Nga Ilda Hoxha/ Buxheti i vogël, korrupsioni dhe keqmenaxhimi i shtyjnë pacientët që vuajnë nga kanceri të bëjnë zgjedhje të vështira në Spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë.
E.B. me profesion mjeke, prej dy vitesh përplaset në dyert e spitalit onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë (QSUNT) së bashku me vjehrrin e saj 70 vjeç, i cili është diagnostikuar me kancer.
Edhe pse shërbimi shëndetësor ligjërisht është falas në Shqipëri për pensionistët, ajo thekson se janë të detyruar që t’i blejnë me para nga xhepi një barnat për për trajtimin e prostatës, duke paguar 300 euro për një injeksion çdo 3 muaj.
“Nuk e japin për persona mbi 70 vjeç, kemi urdhër nga Ministria thonë, por unë urdhrin nuk e pashë asnjëherë të shkruar,” shprehet ajo.
Kolegët e Onkologjikut i kanë ofruar si “zgjidhje” vjehrrit të saj kastrimin. Edhe pse kastrimi është një nga metodat e trajtimit të kancerit të prostatës, ajo insistoi se zgjidhja nuk i është dukur ‘aspak njerëzore’ duke marrë parasysh se mund të trajtohet dhe me medikamentin Goserelin.
“Nuk është normale që t’i thuash një burri 70 vjeç ‘shko kastrohu’,” tha ajo. “Kjo është skandaloze,” shtoi E.B., ndërsa theksoi se mjekët e Onkologjikut i thanë ‘çfarë problemi ka’?
Vështirësitë me të cilat po përballet mjekja dhe vjehrri i saj për të siguruar ilaçin nuk janë një rast i izoluar për pacientët e Spitalit Onkologjik.
Të dhënat e mbledhura nga Faktoje nëpërmjet një ankete online nga pacientë të këtij spitali tregojnë se 64% e tyre janë detyruar të paguajnë para nga xhepi për të blerë medikamentet e nevojshme për trajtimin e tumoreve.
Sipas Eglantina Bardhit, drejtuese e organizatës “Together for Life,” mungesa e barnave vjen si pasojë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri.
“Fajtori kryesor është një sistem shëndetësor i keqfinancuar, “ tha ajo, ndërsa shtoi se fajtori i dytë janë institucionet përgjegjëse, Ministria e Shëndetësisë dhe drejtoritë e spitaleve që nuk menaxhojnë mirë ato pak para që kanë. Fajtori i tretë është korrupsioni i lartë që ndodh në sistemin shëndetësor”, theksoi Bardhi.
Shqipëria ka një buxhet të vogël për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (GDP) dhe sipas drejtueses së “Together for Life” kjo reflektohet më pas në kujdesin jo të mirë shëndetësor që ofrohet për pacientët.
“Kështu nëse mund të marrin shërbimin e Onkologjisë, mund të them që prokurohen shumë pak barna,” tha Bardhi, ndërsa shtoi se “është një shërbim që kërkon miliona euro investim në medikamente.”
“Ne kemi më pak buxhet sa i takon shëndetësisë krahasuar me të gjitha vendet e rajonit, pra është diku te 3% e GDP-së”, shpjegoi Bardhi.
Mungesë investimesh
Sipas raportit vjetor të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor për vitin 2023 u shpenzuan 263 milionë euro për financim e spitaleve publike. Barrën kryesore e mban Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza me 169,608 pacientë. Megjithatë, jo të gjithë pacientët që trajtohen në QSUNT janë të kënaqur me shërbimin që ofrohet.
Nëna e Etmirës është diagnostikuar një vit më parë me një lloj kanceri të quajtur “Cholangiocarcinoma”, një nga llojet e rralla të kancerit. Gruaja është trajtuar 1 vit në spitalin Onkologjik në QSUNT ndërsa operacionin e ka kryer në Turqi.
“Në Shqipëri nuk e preknin me dorë”, tregoi Etmira, e cila edhe pse ankohet për kushtet dhe menaxhimin e spitalit, e quan veten me fat që nëna e saj kishte një mjeke të mirë dhe të gatshme për ta ndihmuar në çdo moment.
“Aty është tmerr për të gjetur edhe vende,” tha Etmira, duke nënvizuar që problemet fillojnë që me rojen tek dera. Për shkak se Spitali Onkologjik nuk ofron shërbimin e imuno-terapisë, Etmira tregoi se pas operacionit në Turqi u detyrua që nënën e saj ta dërgonte për të vijuar trajtimin në Itali.
