indikojnë një mbështetje prej 70% të qytetarëve për Policinë dhe operacionet e mëdha kombëtare të nisura muajt e fundit ‘Tempulli’ e ‘Sundimi i Ligjit’, ku synimi është rritja e sigurisë në shkolla, goditja e shpërndarësve të narkotikëve, armëmbajtjes pa leje e paligjshmërisë kudo gjendet.

Policimi është një profesion fisnik që kërkon integritet, guxim dhe ndjenjë të thellë të detyrës. Nëse brenda vetes i keni këto cilësi, vijoni me kurajë përpjekjen për t’u bërë punonjës të devotshëm të policisë.

Kemi nisur një proces të thellë të vetë-pastrimit të policisë, për të pasur si në drejtim edhe në rolin bazë, jo vetëm më profesionistët, por edhe ata me më integritet.

E vërteta është që përballë sfidave gjithnjë në zhvillim, roli i zbatuesve të ligjit bëhet gjithnjë e më kompleks. Nga kërcënimet kibernetike, lufta kundër narkotikëve, krimit të organizuar forca jonë policore duhet të përshtatet dhe të jetë inovatore për të mbrojtur e po aq, për t’i shërbyer publikut.

Reformimi dhe vetë-pastrimi i brendshëm, investimet në teknologji e infrastrukturë, angazhimi i Qeverisë për të mbështetur rritjen e pagave në mënyrë të ndjeshme këtë vit, janë hapa të rëndësishëm në synimin tonë për të patur një shërbim policor të duhur, për Shqipërinë kampion e Ballkanit në turizëm dhe jo vetëm në turizëm.

Paralelisht, do të vijojmë me zbatimin e programit për strehim për familjet e reja të policëve.

Të dashur anëtarë të rinj të organizatës së Policisë së Shtetit!

Duke filluar nga nesër, secilit prej Jush do t’i duhet të marrë vendime të vështira.

Do të duhet t’i merrni këto vendime sepse detyra e policimit është në radhë të parë përgjegjësi dhe në ushtrimin e kësaj përgjegjësie do të duhet të zbatoni ligjin, të hetoni dhe parandaloni krimin, të mbroni qytetarët dhe t’i çoni shkelësit e ligjit përpara drejtësisë.

Detyra që keni marrë përsipër do të jetë shpesh herë sfiduese, fizikisht dhe psikologjikisht. Ajo do t’Ju vërë përpara sprovave, dilemave dhe zgjedhjeve edhe komplekse, që prekin jetën e njerëzve.

Të vendosësh se çfarë duhet të bësh nuk është aspak e lehtë.

Por, mos harroni asnjëherë se uniforma që mbani veshur nuk përfaqëson thjesht organizatën e policisë; ajo është simbol i besimit që Shteti dhe publiku ka vendosur tek ju.

Misioni juaj fisnik i garantimit të sigurisë publike e gjen mbështetjen e tij në pranimin dhe bashkëpunimin e publikut dhe qytetarëve. Të sigurosh besimin e publikut do të thotë të punosh brenda kornizave të ligjit, të marrësh vendime të drejta dhe të paanshme dhe të mbash përgjegjësi për veprimet e kryera.

Uroj të udhëhiqeni përherë nga parimet e ligjshmërisë, integritetit dhe respektit për uniformën dhe qytetarët në detyrën tuaj, të ndërgjegjshëm mbi ndikimin dhe rëndësinë që veprimet tuaja do të kenë për jetën e atyre që u shërbeni, por edhe për imazhin e organizatës.

Nga nesër secili nga Ju, individualisht, përfaqëson Policinë e Shtetit me shembullin e modelit që do të dijë të përfaqësojë.

Si Ministër i Brëndshëm, nuk ka gjë që më bën më të lumtur se sa të shikoj juve, djem e vajza të reja, brezi më i ri i Policisë së Shtetit, që realizoni ëndrrën tuaj dhe filloni këtë rrugëtim brenda organizatës.

Është përgjegjësia jonë që kjo ëndërr të mos venitet dhe ju të mund të shprehni më së miri talentin dhe profesionalizmin tuaj, duke pasur mundësinë të bëni karrierë dhe të shihni të ardhmen tuaj brenda organizatës.

Mbështetja ime dhe e qeverisë nuk do t’ju mungojë asnjëherë në rrugëtimin tuaj të gjatë dhe të bukur.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →