Një shqiptar, që ka tentuar të hyjë fshehurazi në Mbretërinë e Bashkuar, u ndalua nga policia.
Ai tentoi të rikthehej në Mbretërinë e Bashkuar disa javë pasi u deportua.
Shqiptari, i cili kishte vuajtur një dënim me 20 muaj burg për kultivimin e kanabisit, ishte ndër ata që u kapën nga zbatuesit e imigracionit të Home Office në një goditje të madhe mbarëkombëtare këtë javë.
The Sun iu bashkua patrullave policore, ndërsa ata punonin me oficerë të nivelit të lartë të inteligjencës, për të kapur kriminelët e kërkuar për vrasje, drejtuesit e bandave dhe hajdutët që mbanin 400,000 £ cash, të cilët ishin përpjekur të rihynin në Mbretërinë e Bahskuar, përmes udhëtimeve nga Irlanda dhe Irlanda e Veriut.
Stafi i Home Office punoi me Shërbimin Policor të Irlandës së Veriut për të ndaluar shqiptarin, i cili udhëtonte me një autobus nga Dublini në Belfast, pasi kishte fluturuar me një pasaportë të rreme greke nga Shqipëria më herët atë ditë.
Ekipi kishte marrë informacione nga shërbimet inteligjente rreth dy shkelësve të mundshëm të imigracionit, të cilët sapo kishin hipur në një autobus në kryeqytetin irlandez që shkonte në veri.
Një orë përpara se ata të ndaloheshin, kontrollet zbuluan se njëri prej tyre ishte anëtar i një bande të kultivimit të kanabisit, i cili ka qëndruar 20 muaj pas hekurave në Britaninë e Madhe.
Ai u deportua vetëm muajin e kaluar dhe tashmë po përpiqej të rihynte ilegalisht.
Në bordin e autobusit hynë gjashtë oficerë policie, ndërsa udhëtarët e hutuar u zbritën përpara se dy të dyshuarit të nxirreshin, për t’u marrë në pyetje.
Shqiptari i dënuar për kultivim narkotikësh u dërgua në paraburgim për thyerjen e urdhrit të dëbimit, ndërsa shoku me të cilin po udhëtonte u ndalua nga organet e zbatimit të emigracionit, në pritje të largimit nga MB.
Falë një marrëveshjeje ndërmjet Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, të dy shqiptarët mund të kthehen lehtësisht me një fluturim të rregullt dëbimi, ashtu sikundër ka ndodhur me 6,000 shqiptarë që janë dëbuar tashmë vitin e kaluar.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co