“Deficiti tregtar shënon rekord historik ndërsa leku vijon të forcohet!”- BIRN: Eksportet e mallrave ranë me 14% këtë vit! Ja efekti i kursit të këmbimit valutor

deficiti tregtar shenon rekord historik ndersa leku vijon te forcohet birn eksportet e mallrave rane me 14 kete vit ja efekti i kursit te kembimit valutor








































Deficiti në tregtinë e mallrave për Shqipërinë arriti në 469 miliardë lekë ose 4.7 miliardë euro për periudhën njëmbëdhjetëmujore janar-nëntor 2024, me një rritje prej 72 miliardë lekësh në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Anije-konteniere-te-ankoruara-ne-portin-e-Durresit.-Foto_Nensi-Bogdani-1140x760

Pavarësisht se viti 2024 nuk është mbyllur ende, shifra e njëmbëdhjetëmujorit mjafton për të thënë se ky do të jetë viti me një rekord absolut në deficitin tregtar, duke kapërcyer me një masë jo të vogël edhe deficitin prej 464 miliardë lekëve të shënuar në vitin 2022, kur fillimi i luftës në Ukrainë dhe pasojat COVID-19 në zinxhirin botëror të furnizimit të mallrave sollën çmime stratosferike në të gjitha mallrat kryesorë si naftë apo drithëra.

Të dhënat e publikuara të martën nga Instituti i Statistikave tregojnë se eksportet e mallrave ranë këtë vit me 14% ndërsa importet u rritën me 2%. Rënia e eksporteve u shkaktua kryesisht nga grupmallrat “Materiale ndërtimi dhe metale” si dhe “Tekstile dhe këpucë”. Eksportet e grupit “Ushqime, pije dhe duhan” njohën rritje.

Në total, Shqipëria eksportoi mallra me vlerë tregtare 347 miliardë lekë ndërsa importoi mallra me vlerë 816 miliardë lekë. Krahasimi i shifrave në lekë bart edhe efektin e kursit të këmbimit. Euro ka kushtuar mesatarisht 110 lekë gjatë vitit 2023 ndërsa këtë vit ka kushtuar 101 lekë me tendencë forcimi. Forcimi i lekut me afro 8% i bën si eksportet ashtu edhe importet e këtij viti të duken më të ulëta në krahasim me vitin e kaluar. Duke marrë parasysh këtë efekt, rënia e eksporteve këtë vit nuk është aq e lartë se sa duket ndërsa importet duhet të kenë shënuar rritje më të fortë se sa shifra prej 2% që del pa marrë parasysh efektin e kursit.

Kjo nuk e zhbën faktin që, ndërsa në teori, leku i fortë do të sillte rritje të importeve dhe rënie të eksporteve dhe për rrjedhojë, tendencë dobësuese në tregun e këmbimit valutor, e kundërta po ndodh. Që prej viti 2017, leku ka njohur forcim të vazhdueshëm ndërsa në qershor të këtij viti, Banka e Shqipërisë pranoi publikisht se ka ndërhyrë për të shmangur forcimin e mëtejshëm të lekut. Statistikat për përmasat e ndërhyrjes nuk janë publikuar ende nga Banka e Shqipërisë.

Qeveria thotë se forcimi i lekut ka ardhur falë suksesit ekonomik ndërsa dyshimet nga opozita dhe ekspertët janë që vendi, gjatë viteve të fundit, është kthyer de facto në një parajsë për parkimin e parave të krimit të organizuar, gjë që ka derdhur një sasi të stërmadhe valute jashtë kanaleve të tregtisë së jashtme, shkëmbimit të shërbimeve apo huave./BIRN

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →