Spanja dhe Italia luajnë një klasike të futbollit europian këtë të enjte. Të dy vendet mbajnë një rivalitet të gjatë sportiv që ka lënë shumë histori dhe të dhëna. Gazeta “Mundo Deportivo” ka dhënë disa prej më pikanteve mes dy gjigantëve të futbollit europian.
BUFON, LOJTARI ME MË SHUMË DUELE MES SPANJËS DHE ITALISË – Xhanluixhi Bufon, portieri legjendar italian, i cili luajti në një periudhë duelesh plot respekt dhe admirim të ndërsjellë me Iker Kasijas, është futbollisti me më shumë paraqitje në një përballje mes Italisë dhe Spanjës me 13 të tilla. Ai fitoi dy, barazoi gjashtë dhe humbi pesë, duke pësuar 15 gola gjithsej. Ai pasohet nga David Silva dhe Leonardo Bonuçi me nga 11 ndeshje secili.
HISTORIA FLET PËR SPANJËN – Dy fitoret, të dyja në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve, në dy edicionet e fundit, i japin një avantazh ekipit spanjoll në historinë e përballjeve me Italinë. Spanja ka fituar 13 ndeshje, 16 takime janë mbyllur në barazim dhe 11 janë fitoret e Italisë. Gjëja interesante është se Spanja ka shënuar më pak gola (45) se Italia (46).
DY SKUADRA PA PËRVOJË! – Skuadra spanjolle që po garon në “Euro 2024” numëron 21.6 paraqitje për lojtar, ndërsa ajo e Italisë mesatarisht 21.7 ndeshje për lojtar. Vetëm Republika Çeke ka ardhur me një ekip më “të ri” në nivel kombëtar, me mesatarisht çdo lojtar i saj ka zhvilluar 16.5 ndeshje. Me një moshë mesatare 27 vjeç, Italia është ekipi i gjashtë më i ri; Spanja është e njëmbëdhjeta, me 27.6 vjeç.
REKORDI I SPANJËS KUNDËR ITALISË – Asnjëherë para finales së Kievit në “Euro 2012” nuk ka pasur një epërsi të tillë të një skuadre ndaj tjetrës. Spanja kaloi Italinë, 4-0, me golat e David Silvë, Zhordi Albë, Fernando Torresit dhe Juan Matës. Është rezultati më i thellë në një finale në historinë e kampionateve europianë. Suksesi më i thellë para saj ishte fitorja 3- 0 e Gjermanisë Perëndimore (RFGJ) ndaj Bashkimit Sovjetik në edicionin e vitit 1972.
ITALIA KA ELIMINUAR SPANJËN NGA DY EUROT E FUNDIT – Skuadra italiane realizoi një hakmarrje të veçantë nga humbjet në “Euro 2008” dhe “Euro 2012” në dy edicionet e fundit. “Azzurri”-t eliminuan “La Roja”-n në vitin 2016 (2-0) dhe në vitin 2021, kur ata lanë skuadrën e udhëhequr nga Luis Enrikes në prag të lavdisë nga lotaria e penalltive.
KARVAHAL E DI LORENCO, PIKA REFERUESE – Dy skuadrat kanë një nga pikat e tyre të forta në krah. Karvahal është një armë sulmuese për Luis de la Fuenten, siç e ka treguar tashmë në ndeshjen e tij të parë në një kampionat evropian, kundër Kroacisë. Ai po përjeton sezonin më të ëmbël të golave në karrierën e tij. Deri në këtë sezon ai kishte shënuar 8 gola në 447 ndeshje dhe ka realizuar 7 në 50 ndeshje. Di Lorenco është futbollisti në ligën italiane që ka dhënë më shumë pasime këtë sezon, gjithsej 2336.
NDESHJE E VEÇANTË PËR MORATËN – Krahas lidhjeve me Italinë, ku ai ka triumfuar në Serinë A dhe po luan këtë Euro duke marrë parasysh idenë e kthimit dhe kombësinë e gruas së tij italiane Aliçe, ndeshja është e veçantë për Alvero Moratën edhe për një tjetër arsye. Me shtatë gola në 11 ndeshje, ai është tashmë golashënuesi më i mirë i Spanjës në fazën finale të Europianëve dhe mund të ndjekë Mishel Platininë si golashënuesi i dytë më i mirë i të gjitha kohërave me 9 gola. Morata ka shënuar dy gola kundër Italisë në gjashtë ndeshje. Nëse shënon edhe një gol do të barazohet me Baloncierin dhe Regueiro si golashënuesi më i mirë në historinë e këtyre përballjeve.
ITALIA, MBRETËRESHA E RE E PASIMIT – Me Spanjën duke ndryshuar stilin e saj dhe duke luajtur më vertikalisht, Italia shfaqet si mbretëresha e re e pasimeve pas ndeshjeve të para të “Euro 2024”. Ajo ka dhënë 822 pasime kundër Shqipërisë, më shumë nga të gjitha skuadrat. Portugalia arriti 712 pasime nga të cilat të sakta 622, dhe Gjermania me 697 pasime, nga të cilat 657 të sakta. Në ndeshjet e para, Spanja ishte skuadra e 14-të në pasime, me 455 pasime prej të cilave 392 të sakta.
BISHA E ZEZË E DONARUMA – Xhanluixhi Donaruma ka luajtur tri ndeshje kundër Spanjës me dy humbje dhe një barazim me shije fitoreje, sepse ai gëzoi vendin e tij falë pritjeve të tij në një ndeshje të shkëlqyer në Londër në gjysmëfinalen e “Euro 2020”. Ai nuk ka mbajtur asnjëherë portën e pastër kundër Spanjës, me pesë gola të pësuar në tre duelet dhe dy humbjet e fundit në gjysmëfinale të dy edicioneve të fundit të Ligës së Kombeve.
DE LA FUENTE KUNDËR ITALISË – Si trajner i skuadrës së të rriturve, Luis de la Fuente tashmë ka një kujtesë të mirë ndaj Italisë, fitoren 2-1 në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve përpara se të fitonte titullin në vitin 2023.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co