Ukraina po përgatitet të përballet me planet ruse për të shkatërruar sektorin energjetik këtë dimër, tha sot kryeministri ukrainas, Denys Chmygal, ndërsa Moska vazhdon të synojë rrjetin elektrik të vendit.
Infrastruktura energjetike e Ukrainës është dëmtuar rëndë nga bombardimet ruse, të cilat rregullisht shkaktojnë ndërprerje të energjisë elektrike dhe ngjallin frikën e një dimri të vështirë për ukrainasit, pas më shumë se dy vjet e gjysmë pushtimi nga forcat ruse.
”Rusët kanë planet e tyre terroriste për të shkatërruar infrastrukturën tonë energjetike”, tha Denys Chmygal në një konferencë shtypi në Kiev.
”Ne po përgatitemi për të dhe dimë si ta kalojmë këtë dimër”, siguroi ai, duke besuar se ”mbrojtja e sektorit të energjisë ishte një prioritet i qeverisë”.
Sipas kryeministrit, “85% e instalimeve thelbësore (elektrike) që kërkojnë mbrojtje janë tashmë të mbrojtura”, nga dy nivele mbrojtjeje të përbërë nga të ashtuquajturat “çanta rëre” dhe “struktura të betonit të armuar” që mund t’i rezistojnë goditjeve me dron.
Kryeministri shpjegoi gjithashtu se ”më shumë se 80% e shkollave dhe 100% e spitaleve janë të pajisura me gjeneratorë”.
Megjithatë, ai tha se ”Ukrainës i duhen urgjentisht 1 800 gjeneratorë shtesë me kapacitet të lartë”.
Në qershor, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vlerësoi se gjysma e kapacitetit energjetik të Ukrainës ishte shkatërruar pas një fushate të sulmeve ruse.
Kievi vazhdimisht u ka bërë thirrje aleatëve të tij perëndimorë që ta ndihmojnë atë të rindërtojë rrjetin e tij elektrik, një projekt që kërkon investime të konsiderueshme dhe t’i sigurojë atij më shumë pajisje të mbrojtjes ajrore për të përballuar sulmet e ushtrisë ruse.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co