“Dialogu me Kosovën është në gjendje kome”, ministri i Jashtëm i Serbisë: Fajin nuk e ka Lajçak, por…

dialogu me kosoven eshte ne gjendje kome ministri i jashtem i serbise fajin nuk e ka lajcak por
dialogu me kosoven eshte ne gjendje kome ministri i jashtem i serbise fajin nuk e ka lajcak por

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, tha se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është “në komë”. Kjo gjendje, sipas tij, nuk ka të bëjë asgjë me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, por me faktin se shtetet që kanë ndikim, nuk e përdorin atë.

Në një intervistë për transmetuesin publik të Serbisë, Gjuriç njoftoi për aktivitet intensiv diplomatik, duke theksuar se Parlamenti i ri Evropian është konstituuar dhe disa gjëra po ndryshojnë në Evropë. Sipas tij, viti i ardhshëm “mund të jetë viti në të cilin situata do të jetë më e favorshme”.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirollav Lajçak, qëndroi në Serbi më 19 qershor. Gjatë vizitës ai u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe shefin e diplomacisë, Marko Gjuriç.

Përmes një postimi në Instagram, Vuçiç tha se me Lajçakun kanë biseduar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tij, zbatimi i këtyre dy marrëveshjeve do të mundësonte kthimin në një dialog konstruktiv mes dy shteteve.

Një ditë më herët, Lajçak qëndroi edhe në Prishtinë ku u takua me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Zyrtari i lartë evropian deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, duke përkujtuar se nga kjo varet edhe qasja në fonde të BE-së.

Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe për Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Megjithatë, BE-ja – e cila që nga viti 2011 ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – ka kritikuar palët për moszbatimin e marrëveshjes./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →