ANGLI – Një ngjarje e rëndë tragjike ka ndodhur në një shtëpi në Bristol të Anglisë, ku 3 fëmijë janë vrarë dhe për këtë ngjarje, një 42-vjeçare është arrestuar. Tre fëmijët e vegjël janë shpallur të vdekur në vendngjarje, pak pasi arritën policët. Shkaku i vdekjes së trefishtë ende nuk është konfirmuar.
Gruaja, 42 vjeçe, një shtetase sudaneze e njohur vetëm si Jasmine, u arrestua sot. Ajo mbetet në paraburgim policor në një spital. Fqinjët besonin se fëmijët ishin një djalë, rreth tetë vjeç, një vajzë, që mendohet të jetë katër vjeç dhe një djalë rreth gjashtë muajsh. Policët konfirmuan të dielën se kanë njoftuar Zyrën e Pavarur për Sjellje Policore (IOPC).
Një zëdhënës i IOPC tha: “Ne u njoftuam këtë pasdite për këtë incident tragjik në Bristol nga Policia e Avon dhe Somerset, të cilët na këshilluan se kishte pasur kontakt paraprak me policinë në fillim të këtij muaji”.
Burri i të dyshuarës, që gjithashtu besohet se është sudanez, jetonte me familjen, sipas një banori aty pranë. Nuk dihet nëse ai ndodhej në pronë në atë moment. Policia nuk e ka konfirmuar ende emrin e gruas, moshat e fëmijëve apo lidhjen e tyre me të. Një grua që donte të mbetej anonime tha se të gjithë banorët janë të shokuar, sepse nuk arrijnë ta besojnë se 42-vjeçarja ka kryer vrasjet e kobshme.
Banorët deklaruan se fëmijët kishin gjithmonë një buzëqeshje në fytyrë. Kryeinspektori Vicks Hayward-Melen tha: “Ky është një incident tepër tragjik dhe zemërthyes në të cilin tre fëmijë kanë vdekur fatkeqësisht. Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për të dashurit e fëmijëve dhe ne do të sigurohemi që atyre t’u ofrohet mbështetje”, u shpreh kryeinspektori./The Sun – Balkanweb/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co