Detaje të reja dalin lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi sot kryeqytetin dhe jo vetëm, ku mbeti i vrarë me thikë në zemër një 14-vjeçar dhe i plagosur bashkëmoshatari i tij.
Sherri i dhunshëm ndodhi në një distancë 150 metra nga shkolla Fan Noli, pas mbarimit të mësimit në këtë shkollë.
Gazetari i News 24, Igli Çelmeta bën me dije se nga këqyrja e kamerave rezulton se në konfliktin e përgjakshëm u përfshinë 5 adoleshentë, 14-vjeçari i vrarë, bashkëmoshatari i plagosur dhe tre autorët e dyshuar.
Njëri prej autorëve është shoqëruar në polici, ndërsa dy të tjetër janë identifikuar dhe pritet të shoqërohen në polici për tu marrë në pyetje.
Gazetari raporton se sherri mes adoleshentëve dyshohet të ketë nisur fillimisht në rrjete sociale.
Si është gjendja e të plagosurit?
Sipas spitalit 14-vjeçari në gjendje stabël por në mbikëqyrje intensive nga mjekët e Traumës, pasi ka marrë plagë të rënda, raporton gazetari.
Pritet njoftim zyrtar nga policia e shetit për të sqaruar rrethanat pasi tashmë janë këqyrur kamerat.
Mësohet se autorët e dyshuar u arratisën drejt zonës së Pazarit të Ri.
“Sherri nisi pas orarit të mësimit në shkollën Fan Noli. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orar të frekuentuar në mes të qytetit…Vetëm një nga autorët është shoqëruar, ndërsa dy të tjerët pritet të shoqërohen në komisariat dhe të merren në pyetje”, tha gazetari.
Ndërkohë që nuk është përcaktuar ende se nga cila shkollë janë të miturit përfshirë në sherr, por dyshohet se janë nga shkolla të ndryshme.
Stafi pedagogjik i shkollës Fan Noli është shprehur i tronditur nga kjo ngjarje e rëndë.