TIRANE
Drejtoria e Tatim Taksave Vendore të Bashkisë Tiranë ka njoftuar se, duke filluar nga ky vit, të gjitha detyrimet vjetore të bizneseve do të dërgohen edhe përmes postës elektronike. Ky ndryshim nuk përjashton ende dërgesën e njoftimeve me postë tradicionale, por ka për qëllim të lehtësojë procesin e informimit të bizneseve dhe të përmirësojë efikasitetin e shërbimeve publike. “Ne jemi të përkushtuar për të modernizuar dhe përmirësuar shërbimet tona për qytetarët dhe bizneset. Dërgimi elektronik i detyrimeve vjetore është një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të këtij procesi dhe do të sjellë lehtësime të mëdha për bizneset, duke ulur burokracinë dhe kohën e pritjes.” u shprehën zyrtarë të taksave dhe tarifave vendore.
Përfitimet për bizneset
Kursim Kohe: Bizneset nuk do të kenë më nevojë të presin vetëm për dokumente fizike ose të vizitojnë zyrat e tatimeve për të marrë njoftimet e tyre.
Saktësi dhe Siguri: Komunikimi elektronik redukton rrezikun e humbjes së dokumenteve dhe siguron që njoftimet të arrijnë në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë.
Hapat që duhet të ndërmarrin bizneset
Për të përfituar nga ky shërbim, bizneset duhet të sigurojnë që informacioni i tyre i kontaktit, veçanërisht adresat e postës elektronike, të jenë të përditësuara dhe të sakta. Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore, po aplikon prej një muaji marrjen e adresave të email-it për çdo tatimpagues që viziton sportelin e pritjes së institucionit, por njëkohësisht po mbledh direkt nga terreni informacionin e duhur lidhur me adresat elektronike të bizneseve.
Këshillohet gjithashtu kontakti direkt me institucionin tek adresa zyrtare [email protected].
Drejtoria e Tatim Taksave Vendore fton të gjitha bizneset të përditësojnë të dhënat e tyre dhe të shfrytëzojnë këtë shërbim të ri për të përfituar nga lehtësitë që ai ofron deri në digjitalizimin e plotë të marrjes së njoftim detyrimeve vjetore.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co