Diktatori Stalin dhe synimet ekspansioniste/ Ambasadori Bashkim Zeneli: “Quebeku”, dakordësia e Rooswelt dhe Churchill për ndarjen e Gjermanisë!

diktatori stalin dhe synimet ekspansioniste ambasadori bashkim zeneli quebeku dakordesia e rooswelt dhe churchill per ndarjen e gjermanise





































80 vjet më parë, në shtator 1944, në Konferencën e Quebekut, Presidenti amerikan Rooswelt dhe Kryeministri britanik Churchill do të pajtoheshin më në fund për ndarjen e Gjermanisë së pasluftës.

bashkim zeneli ambasador

Konferenca e Jaltës do t’u vinte “vulën” zonave të pushtimit të fuqive fituese. Diktatori Stalin i kishte shfaqur që para lufte ambiciet dhe planet ekspansioniste jo vetëm për ndarjen e Gjermanisë. Ai kërkonte tashmë edhe njohjen e pushtimit të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Një pjesë të Finlandës, Bessarabisë dhe një pjesë të Polonisë Lindore etj., Stalini i kishte pushtuar që në vitin 1939… Ndarjen e Gjermanisë, publikisht ia bën të njohur që në dhjetor të vitit 1941, ministrit të Jashtëm britanik, Anthony Eden. Nga libri “Berlin 1945- Maji i fitores” i ambasadorit Bashkim Zeneli, gazeta “Panorama” zgjodhi të botojë një pjesë që flet për këtë debat. Ai përcjell një mori faktesh e referencash të burimeve arkivore, që diplomati dhe publicisti i njohur na i përshkruan hollësisht e rrjedhshëm…

BASHKIM ZENELI
“MJESHTËR I MADH”

Ndonëse lufta nuk kishte mbaruar, opsionet apo dhe planet për ndarjen dhe pushtimin e Gjermanisë së humbur nuk ishin thjesht dhe vetëm diskutime të janarit 1944 as të Kazablankës dhe as të Teheranit dhe me në fund, të Jaltës. Nga secili takim, në këto qytete, ishte hedhur ndonjë ide. Ndarja e Gjermanisë së pasluftës ishte me plane të studiuara, në projekte nga amerikanët, britanikët dhe sovjetikët, sidomos nga këta të fundit. “Që më 30 nëntor 1943, në Moskë do të nënshkruhej Deklarata e Përbashkët e 3 Fuqive për mizoritë e Gjermanisë në Evropë. Aty u fol për herë të parë edhe për dënimin e krimeve të luftës, por edhe mundësitë e ndarjes së Gjermanisë”.

Bashkimi Sovjetik, megjithëse në luftë të egër me nazizmin gjerman, i bindur në fitoren e ardhshme, kishte projektuar, jashtë ndonjë marrëveshjeje me aleatët perëndimorë, edhe pushtimin e një territori të caktuar të Gjermanisë. Dukej se për udhëheqësin diktator, Stalinin, pushtimi i Gjermanisë ishte një çështje që nuk kishte nevojë për diskutim, as me aleatët Perëndimorë. Është shumë interesant fakti se që në dhjetor të vitit 1941, kur ushtria naziste ishte në dyert e Moskës dhe fatet e luftës nuk diheshin qartë, Stalini do të priste në Moskë ministrin e Jashtëm britanik, Anthony Eden. Midis të tjerave, Stalini i kishte folur edhe për pushtimin e Gjermanisë pas lufte.

Pra, ishte shumë e hershme kjo strategji. Në fund të fundit nuk ishte zhvilluar as beteja e fundit e Stalingradit, në 2 shkurt 1943, kur trupat naziste do të tërhiqeshin të mundura keqas. Që këtu mund të flitej për një dështim të ushtrisë së Hitlerit dhe për një humbje të pashmangshme. Stalini i kishte folur ministrit britanik për një projekt konkret të tij. “Si thesar luftë ai kërkonte njohjen e pushtimit të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë, një pjesë të Finlandës që e kishte pushtuar që në vitin 1939, gjatë sulmit mbi Finlandë, krahinën rumune të Bessarabisë, një pjesë të Polonisë Lindore që sovjetikët e kishin marrë që në vitin 1939, së bashku me nazistët, si dhe pjesën e okupuar, më të madhe, të Prusisë Lindore. Dhe kur fliste kështu, me qetësinë më të madhe për kushtet e tij në këtë strategji, nazistët ndodheshin vetëm 25 km larg Moskës, larg Kremlinit”. Me aq sa i kishte thënë ministrit të Jashtëm britanik Eden, te Stalini dukeshin shumë qartë synimet dhe orekset perandorake, ekspansioniste, imperialiste. Në atë vit, që në atë dhjetor të vitit 1941, askush nuk kishte folur për pushtimin e Gjermanisë, të paktën publikisht. Kryeministri britanik, Churchill, do të vihej në dijeni menjëherë për këtë bisedë me Stalinin nga ministri Eden.

Ai në ato momente ndodhej në anijen ushtarake “Duke of York” duke lundruar për t’u takuar me presidentin amerikan Rooswelt, në Uashington. SHBA-të sapo ishin përfshirë në luftë dhe kryeministri britanik donte të bisedonte me presidentin amerikan për koordinimin e planeve. Nga anija, me të cilën po lundronte, Churchill do t’i përgjigjej menjëherë ministrit të tij të Jashtëm: “Para Stalinit nuk duhet të paraqitemi si të pashpresë… Ne jemi të detyruar para SHBA që të mos ndërmarrim pakte të fshehta apo të njëanshme. Unë mendoj se Presidenti Rooswelt duhet të vihet në dijeni, thjesht në mënyrë informale”. Departamenti i Shtetit i SHBA do të vihej në dijeni menjëherë pas porosisë së Churchillit, nga ministri i Jashtëm Eden. Në mars të vitit 1943, Presidenti Rooswelt do të takohej me Uashington me ministrin Eden. Për këtë takim, ministri Eden do të shkruante: “Presidenti amerikan nuk shikonte vështirësi të mëdha në marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Çështja më e rëndësishme që fuste në mendime presidentin, me shumë të drejtë, ishte se a ishte e mundur të bashkëpunohej me Rusinë tani dhe mbas lufte”. Mbas kthimit nga Uashingtoni, kryeministri britanik do të takohej me bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe më besnikë dhe do të kërkonte që të mendohej e të përpunoheshin plane për pushtimin e Gjermanisë. Ai do të porosiste që “të mos mbeteshin prapa planeve të Stalinit”.

Në këtë kuadër, më vonë do të ngrihej edhe një komision pranë kabinetit qeveritar, që u quajt “Armëpushimi dhe komiteti i pasluftës”. Ky komitet do të drejtohej nga zëvendëskryeministri Clement Attlee, që mbante njëkohësisht edhe detyrën e kryetarit të Partisë Laburiste. Ky komitet, që në përpunimet e para të planit të pasluftës do të propozonte një ndarje në tri zona të Gjermanisë dhe Britania do të kërkonte të merrte për vete krahinat e pasura ta Ruhrit, zonat industriale në Veriperëndim të vendit. Çështja e ndarjes së Gjermanisë në zona pushtimi mbas lufte nisi të diskutohej, sidomos mbas mesit të vitit 1943. Britanikët tashmë e kishin planin e tyre, ndërsa amerikanët nuk kishin të hartuar ndonjë plan konkret. Në tetor 1943, në Moskë do të mblidheshin ministrat e jashtëm të Tre të Mëdhenjve. Aty do të flitej për nevojën e koordinimit të planeve politike, si një çështje dite. Tashmë, regjimi nazist po pësonte disfatë pas disfate. U fol edhe për hapat që duhet të ndërmerreshin bashkërisht nga aleatët mbas lufte. Në këtë konferencë, aleatët ranë dakord për përgjegjësi të përbashkët në kontrollin dhe pushtimin e Gjermanisë. Gjithashtu u diskutua për ngritjen e një komisioni trepalësh, që do të quhej Komisioni Evropian i Këshillimit (Europian Advisory Commission). Është fakt se në fund të vitit 1943 apo në fillimin e vitit 1944, midis tri Fuqive të Mëdha, çështja e ndarjes së Gjermanisë së pasluftës në zona pushtimi do të bëhej shpeshherë edhe në takime zyrtare, si një “diskutim pazari” për plaçkën më të mirë. Përplasjet më të mëdha do të ishin midis amerikanëve dhe britanikëve. Britanikët këmbëngulnin që amerikanët të kishin zonën e jugut. Ndërsa presidenti amerikan “kërkonte si zonë amerikane të pushtimit Gjermaninë Veriperëndimore. Ai kërkonte kështu që të kishte edhe daljen në portet e mëdha të Bremenit dhe të Hamburgut, si dhe në portet norvegjeze dhe daneze”. Presidenti amerikan parashikonte shtrirjen e zonës amerikane edhe më gjerë.

“Ajo duhet të ishte deri në Berlin. Berlini duhet t’i përkasë zonës amerikane të pushtimit. Sovjetikët mund të marrin pjesën lindore të vendit. Britanikët na kanë caktuar në zonën e jugut. Kjo mua nuk më pëlqen”. Por, edhe Franca kishte nisur të paraqiste kërkesat e veta për zonë të pushtimit të saj. Presidenti amerikan Rooswelt nuk e simpatizonte gjeneralin Charles de Gaulle (De Gol). Ai do të shprehej se “më krijon dhembje koke”. De Gol ishte komandant i forcave ushtarake të Francës së lirë. Presidenti amerikan i kishte thënë këshilltarëve të tij që me fillimin e marshimit të trupave amerikane në Francë së gjenerali De Gol “ishte përherë një milje mbrapa trupave” dhe “Franca ishte një bebe britanike (Britisches Baby)”. Qëndrimi amerikan për mbas kapitullimit të Gjermanisë ishte që çdo gjë të vendosej atëherë kur të ishte arritur fitorja përfundimtare. Por, me zhvillimin që mori kjo çështje, sidomos kur u mësua për planet e Stalinit në Lindje, e në mënyrë të veçantë, kur u mësua dhe për planin e britanikëve për “tri zonat e pushtimit” me hartën e tyre të ndarjes, edhe amerikanët nuk donin të ishin “jashtë loje”.

Për herë të parë, ShBA e kanë prekur çështjen e ndarjes dhe zonave të pushtimit në Gjermani më 19 nëntor 1943. Presidenti Rooswelt, në bordin e anijes luftarake IOWA, do të bisedonte me komandantin e saj, admiralin Ernst King. Tashmë Gjermania, ende jo e mundur, kishte marrë tatëpjetën, që me Stalingradin e më tej. Fitoret e Ushtrisë së Kuqe pasonin njëra-tjetrën. Në këtë takim më admiralin, merrnin pjesë edhe këshilltarë të Presidentit amerikan dhe shefat e shtabeve të përgjithshëm. Ai u njoh me operacionin “Rankin – Case” që kishte të bënte me masat ndaj një kapitullimi të menjëhershëm e pa kushte të Gjermanisë së Hitlerit. Ashtu si në planin britanik, edhe në planin amerikan parashikohej ndarja e Gjermanisë dhe e Berlinit dhe, forcat ushtarake të Tre të Mëdhenjve do të pushtonin secili nga një zonë. Gjenerali George Marshall kishte rezerva të mëdha për këtë plan. Presidentin amerikan e shqetësonte fakti për zonën amerikane të pushtimit që kishin “përcaktuar” britanikët. Në konferencën e Quebec-ut në Kanada do të takoheshin shefat e shtabit të ushtrisë amerikane që do të miratonin në parim planin për ndarjen e Gjermanisë. Presidenti amerikan, këtu do të tregonte vërtet interes për zonat e pushtimit në Gjermani do të shprehej se “pushtimi i këtyre tri zonave, dukej të shoqërohej edhe me stacionimin e të paktën 1 milion ushtarëve të Evropë, më së shumti për 2 vite”. Më 29 nëntor 1943 – deri më 1 dhjetor, në Teheran do të takoheshin për herë të parë Rooswelt, Stalini dhe Churchilli.

Midis të tjerave, udhëheqësit e të tria shteteve do të vendosnin që të kishin përfaqësuesit e tyre në Komisionin Evropian të Këshillimit (E.A.C.) në Londër, që do të merrej me kushtet e kapitullimit të Gjermanisë, do të përcaktonte zonat e pushtimit si dhe do të hartonte planet për administratën e Landeve. Në këtë komision, britanikët do të përfaqësoheshin me nënsekretarin për çështjet e jashtme, Sir William Strong; sovjetikët, me Fjodor Gusev, ambasador në Londër dhe amerikanët gjithashtu me ambasadorin e tyre G.Vinant. Ndarja e Gjermanisë do të ishte temë kryesore e bisedimeve edhe më 4 dhjetor 1943 në Kajro, midis Roosweltit dhe Churchillit. Dukej se kishte diçka që po i kushtohej rëndësi të veçantë, kur lufta ende nuk kishte mbaruar, madje kur siç përfundoi, do të kishte edhe një vit e gjysme, deri në kapitullimin pa kushte të Gjermanisë. Ishte e qartë se mbas bisedës së Stalinit me ministrin e Jashtëm britanik Eden, në fund të vitit 1941, britanikët me shumë ngut, e më pas, më vonë edhe amerikanët po i kushtonin shumë rëndësi ndarjes se zonave të pushtimit. Më shumë se koordinimi i veprimeve luftarake kundër ushtrisë gjermane nga aleatët, çështje ditë ishte bërë ndarja e Gjermanisë. Dhe midis Tre të Mëdhenjve do të kishte përherë përplasje dhe kundërshti, sidomos midis amerikanëve dhe britanikëve.

Që në takimin e Kajros, nga 22-26 nëntor, midis Roosweltit dhe Churchillit, para Teheranit, u dukën përplasje, për të mos thënë edhe nervozizëm, kur u hap çështja e ndarjes së Gjermanisë. E vetmja gjë, për të cilën deri tani bihej  gjithnjë dakord, ishte ndarja e Gjermanisë në tri zona pushtimi. Të tjerat ishin gjithnjë të diskutueshme. Në Kajro, presidenti amerikan do të shoqërohej nga shefi i shtabit të presidentit, admirali i flotës William D. Leaht, ndërsa kryeministri britanik nga ministri i Jashtëm, Eden. Presidenti Rooswelt do të kundërshtonte planin “Rankin C” dhe do të shfaqte, jo fare hapur, mendimin se SHBA do të dëshironte që zona amerikane e pushtimit të ishte veriu dhe veriperëndimi i Gjermanisë. Churchilli dhe Edeni do të kundërshtonin presidentin amerikan në këtë pikë. Ky ishte dhe ballafaqimi i parë kundërshtues, në nivelin më të lartë midis amerikanëve dhe britanikëve për zonën e pushtimit. Dhe për të mos vazhduar më tej me acarim, që do të mund të ndikonte edhe në ecurinë e marrëdhënieve politike, por sidomos të atyre ushtarake, nën komandën e përgjithshme aleate në frontin e luftës, u ra dakord që, më tej, me këtë çështje të merreshin shefat e shtabit të përgjithshëm të të dyja ushtrive. Kështu, në këtë kuadër, do të rishikohej edhe plani “Rankin C”. Presidenti amerikan Rooswelt, menjëherë pas takimit të Kajros, do të urdhëronte ngritjen e një komisioni të posaçëm që të shihte çdo gjë, në pikëpamjen amerikane, me ndarjen e Gjermanisë.

