Devolli, mesazh Dinamos: Jemi të dënuar të fitojmë

devolli mesazh dinamos jemi te denuar te fitojme
devolli mesazh dinamos jemi te denuar te fitojme

Kukësi luan një finale mbijetese këtë të diel në shtëpi, teksa përballë do të ketë Dinamon. Një tjetër skuadër e kryeqytetit, atyre që duket se verilindorët ua kanë marrë dorën këtë edicion, pasi kanë koleksionuar rezultate pozitive në javët e fundit. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj sfide, trajneri i Kukësit, Bledar Devolli, vlerëson kundërshtarin, që e ka drejtuar më parë, por thekson se ekipi i tij është i dënuar për të fituar.

“Është një ndeshje e vështirë, si të gjitha ato që kemi në këtë moment të sezonit. Por jemi të dënuar për të fituar. Shpresoj të bëjmë sërish një paraqitje të mirë. Kemi respekt për Dinamon, pasi është një ekip me cilësi brenda dhe me djem të rinj që duan të afirmohen. Ne luajmë në fushën tonë dhe shpresojmë ta kthejmë në një fortesë, duke vazhduar me rezultate pozitive”, u shpreh fillimisht Devolli. Edhe pse duket se Kukësi ka një tjetër motiv me ekipet e kryeqytetit, pasi eliminoi Partizanin nga Kupa dhe mundi së fundmi Tiranën, Devollit nuk i intereson shumë kjo pjesë. “Tani çdo ndeshje është shumë e rëndësishme. Me Dinamon shpresojmë të bëjmë sërish ato gjërat e mira të ndeshjeve të fundit, nuk na intereson nëse është e kryeqytetit ose jo. Jemi të dënuar të fitojmë ndeshjet. Shpresojmë që edhe me pak fat ta kalojmë edhe këtë pengesë me sukses”, vijoi trajneri i Kukësit.

DËMTIMET – Verilindorët kanë qenë të pafat me dëmtimet këtë periudhë, me infermierinë e mbushur plot. Devolli shpreson që t’i rikthehen sa më parë lojtarët me probleme fizike, sepse është faza më delikate e kampionatit. “Normalisht, nuk është mirë në një ekip kur ke dëmtime dhe ne kemi pasur shumë lojtarë të rëndësishëm që na kanë munguar. Por nuk jemi ‘qaramanë’ për këtë pjesë, edhe këta që kanë luajtur apo janë futur nga stoli, kanë bërë mirë. Shpresojmë të na kthehen sa më shpejt, sepse janë të rëndësishëm, por edhe konkurrenca i bën mirë grupit dhe në këtë fazë të kampionatit kemi nevojë për të gjithë”, u shpreh trajneri Bledar Devolli.

KUPA APO MBIJETESA? – Me një këmbë në finalen e Kupës, pas fitores 2-0 me Tiranën, por më të rrezikuar se asnjëherë më parë sa i përket mbijetesës. Devolli nuk bën zgjedhje në këto momente, pasi ai do vetëm të mundë Dinamon. “Dua të fitoj ndeshjen me Dinamon, pastaj kemi kohë të mendojmë për ndeshjen tjetër, apo atë të kthimit me Tiranën. Vazhdojmë me kokën poshtë, me këtë seriozitet që po punojnë djemtë. Të vijojmë të tregojmë agresivitetin, sakrificën, përulësinë dhe shpresojmë të kemi pak fatin me vete, që është i domosdoshëm në këtë sport”, e mbyll prononcimin e tij trajneri i Kukësit. Verilindorët janë në vend të fundit, por kanë shpresa matematikore për qëndrimin në elitë dhe do t’ia bëjnë shërbimin çdo ndeshjeje.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →