Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka i dënuar me 39 vite e 6 muaj burgim të akuzuarit Shukri Rexhepi dhe Rexhep Rexhepi, të cilët në bashkëkryerje ngarkoheshin për vrasjen e rëndë të B.M., në vitin 2022 në fshatin Baks të Skenderajt, kurse Fiton Musliu për vrasje të mbetur në tentativë.
Aktgjykimi dënues ndaj tre të akuzuarve është shpallur të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Mentor Hajraj.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Shukri Rexhepi për veprën penale “Vrasje e rëndë”, iu shqiptua dënim në kohëzgjatje prej 22 vite burgim, kurse për armëmbajtje pa leje, u dënua me 1 vit e gjashtë muaj burgim.
Ndaj, Shukri Rexhepit, gjykata shpalli dënim unik prej 23 vjet burgim, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmërie e aktgjykimit.
Në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 27 korrik 2022, e deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Kurse, të akuzuarit Rexhep Rexhepi gjykata ia ka rikualifikuar veprën penale nga “Vrasje e rëndë e mbetur në tentative” në veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë” për të cilën vepër penale u dënua me 13 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje u lirua nga aktakuza në mungesë të provave.
Në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 23 korrik 2022, e deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar, raportojnë mediet e Kosovës.
Të akuzuarve Shukri dhe Rexhep Rexhepi, gjykata ia vazhdojë masën e paraburgimit derisa aktgjykimi dënues i shpallur të bëhet i formës së prerë. Ndërsa, të akuzuarit Fiton Musliu për veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, u dënua me 3 vjet burgim, kurse për veprën penale “Armëmbajtje pa leje” u dënua 1 vit burgim.
Ndaj Musliut, gjykata shpalli dënim unik prej 3 vjet e 6 muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, raporton betimiperdrejtesi. Të akuzuarit obligohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës gjyqësore, secili veç e veç, shumën prej 300 euro.
Në shpallje të aktgjykimit thuhet se janë konfiskuar armët, me të cilat janë kryer veprat penale dhe të njëjtat është urdhëruar që të shkatërrohen. Gjykata palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore- juridike i udhëzoi në kontest civil.
Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Agim Musliu, ndaj të cilit ishte veçuar procedura pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje. Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 qershor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Rexhepit, Rexhep Rexhepit, Fiton Musliut dhe Agim Musliut.
Shukri dhe Rexhep Rexhepi akuzohen se më 23 korrik 2022, në fshatin Baks, Komuna Skenderaj, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën B.M, si dhe kanë plagosur të dëmtuarin Labinot Ademi. Rasti thuhet se ka ndodhur pas një fjalosjeje. Kurse, Fiton Musliu akuzohet se me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes mirëpo që e njëjta ka mbetur në tentativë, pasi i njëjti ka shkrepur me pushkë të gjuetisë me qëllim që ta privojë nga jeta Shukri Rexhepin. Kurse, Agim Musliu thuhet se ka mbajtur në posedim armë të zjarrit- pushkë e gjuetisë në kundërshtim me Ligjin për Armë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co