Gjykata e Beogradit dënoi sot me 14.5 vjet burg babain dhe tre vjet nënën e një adoleshenti që vrau nëntë nxënës dhe rojen e sigurisë në një shkollë fillore në vitin 2023.
Autori i vrasjes, një djalë 14 vjeç në atë kohë, hyri në shkollën e tij më 3 maj 2023 i armatosur me një pistoletë që ia kishte marrë babait të tij përpara se të vriste 10 persona.
Mosha e tij në kohën e ngjarjeve e bën atë të papërgjegjshëm penalisht sipas ligjit serb. Për pasojë në gjykatë dëshmuan prindërit e tij.
“I pandehuri (babai i autorit) Vladimir Ketsmanovich dënohet me 14 vjet e gjashtë muaj burg për kryerjen e këtyre veprave penale: dëmtim i rëndë i sigurisë publike dhe neglizhencë dhe keqtrajtim të të miturit. E akuzuara (nëna) Miliana Kecsmanoviq dënohet me tre vjet burg për pakujdesi dhe keqtrajtim ndaj të miturit”, njoftoi gjykata.
Vendimi i shkallës së parë u bë publik edhe pse gjykimi i cili zgjati 11 muaj u mbajt me dyer të mbyllura me urdhër të gjykatës.
Prokurori i kishte kërkuar gjykatës vendosjen e masës maksimale të dënimit me ligj për babain. Ai kishte kërkuar 12 vjet burg për Vladimir Ketsmanoviç për “vepër të rëndë penale kundër sigurisë publike” dhe tre vjet për veprën “neglizhim dhe keqtrajtim të të miturit”.
Tragjedia në Beograd shkaktoi asokohe protesta antiqeveritare me dhjetëra mijëra njerëz që dolën në rrugë duke kërkuar shkarkimin e zyrtarëve për t’i dhënë fund glorifikimit të dhunës dhe kulturës mafioze në rrjete sociale.