NIKOLETA KOVAÇI/ Një pjesë e banorëve të Himarës morën dje certifikatat e pronësisë së shtëpive të tyre të trashëguara.
Në kohën kur policia dhe autoritetet ligjzbatuese pritej të sillnin në pranga edhe tre autorët e tjerë të sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, kryepolici i Tiranës shkon dhe viziton në Spitalin e Traumës të plagosurin. Nga tre të kërkuarit ende nuk ka asnjë gjurmë, ndërkohë që edhe pse pritej që ditën e djeshme të dilnin para gjykatës vjehrri organizator dhe dhëndri autor sulmi, seanca u bë me dije se do të zhvillohet ditën e sotme.
Dritan Nano, nën akuzën e organizimit të sulmit dhe dhëndri i tij, Dorian Alia, të cilët u dorëzuan me iniciativë në policinë e Tiranës do të njihen me masën e sigurisë në lidhje me aktin e rëndë të sulmit brutal ndaj profesorit të fakultetit të Drejtësisë dhe avokatit të njohur, Sokol Mëngjesi. Hetimet në fakt vijojnë, ndërkohë që edhe kontrollet nëpër zona të ndryshme të vendit, kryesisht në vendlindjet e personave, të cilët dyshohet se janë larguar atë mëngjes me një automjet në të cilin drejtues bëhet me dije se ka qenë Romario Tabaku. Policia dhe prokuroria kanë siguruar jo vetëm dëshmitë e palëve të përfshira në marrëveshje me avokatin, por edhe të të gjithë personave që janë në dijeni të sherrit. Në dëshmitë e dy personave të dorëzuar, vjehrrit dhe të dhëndrit, prokuroria nuk ka mundur të faktojë ndonjë pagesë apo shtysë tjetër nga persona të tjerë në këtë ngjarje të rëndë kriminale.
GJENDJA E AVOKATIT
Sipas të dhënave nga spitali i Traumës gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua për shkak të detyrës, vijon të jetë e njëjtë. Ai ndodhet ende në intubim në spitalin e Traumës, por mjekët janë optimistë pasi edema (ënjtje) që ka në një zonë të trurit nuk është zmadhuar. Të paktën për momentin nuk vlerësohet ndonjë ndërhyrje kirurgjikale. Nga ana tjetër policia ka vijuar kontrollet edhe gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës, por ende nuk ka gjurmë të 3 të shpallurve në kërkim. Kontrollet kanë vijuar pa u ndërprerë por pa rezultat. Sipas sistemit TIMS ata rezultojnë brenda vendit. Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që të jenë larguar jashtë vendit në mënyrë ilegale. Avokati u vizitua në spitalin e Traumës nga drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj dhe zv/drejtori Alket Shatro.
Mëngjesi u dhunua më 29 maj, në zonën e ishBllokut në Tiranë vetëm pak minuta pasi kishte lënë djalin e vogël në kopsht. Një prej autorëve të vetëdorëzuar Dorian Alia, ka pranuar se porositës i sulmit është Dritan Nano. I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45-vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit. Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.
HETIMET DHE VERIFIKIMET
Policia e shtetit bën me dije se personat e përfshirë në dhunën brutale ndaj avokatit nuk janë eksponentë të krimit në vend. Ata rezultojnë të padënuar më parë ndërkohë që akti në të cilin janë përfshirë tashmë i vë përballë një akuzë shumë të rëndë, si atë të vrasjes së funksionarëve të lartë publikë e mbetur në tentativë. Edhe pse njëri prej autorëve të sulmit, i cili dyshohet se i mori tre djemtë e tjerë me vetë për të krijuar idenë e grupit, ka mohuar të ketë pas qëllim ta dëmtonte shënjestrën por t`i kërkonte që të tërhiqej nga kërkesa për marrjen e pronës për të cilën kishte firmosur më herët edhe vetë porositësi dhe organizatori u dhunës ndaj Sokol Mëngjesit.
Policia dyshon se tre të rinjtë që janë në kërkim mund të kenë dalë jashtë vendit dhe mund të jenë përdorur pikat kufitare me Kosovën për arratisjen e tyre, ndonëse tashmë ata janë të kërkuar. Edhe pse u hodh shifra prej 20 mijë eurosh nga ana e policisë së Tiranës, për këdo që do të jepte informacion të saktë në lidhje me vendndodhjen e tyre, ende nuk ka asnjë gjurmë dhe madje policia nuk ka mundur të fiksojë asnjë gjurmë në sistemin TIMS, çka ka bërë të mundur të ushtrojnë kontrolle në disa zona të vendit. janë zbuluar lidhjet familjare të të kërkuarve dhe policia po ushtron kontrolle ndonëse pa ndonjë informacion konkret të vendstrehimit të tyre.
Tashmë pritet që avokati të dalë nga intubimi dhe mbase atëherë do mund të flasë në lidhje me rrethanat dhe bisedën e fundit që ka pas para rreth një muaji me Dritan Nanon. Ndërkohë janë sekuestruar të gjitha kamerat në vendin e sulmit, janë identifikuar dhe do të merren dëshmitë e disa prindërve të cilët gjendeshin në vendin e ngjarjes për të njëjtën arsye që gjendej edhe Sokol Mëngjesi, në afërsi të kopshtit të fëmijëve, po ashtu edhe familjarët e të rinjve që morën pjesën në aktin kriminal.
AUTORËT E DYSHUAR TË SULMIT
DRITAN NANO, 58 VJEÇ NGA TIRANA Organizatori sulmit- I ndaluar me iniciativë, vjehrri i autorit kryesor të sulmit
DORIAN ALIA, 32 VJEÇ NGA TIRANA Dhunuesi – U vetëdorëzua pasditen e 29 majit, dhëndri i Nanos, dyshohet se bashkoi grupin për të realizuar planin
ELTON KASAJ, 33 VJEÇ NGA TIRANA Autor sulmi – i shpallur në kërkim DRIVALD ALIA, 21 VJEÇ NGA TIRANA Autor sulmi – i shpallur në kërkim
ROMARIO TABAKU, 26 VJEÇ NGA TIRANA i pranishëm në vendin e ngjarjes, largoi autorët me makinë – i shpallur në kërkim
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co