Sipas raportit të vitit 2023 të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Spitalin Onkologjik, për shkak të vonesave në prokurime është konstatuar një mungesë e agjentëve të kimioterapisë që shkonte nga 12 deri në 34 ditë – në kundërshtim me përshkrimin e recetës mjekësore.
Mjeku Ilir Alimehmeti theksoi se problematikat në Spitalin Onkologjik janë të shumta dhe të zgjatura në kohë. Sipas tij, vetë politika e centralizimit të të gjitha shërbimeve të specializuara onkologjike në një spital të vetëm bën që shërbimi të largohet nga qytetarët.
“Investimi i ulët në trajtimin e sëmundjeve tumorale, mungesa e burimeve njerëzore, mungesa e infrastrukturës, mungesa e medikamenteve të kimioterapisë, mungesa e pajisjeve të radioterapisë”, tha Alimehemti duke listuar problemet për Faktoje.
Para nën dorë
Në muajin qershor në Spitalin Onkologjik u zbulua se si një grup mjekësh, farmacistësh, por edhe drejtuesish të QSUNT-së bënin ‘pazare’ me jetët e të sëmurëve me kancer, duke shkaktuar reagime të forta publike.
Hetimet e Prokurorisë së Tiranës zbuluan se mjekët i detyronin pacientët e sëmurë më kancer të trajtoheshin në klinika private si dhe të blinin medikamente që kushtonin mijëra euro.
Sipas anketës të organizuar nga Faktoje nëpërmjet aplikacionit ‘Engaged Community Reporting’ (ECR), 64% e personave të pyetur – përfshirë pacientë aktual të Spitalit Onkologjik, ish-pacientë dhe familjarë të tyre, shprehen se kanë dhënë para nën dorë për stafin mjekësor, që kapin shifra mijëra euro.
Eglantina Bardhit shprehet se ky nuk është një fenomen i ri dhe fatkeqësisht nuk është i kufizuar vetëm në shërbimin e Spitalit Onkologjik.
“Kjo është një situatë e njohur, jo vetëm për shërbimin e Onkologjikut në QSUNT, por edhe në shërbime të tjera po aq jetike,” tha Bardhi, ndërsa shtoi se prej 15 vitesh i ka denoncuar këto fenomene me fakte dhe investigime.
“Kemi bërë edhe protesta në mbështetje të grave me kancer për ta denoncuar këtë fenomen”, shtoi ajo.
Mungesë komunikimi
Bashkëshorti i Rezarta Agollit ka punuar për dy dekada në administratën publike në Shqipëri, por pasi u diagnostikua me kancer një vit më parë trajtimin shëndetësor u detyrua ta merrte në Itali.
“Në Onkologjik ishte skandal,” kujtoi avokatja nga Tirana. “Nuk kishte absolutisht asnjë lloj komunikimi, doktorët nuk merreshin vesh me njëri-tjetrin dhe jo me të sëmurin”, shtoi ajo.
Sipas të dhënave të mbledhura nga anketa e Faktoje, me shumë se gjysma e pacientëve dhe ish-pacientëve të Spitalit Onkologjik shpreheshin ‘të pakënaqur’ ose ‘shumë të pakënaqur’ me komunikimin e mjekëve dhe stafit të spitalit.
Sipas Eglantina Bardhit, për ta adresuar një problem të tillë reforma në sistemin shëndetësor duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe duhet fillojë nga mbështetja buxhetore dhe zhdukja e korrupsionit.
“Duhet të ndryshojë edhe mënyra e trajtimit të bluzave të bardha,” tha ajo. “Ndryshimi i mentalitetit të pacientëve, të mos u japim para mjekëve”, shtoi Bardhi.
Mjeku Ilir Alimehmeti tha se sistemi është në një situatë krize dhe për të tejkaluar gjendjen e emergjencës nevojitet menjëherë krijimi i një grupi pune gjithëpërfshirës i përbërë nga ekspertët më të mirë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Ky grup ekspertësh sipas tij duhet të monitorojë dhe vlerësojë ecurinë e parandalimit, zbulimit të hershëm, trajtimit dhe të kujdesit paliativ të kancerit dhe njëkohësisht të krijojë, implementojë dhe mbikëqyrë planin afatshkurtër të përballimit me sëmundjet tumorale sipas rekomandimeve dhe objektivave të qëndrueshme të EU-së dhe OBSH-së./faktoje.al
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co