Debatet për drejtuesit në qarqe/ Analiza e Genc Burimit: Ai “Murrizi” grindavec i deklaruar i PD-së apo ai i padeklaruari i PS-së, ta “mobilizojnë trurin” për…

debatet per drejtuesit ne qarqe analiza e genc burimit ai murrizi grindavec i deklaruar i pd se apo ai i padeklaruari i ps se ta mobilizojne trurin per
debatet per drejtuesit ne qarqe analiza e genc burimit ai murrizi grindavec i deklaruar i pd se apo ai i padeklaruari i ps se ta mobilizojne trurin per

Analisti Genc Burimi ka bërë një analizë për debatet që kanë “lindur” për drejtuesit e PS dhe PD në qarqe.

Burimi bën një paralelizëm me atë që ndodh në Francë, duke thënë se në shtetin francez, mediat pak rëndësi i japin se kë zgjedh kryetari i partisë në një zonë, por prioritet i jepet programit. Sipas tij, qytetarët janë të prirur të votojnë programin e partisë.

Prandaj, Burimi thotë se Murrizi, në vend të qajë se u spostua pa të drejtë në hierarkinë partiake, ta “mobilizojnë trurin” se çfarë alternative mund t’i sugjerojë partisë ku aderon që populli të përfitojë nga një jetë më e mirë sociale, ekonomike, arsimore dhe shëndetësore, pa harruar një drejtësi më të mirë.

Shkrimi i analistit Genc Burimi:

Të jesh demokrat për vendin, nuk do të thotë të jesh i tillë dhe brenda partive më të mëdha të vendit. Vetëm në Shqipëri dhe në “debatin publik” në Afrikë konstatoj këtë interes të jashtëzakonshëm të mediave për të gjykuar sesa “demokratë” janë liderët brenda partive të tyre, duke harruar kryesoren, sesa “demokratë” janë liderët ndaj vendit të tyre.

Shembulli francez
U habita jo pak nga debati i zjarrtë mbi drejtuesit e qarqeve që caktoi Berisha në PD. Kërkoja më kot shembuj nëse mediat kryesore franceze shumë të angazhuara në fushata elektorale këto muaj i kishin kushtuar qoftë 10 sekonda nëpër Tv apo disa rreshta në gazeta emërimeve të drejtuesve të qarqeve nga partitë e mëdha franceze. Kush nga mediat pariziane u interesua për këtë apo ato drejtues qarku në Bordo, apo Marsejë, në Lion apo Nisë. Asnjëra. Këto janë sallatat e brendshme të partive dhe të kryetarëve të tyre. Me një mungesë të paimagjinueshme demokracie të brendshme, partia e Le Penit nga babë e bijë, është bërë sot partia më e madhe në Francë dhe më e përfaqësuara në parlament.

Opinioni publik perëndimor nuk gjykon statuset e brendshme të partive që as nuk i interson t’i njohë dhe aq më pak deformimet e këtyre statuseve nga liderit e partive. Opinioni publik gjykon programet e partive. Por ja që klasa mediatike në Shqipëri kujton naivisht se shkalla e demokracisë brenda një partie është themelore për taksapaguesit. Me naivitet, ose me prapavijë për të përqeshur opozitën, mediat nuk hezituan ta ngrinin ne piédestal “revoltën” e Murrizit kundër Berishës i cili sipas Murrizit pa pyetur instancat e partisë vuri kë deshi në krye të qarqeve në rrethe dhe në Tiranë.

Pyes, pa e fshehur ironinë: A do të provokojnë të njëjtin debat këto media për emërimet personale të Edi Ramës në Asamblenë e fundit të PS-së? A do të çojnë këto media reporterët e tyre në çdo qelizë të PS-së në kërkim të dëshpëruar të një Murrizi socialist që nuk është dakord me listën e kryetarëve të rinj të qarqeve të PS-së të vulosur nga Rama? Sigurisht që s’do të ketë më të voglin debat as brenda dhe as jashtë PS-së mbi këto emërime të Kryetarit. Dhe me të drejtë, sepse kjo s’ka pikë vlere për opinionin publik.

Moskontestimi i zgjedhjeve dhe programet si sfidat e vërteta
Në muajt që na presin, ne përfaqësuesit e mediave duhet të kemi dy udhërrëfyes për zgjedhjet:

– A do të jetë e aftë drejtësia dhe komuniteti ndërkombëtar t’i evitojnë kësaj here Shqipërisë spektaklin e trishtë dhe të ripërsëritshëm të zgjedhjeve të kontestuara?

