“Partia Demokratike është një pasuri kombëtare, ndaj duhet të ndjehen të gjithë mirë se tashmë kemi një vendim Gjykate lidhur me vulën dhe logon e kësaj partie”. Kështu u shpreh deputetja demokrate Dhurata Çupi për rubrikën “Opinion” në News24.
Ajo tha se duke qenë të gjithë bashkë ne do të mund të jemi një alternativë në zgjedhjet e 2025.
Çupi tha se të gjithë demokratët duhet të bashkohen rreth PD-së, duke theksuar se në këtë bashkim duhet të përfshihet gjithkush, përfshi edhe Lulzim Bashën dhe të gjithë deputetët që sot janë në krah të tij.
[embedded content]
“Duhet të jemi të gjithë bashkë, unë jam një prej deputeteve që kam folur gjithmonë për bashkimin, nuk kam shkelur asnjëherë vijat e kuqe në raport me kolegët”, tha Çupi. Ajo shtoi se opozitës sot i duhet edhe një votë dhe jo më një grupim votash.
“Ne kemi histori të partive të vogla në ’92 apo ‘93 dhe më pas në ’98 dhe ’99, dhe më pas kemi plotë parti të tjera që janë krijuar, por nuk kanë arritur të kenë deputetë në Parlament. Por në anën tjetër me votat që kanë marrë, i kanë prishur punë partive të tjera”, tha Çupi.
Ajo tha se opozita duhet të jetë e drejtpërdrejtë me qytetarët, sot PD është e bashkuar, punohet për programin, duhet të ketë një ekip qeverisës dhe duhet të jetë një alternativë qeverisëse. “Kemi denoncuar në sallën e Parlamentit apo në Komisione, kemi denoncuar shkatërrimin e mjedisit që kjo qeveri i ka bërë Shqipërisë, duhet të denoncojmë korrupsionin, ashtu sikundër kemi bërë, këto janë shqetësimet e qytetarëve sot”, tha Çupi.
Ajo u shpreh se PD ka Kryetar Sali Berishën dhe nuk mendoj se do të zgjidhet një kryetar i PD-së përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.
“Nuk ka asnjë njoftim se kjo parti mund të hyjë në një proces zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit, ne kemi si kryetar Sali Berishën”, theksoi Çupi, duke hedhur poshtë tezat që qarkullojnë mediatikisht.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co