Ndoshta kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë dyshime dhe kontestime për një listë të Kombëtares. Silvinjo i ka habitur të gjithë me emrat e thirrur për dy ndeshjet e shtatorit në Ligën e Kombeve kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Një habi që më së shumti shkon në sensin negativ, sepse të shumtë janë ata që nuk gjejnë shpjegim për disa zgjedhje të brazilianit. Madje ironikisht rrjetet sociale janë mbushur me qëndrime, nëse lista e shpallur nga FSHF-ja është bërë nga vetë trajneri i kuqezinjve, apo dikush tjetër. Çfarë nuk shkon në këtë listë? Shumë gjëra duken vërtet pa sens në lidhje me vendimet e atij që na çoi për herë të dytë në Europian, si të parët në grup.
ÇËSHTJET PERSONALE – Në listë mungonin sërish emrat e Myrto Uzunit dhe Keidi Bares, duke vërtetuar se lënia e tyre jashtë Europianit të Gjermanisë është vetëm një çështje personale. E trajnerit, ose e institucionit, ku ai është punësuar. Vendim aspak profesional që dy lojtarë që luajnë në nivele të larta, siç është futbolli spanjoll, të vazhdojnë të injorohen.
Po luajnë, janë në formë të mirë fizike dhe janë ende të rinj në moshë: asnjë arsye për t’i lënë jashtë përveç asaj të një inati personal. Kur shpalli listën e Europianit Silvinjo u shpreh se preferoi grintën e Abrashit në një kompeticion madhor para Bares… Po tani, në Ligën e Kombeve, për çfarë duhet një 34-vjeçar që luan në Zvicër, para një 27-vjeçari që luan në Spanjë?!
Uzuni sërish jashtë, ndërkohë që Cikalleshi është tërhequr, Broja është i dëmtuar dhe Daku është i skualifikuar për një ndeshje. Është e pashpjegueshme teknikisht, taktikisht dhe moralisht që në sulm të mos merret Uzuni, por një lojtar që sezonin e fundit luajti me një ekip të Superiores që ra nga kategoria.
Uzuni dhe Bare ishin dy çështje të njohura në fakt në Kombëtare, pritej deri diku vazhdimi, ndërsa zhgënjimi më i madh është se mund të kemi edhe një çështje të tretë: Ernest Muçi. Sepse nuk ka asnjë logjikë sportive që të kuptojë se si nuk thirret një lojtar i Beshiktashit, për të cilin klube të Premier Ligës janë gati të paguajnë shumë të konsiderueshme! Shqipëria nuk e ka kurrë luksin që për inate personale të lërë jashtë tre lojtarë me potencial të madh si Uzuni, Bare e Muçi.
PA MERITOKRACI – Prania e disa emrave nga kampionati shqiptar në listën e Silvinjos ka bërë shumë njerëz të hapin sytë. Jo se është çudi që ai të marrë lojtarë nga kampionati ynë, përkundrazi, ka bërë shumë mirë. Por nuk mund ta marrë “çfarë t’i kapë dora”, sepse zgjedhjet bëhen në bazë të disa kritereve, në bazë të meritokracisë sportive.
Mesazhi që përcillte lista e Silvinjos për lojtarët e kampionatit shqiptar, por edhe të tjerë që luajnë jashtë edhe janë në pritje të një ftese kuqezi, ishte krejtësisht demoralizues. Përveç atyre që e panë emrin në atë listë. Për shembull Hadroj (asgjë personale me të), mbrojtës i djathtë, nuk ka bërë kurrë një sezon më të mirë sesa Fangaj dhe për momentin nuk e ka formën e këtij të fundit. Pse thirret lojtari i Partizanit dhe jo ai i Egnatias, ekipit kampion në fuqi?!
Edhe thirrja e Zekës dhe Spahiut ngre të njëjtat pikëpyetje. Pse nuk thirret, për shembull, Nazmi Gripshi, protagonist absolut me Ballkanin dhe së fundi titullar me Astanën, që ka shkuar në grupet e Ligës së Konferencës? Pse nuk thirret Indrit Tuci, i cili ka shënuar me Spartën e Pragës dhe po ashtu ka shkuar në njëjtin kompeticion si Grpishi? Askush nuk e di çfarë ka pasur në kokë Silvinjo, por këtë herë lista e tij është “e palexueshme”.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co