A do të ketë kurajon drejtësia t’ja tregojë dhëmbët edhe përfaqësuesve të mazhorancës për çdo krim elektoral siç ja tregoi me zell opozitës?

Dy vjet burg për Belerin. Ai dënim sado i drejtë apo i padrejtë të jetë komentuar, ishte mbi të gjitha special, kur dihet se nuk është opozita që organizon zgjedhjet, dhe se dënime të tilla nuk i has në Perëndim.

Shuplaka shembullore që drejtësia i dha opozitës në fushën e krimit elektoral qe mbi të gjitha “e papritur” dhe për faktin se raportet ndërkombëtare mbi zgjedhjet në Shqipëri shënjestrojnë thuajse ekskluzivisht mazhorancat për abuzim me burimet shtetërore dhe jo opozitën që afërmendsh nuk i disponon këto resurse.

Ndaj aksioni i drejtësisë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve do të kishte shumë më tepër efekt sikur të shoqërohej me dënime po aq shembullore edhe në krahun e atyre që organizojnë zgjedhjet. Por çelësi i mos-kontesimit të zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri nuk gjendet vetëm në duart e drejtësisë. Komuniteti ndërkombëtar po ashtu, do të kishte shumë më tepër impakt në respektimin e zgjedhjeve në Shqipëri sikur mos të nxitohej t’i njihte rezultatet e zgjedhjeve perpara përfundimit të proçedurave ankimore nga ata që kontestojnë zgjedhjet, ashtu siç ndodh kudo në Perëndim.

Eshtë frustrimi që krijon organizimi i zgjedhjeve në Shqipëri që po i bën dëm demokracisë shqiptare, dhe jo frustrimi se kush nuk u emërua kryetar partiak qarku aty këtu nga ky apo ai kryetar partis…

-Udhërrëfyesi i dytë për mediat në këto zgjedhje të reja në Shqipëri duhet të jenë programet e partive.

Populli nuk voton sipas emrit të kryetarit të një qarku partiak por sipas programit që ai mendon se do t’ja ndryshojë jetën njerëzve për më mirë. Ndaj ai “Murrizi” grindavec i deklaruar i PD-së apo ai i padeklaruari i PS-së, në vend të qajnë se u spostuan pa të drejtë në hierarkinë partiake, ta “mobilizojnë trurin” se çfarë alternative mund t’i sugjerojnë partisë ku aderojnë që populli të përfitojë nga një jetë më e mirë sociale, ekonomike, arsimore dhe shëndetësore, pa harruar një drejtësi më të mirë.

Konkluzion: Rama propozoi diçka, por çfarë fsheh mbrapa
Në Shqipëri, shumë kundërshtojnë, pak propozojnë. Ndaj nga fjalimi i fundit të Edi Ramës në Asamblenë e PS-së dua që të mbaj mend, më shumë se emrat e kryetarëve të qarqeve të PS-së, propozimin e Kryeministrit i cili do të nisë, më në fund, pas tre mandatesh, luftën kundra evazionit fiskal të punëdhënësve që deklarojnë përgjysëm rrogat e punonjësve të tyre. Ja një masë që ia vlen ta komentosh, dhe që mediat duhet t’i shkojnë në themel ashtu si çdo propozimi tjetër që do të bëhet në këtë fushatë elektorale.

Të luftosh evazionin fiskal në mënyrë që pensionistët të kenë më shumë pension dhe shërbime shëndetësore pse jo. Por kjo ofensivë e papritur e Kryeministrit për ta nxjerrë paranë publike aty ku fshihet mos të jetë preteksti i një masë selektive për të kërcënuar dhe lutftuar vetëm bizneset që nuk do të pranojnë të bëjnë lojën e partisë në fuqi gjatë periudhës elektorale.

Gjithçka rrotullohet tek sinqeriteti i zgjedhjeve. Ky është problemi i Shqipërisë që asnjë vend tjetër përveç Serbisë në rajon dhe më gjerë s’e ka. Në këto kushte, të qash hallin e “Murrizëve” në PD apo PS, është të merresh me “Kurrizot” e politikës që të bëjnë të humbasësh kohën me xhungat kur vendi ka Himalajet për të kapërcyer.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →