Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.
Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua. Ajo, mes tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, Kurti nxori disa kërkesa për vazhdimin e dialogut – përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes dhe dorëzimin e Millan Radoiçiqit – që Vuçiq nuk i pranoi.
Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e një sulmi të armatosur në Kosovë – shtatorin e kaluar – ku mbeti i vrarë një polic.
Ai besohet se është i lirë në Serbi. Pritjet që Bislimi dhe Petkoviq të dakordohen për ndonjë gjë, nuk janë të mëdha.
Disa runde bisedimesh mes tyre për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, përfunduan në maj pa ndonjë marrëveshje.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian./REL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co