Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë do të ishte “një mundësi një herë në një mijë vjet” për Korenë e Veriut, sipas një njeriu, që di shumë për atë që ndodh në shtetin diktatorial. Ri Il Kyu është dezertori i profilit më të lartë që ka ikur nga Koreja e Veriut që nga viti 2016 dhe ka qenë ballë për ballë me Kim Jong Un në shtatë raste të veçanta.
Ish-diplomati, i cili punonte në Kubë kur u arratis me familjen e tij në Korenë e Jugut nëntorin e kaluar, pranon se “dridhej nga nervat” herën e parë që takoi Kim Jong Un.
Por, gjatë çdo takimi, ai e gjente udhëheqësin “të buzëqeshur dhe me humor të mirë”. “Ai i lavdëronte njerëzit shpesh dhe qeshte. Ai duket si një person i zakonshëm”, thotë zoti Ri. Por ai nuk ka dyshim se Kim do të bënte gjithçka për të garantuar mbijetesën e tij, edhe nëse kjo do të thoshte të vriste 25 milionë njerëzit e popullit të tij: “Ai mund të kishte qenë një person dhe baba i mrekullueshëm, por duke u kthyer në një Zot në vend, është bërë qenie monstruoze”.
Në një intervistë disa orëshe me BBC-në, zoti Ri ofron një kuptim të rrallë të asaj që shpresojnë të arrijnë shtetet më të fshehta dhe represive të botës. Ai thotë se Koreja e Veriut ende e sheh Trumpin si dikë me të cilin mund të negociojë për programin e saj të armëve bërthamore, pavarësisht se bisedimet mes tij dhe Kim Jong Un u ndërprenë në vitin 2019.
Trump e ka përshëndetur më parë marrëdhënien me Kim si një arritje kyçe të presidencës së tij. Ai tha se të dy “ranë në dashuri” duke shkëmbyer letra. Vetëm muajin e kaluar, ai tha në një tubim që Kim do të donte ta shihte përsëri në detyrë.
Koreja e Veriut shpreson se mund ta përdorë këtë marrëdhënie të ngushtë personale në avantazhin e saj, thotë zoti Ri, duke kundërshtuar një deklaratë zyrtare nga Pheniani muajin e kaluar se “nuk i interesonte” se kush bëhet president. Shteti bërthamor nuk do të heqë kurrë qafe armët e tij, thotë zoti Ri, dhe ndoshta do të kërkonte një marrëveshje për të ngrirë programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve nga SHBA.
Por ai thotë se Pheniani nuk do të negocionte me mirëbesim. Pranimi për të ngrirë programin e tij bërthamor “do të ishte një mashtrim, 100% mashtrim”, thotë ai, duke shtuar se kjo ishte një “qasje e rrezikshme” e cila “do të çonte vetëm në forcimin e Koresë së Veriut”.
Një ‘bixhoz për jetë a vdekje’
Tetë muaj pas largimit të tij, Ri Il Kyu jeton me familjen e tij në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul. I shoqëruar nga një truprojë policie dhe dy agjentë të inteligjencës, ai shpjegon vendimin e tij për të braktisur qeverinë e tij.
Pas vitesh të tëra për shkak të korrupsionit, ryshfetit dhe mungesës së lirisë me të cilën u përball, zoti Ri thotë se ai më në fund u la në dorë kur kërkesa e tij për të udhëtuar në Meksikë për të kryer një operacion për një problem që kishte në qafë u refuzua. “Unë jetova jetën e asaj që është 1%, e shoqërisë më të lartë në Korenë e Veriut, por kjo është akoma më keq se një familje e klasës së mesme në Jug.”
Si diplomat në Kubë, Ri fitonte vetëm 500 dollarë (294 £) në muaj dhe kështu do të shiste puro kubane ilegalisht në Kinë për të siguruar mjaftueshëm për të mbajtur familjen e tij.
Kur ai i tha së pari gruas së tij për dëshirën e tij për të dezertuar, ajo ishte aq e shqetësuar sa përfundoi në spital me probleme në zemër. Pas kësaj, ai i mbajti të fshehta planet e tij, duke i ndarë ato vetëm me të dhe fëmijën e tij gjashtë orë para se avioni i tyre të nisej.
Ai e përshkruan vendimin si një “bixhoz për jetë a vdekje”. Koreanët e rregullt të Koresë së Veriut që kapen duke dezertuar zakonisht torturohen për disa muaj dhe më pas lirohen, thotë ai. “Por për elitat si ne, ka vetëm dy rezultate – jeta në një kamp burgu politik ose ekzekutimi nga një skuadër pushkatimi.”
“Frika dhe terrori ishin dërrmuese. Unë mund ta pranoja vdekjen time, por nuk mund ta duroja mendimin që familja ime të tërhiqej zvarrë në një gulag”, thotë ai. Megjithëse zoti Ri nuk kishte besuar kurrë në Zot, ndërsa priste me nervozizëm në portën e aeroportit në mes të natës, ai filloi të lutej.
Dezertimi i fundit i njohur i profilit të lartë në Jug ishte ai i Tae Yong-ho në vitin 2016. Një ish-zëvendës ambasador në MB, ai u emërua së fundmi lideri i ri i këshillit këshillimor presidencial të Koresë së Jugut për bashkimin./BBC/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co