Dënim i ulët e manipulim nga ana e Serbisë, po shihet gjykimi e dënimi i grupit të njohur Çakallët, nga autoritet serbe për krime lufte në Kosovë.
Masakrës së Qyshkut të Pejës pas pak ditësh i shënohet 25 vjetori.
Ardian Kelmendi, ishte 17 vjeçar në mes të majit të vitit 1999, kur dëshmoi vrasjen e familjarëve të tij.
Vështirë përmban emocionet tek kujton atë të premte, kur edhe vet ishte në rresht për pushkatim.
“Familjes Kelmendi, familjes teme janë shtatë, baba dy axhallarët, djali axhës 19-vjeçar, janë edhe tre djemtë e axhës babës, edhe të gjithë këta të tjerët të fshatit siç po shihet Gashët, Lush shumë…Bash këtu ku jemi tash, bash këtu prej fshatit lartë kanë nis tu na mbledh policia dhe ushtria e Serbisë, na jemi me lagje këtu dhe jemi ardh këtu, edhe bash këtu ku jam na kanë rreshtuar, këtu ja kanë nis me na nda gratë edhe burrat edhe këtu ka ndodh ajo që u bë krimi këtu ka ndodhë”, tha Ardian Kelmendi, dëshmitar i masakrës në Qyshk.
Kelmendi ishte në mesin e shqiptarëve që dëshmuan për vrasjen e civilëve nga grupi i njohur si Çakallët.
“Po unë kam qenë me disa të mbijetuar të masakrës…një ndër ta kam qenë edhe unë, kam dëshmuar në Serbi…Do i kemi njoftë e i kemi identifikuar se atje d.m.th në Gjykatë na është mundësuar me i pa mbas xhamave, disa i kemi identifikuar, pastaj kemi pasur edhe aty brenda, sallës që është mbajtur gjyqi kemi pasur edhe aty ulur përpara, bukur do i kemi identifikuar”, tha Kastrati.
Ai thotë se dënimi i një dite më parë, i shqiptuar nga Gjykata në Serbi është i padrejtë, meqë është i dënim i ulët krahasuar me krimet që kanë kryer.
“Ne si familje edhe si fshat duke e pa krimin që e ka bërë Serbia, shihet dëshmi e gjallë nuk jemi të kënaqur aspak me atë dënim të tyre që e kanë marrë, por mbi të gjitha është e vështirë ndoshta edhe me thënë, por pak duhet me kanë edhe ne më realista, një dritë në fund të tunelit, po shihet”, tha Kastrati.
Procesin gjyqësor të më shumë se një dekade e përcjelli edhe Veton Mujaj nga organizata joqeveritare “Syri Vision”.
Ai thotë se vendimi i Gjykatës serbe, është vetëm një mbulim për shtetin serb, i cili në vazhdimësi mohon krimet që ka kryer në Kosovë gjatë luftës.
“Është një farsë e përgjithshme edhe njëherë e gjyqësorit i cili është i kontrolluar sigurisht prej Vuçiqit atje edhe bënë kësi lojëra, edhe praktikisht kemi të bëjmë me një gjykim ku ka filluar me 2010 ka pasur një vendim, 2014, kur janë dënuar me 106 vjet tash ai gjykim, u shndërruan në një 56 vjet dënim, për fillimisht që ishin 11 të akuzuar nga të cilën 7 u dënuan, e që shumica prej tyre nga dy vjet dhe në një far formë i bie që dje u liruan ata”, tha Veton Mujaj nga organizata “Syri Vision”.
Një ditë më parë, Gjykata e Lartë në Beograd, dënoi me 20 vjet burgim ish-anëtarët e Ushtrisë Jugosllave, Toplica Milladinoviq, derisa Predrag Vukoviq u dënua me 13 vjet burgim, Abullah Sokiq me 12, Sinisha Mishiq me pesë, ndërkaq Lazar Pavlloviq, Sllavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq u dënuan me nga dy vjet burgim secili.
Ky grup që ishin të njohur si “Çakallët”, morën pjesë në masakrat kundër shqiptarëve të Kosovës në fshatrat Zahaq, Lubeniq, Qyshk dhe Pavlan gjatë prillit dhe majit të vitit 1999./RTV Dukagjini/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co