Demokratët përjashtojnë mundësinë e zëvendësimit të Presidentit Biden

demokratet perjashtojne mundesine e zevendesimit te presidentit biden
demokratet perjashtojne mundesine e zevendesimit te presidentit biden

Udhëheqës të lartë demokratë përjashtuan të dielën mundësinë e zëvendësimit të Presidentit Joe Biden në garën për Shtëpinë e Bardhë, pas një paraqitjeje të dobët në debat, ndërsa u bënë thirrje anëtarëve demokratë që të përqendrohen në pasojat që do të kishte fitorja e presidencës nga republikani Donald Trump.

Pas shkëmbimit të akuzave disa ditore lidhur me paraqitjen e zotit Biden dhe rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit, udhëheqësit demokratë kundërshtuan me vendosmëri thirrjet që partia e tyre të përzgjidhte një kandidat më të ri për të konkurruar në garën presidenciale.

Presidenti 81-vjeçar, Joe Biden, e kaloi të dielën në vendpushimin presidencial “Camp David” me pjesëtarë të familjes, ku e ardhmja e tij politike mund të ketë qënë një nga temat e bisedimeve.

Ndërsa vazhdojnë thirrjet që zoti Biden të tërhiqet nga gara, një anketë pas debatit, nga rrjeti televiziv CBS, tregon një rritje nga 36% në muajin shkurt në 46% tani të demokratëve që besojnë se zoti Biden nuk duhet të kandidoj për president.

“Fatkeqësisht, e vërteta është se Biden duhet të tërhiqet nga gara, për të mirën e vendit, të cilit i ka shërbyer në mënyrë kaq të admirueshme për gjysmë shekulli”, shkruante të dielën në editorialin e saj gazeta “Atlanta Journal-Constitution”, duke theksuar si të nevojshme daljen e tij në pension.

“Absolutisht jo”, tha Senatori Raphael Warnok i Xhorxhias, i cili shihet si një nga demokratët e mundshëm për të zëvendësuar zotin Biden.

“Debate të dobëta ndodhin”, tha ai në emisionin televiziv “Meet the Press” të rrjetit NBC. “Pyetja qëndron se kur ka punuar Donald Trump-i për të tjerët, përveç vetes dhe njerëzve si ai? Unë jam me Joe Biden-in dhe është detyra jonë të sigurohemi që ai të fitojë në nëntor”.

Udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, i cili mund të bëhet kryetar vitin e ardhshëm nëse partia e tij siguron shumicën në nëntor, e pranoi paraqitjen e dobët të Presidentit Biden në debatin e parë me kandidatin republikan Donald Trump.

“Besoj se një pengesë nuk është asgjë më shumë se një shtysë për një rikthim të fuqishëm”, tha ai për rrjetin MSNBC. “Pra, momenti në të cilin jemi tani është një moment rikthimi dhe do të kërkojë mbështetjen tonë, të artikulojmë një mesazh largpamës se pse platforma demokrate është e pajisur më së miri për t’i trajtuar sfidat me të cilat përballet populli amerikan”.

Një tjetër figurë e lartë demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, James Clyburn, pajtohet. “Ai duhet të qëndrojë në këtë garë dhe duhet ta demonstrojë këtë përmes aftësive të tij për ta udhëhequr vendin”, tha ai për rrjetin CNN.

Republikanët i kritikuan ashpër pretendimet e demokratëve se paraqitja e dobët është diçka që ndodh.

“Ideja se Biden-i kishte një natë të keqe, nuk përbën thelbin. Ai ka patur një presidencë problematike dhe një debat katastrofik”, tha për rrjetin CNN Senatori Lindsey Graham, republikan nga Karolina e Jugut.

Por gjatë debatit presidencial, kandidati Trump lëshoi një breshëri kritikash, shumë prej të cilave, të pavërteta të përsëritura prej shumë kohësh, mes tyre pretendimet për një valë krimesh nga emigrantët, se demokratët mbështesin vrasjen e bebeve të sapolindura dhe se ai në fakt i fitoi zgjedhjet e vitit 2020. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →