Danimarka ka hapësirë për të akomoduar të paktën 3,6 milionë njerëz në bunkerë nëntokësorë nëse ndonjëherë i duhet të strehojë njerëzit në rast lufte ose fatkeqësie.
Sipas të përditshmes daneze ”Jyllands-Posten”, strehimoret dhe bunkerët nëntokësorë do të sigurojnë rreth 61 për qind të popullsisë daneze, duke shtuar se autoritetet kanë zgjeruar hapësirën për strehimoret për dy vitet e fundit.
Rishikimi i bunkerëve nëntokësorë, duke përfshirë strehimoret publike dhe shtojcat në shtëpi si dhoma shtesë nën garazhe, nisi në vitin 2022 në dritën e luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë.
Sipas rishikimit, disa dhoma të sigurta po përdoren për qëllime të tjera në kohë paqeje dhe do të duhet të përgatiten për përdorim urgjent në kohë krize të mundshme.
Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës tha se vlerësimi aktual i sigurisë ushtarake nuk tregon se ekziston një kërcënim ushtarak kundër vendit.
“Meqenëse strehimoret parashikohen të përdoren nga qytetarët në lidhje me aktet e luftës në Danimarkë, nuk ka nevojë akute për përgatitjen e strehimoreve dhe dhomave të sigurta”, tha ministria daneze.
Megjithatë, ajo paralajmëroi qytetarët e saj se nëse një emetim bërthamor përhapet në Danimarkë nga Ukraina e goditur nga lufta, njerëzit duhet të mbyllen brenda për të shmangur rrezikun e rrezatimit.
“Në një situatë me emetime bërthamore, strehimoret nuk do të ofrojnë mbrojtje shtesë”, theksohet në njoftim.
Ministria daneze po ashtu informoi se komunat daneze janë përgjegjëse për strehimoret publike, ndërsa përgjegjësia për dhomat e sigurta është e pronarit të ndërtesës nën mbikëqyrjen e komunave në lidhje me përgatitjen e dhomave të sigurta për përdorim.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co