Ky komision do të emërtohej “Working & Security Committee” (WSC) dhe kishte në përbërje drejtues të Ministrisë së Jashtme, të Mbrojtjes dhe të Marinës. Ndërkohë që ushtarakët e lartë amerikanë do të deklaronin se “kapitullimi dhe pushtimi i Gjermanisë ishte një çështje ushtarake”, sovjetikët e shihnin edhe si çështje të rëndësishme politike, por të papërfshira në debatet anglo-amerikane, nuk shfaqnin, të paktën publikisht, ndonjë shqetësim. Menjëherë pas takimit të Kajros, në dhjetor do të mblidhej në Londër EAC (Europian Advisory Commission) gjithnjë për çështjen e zonave të pushtimit të Gjermanisë. Përfaqësuesi amerikan, ambasadori Wivant, do të bënte të qartë menjëherë se “ne këmbëngulim që zona jonë e pushtimit do të jetë Veriu dhe Veriperëndimi i Gjermanisë. Britaniku Strang, zv.ministër i Jashtëm do të kundërshtonte prerë se kurrë nuk do ta pranonin këtë plan të amerikanëve”. Ndërsa përfaqësuesi sovjetik, Gusev, do të shprehej vetëm se “qëllimi ynë i përbashkët tani është të fitojmë luftën. Ne e kemi thënë fjalën tonë nëpërmjet shokut Stalin që në fundin e vitit 1941. Ministri Eden këtë e di mirë dhe po aq mirë e di këtë edhe Presidenti Rooswelt”.

Mc Cloy, këshilltar i ministrit amerikan të luftës, Stimson në ato ditë do t’i dërgonte një letër gjeneralit George Marshall, shef i shtabit të ushtrisë amerikane me anë të së cilës do ta vinte në dijeni se “britanikët janë të vendosur me kohë ekonomikisht në zonën veriore. Plani, siç më ka vënë në dijeni ambasadori Wivant, është që të diskutohet më parë me politikanë dhe përfaqësues të ekonomisë. Nuk e di deri në ç’masë do të këmbëngulte Presidenti, duke u ballafaquar me këtë opozitë (kundërshtar) të fortë të britanikëve, për pushtimin e kësaj zone. Edhe unë do t’i jepja përparësi krahinës veriore, por unë nuk besoj shumë se për këtë ia vlen të shkojmë në përplasje të forta”. Ishte vërtet një qëndrim i guximshëm në atë kohë, kur tashmë dihej mirë se Presidenti amerikan ishte i vendosur për të mos lëshuar në këtë pikë. Sekretari amerikan i Shtetit, Cordell Hull, do të thërriste në zyrën e tij Mc Cloy-n dhe, i njohur me përmbajtjen e letrës, dërguar marshallit George Marshall, do t’i thoshte shumë shkurt: “Unë do të quaja përparësi si krahinën veriore, ashtu edhe atë jugore”. (Në këtë çështje për një kohë të gjatë ka pasur debate midis presidentit, Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes). Është interesante të theksohet se në mbledhjen e dytë të komisionit (W.S.C.), përfaqësuesi i Bashkimit Sovjetik, ambasadori Fjodor Gusev, kësaj radhe nuk do të rrinte “neutral”, si radhën e parë, por do të mbështeste planin britanik të zonave të pushtimit. Sigurisht që kjo do të dëshpëronte përfaqësuesin amerikan në komision.

Sipas planit britanik, Bashkimit Sovjetik në ndarjen e zonave të pushtimit do t’i përkiste 40% e territorit të Gjermanisë, 36 % e popullsisë dhe 35% e potencialit industrial dhe bujqësor”. Asnjë diskutim paraprak nuk kishte pasur midis sovjetikëve dhe britanikëve për këtë çështje. Sovjetikët, sipas Stalinit, do të vendoseshin në Lindje dhe kjo britanikëve u ishte bërë e njohur që në fund të vitit 1941, gjatë takimit të Stalinit me ministrin e jashtëm britanik në Moskë. Pra, kjo ndarje zonash nga britanikët, vetëm se përforconte, si aleat perëndimor i luftës, atë që sovjetikët e kishin vendosur të parët. Është thënë se britanikët në këtë “mbështetje” për sovjetikët nuk u nisën nga asnjë arsyetim mirëkuptimi apo “miqësie” apo thjesht për “karshillëk” ndaj amerikanëve. Ata u nisën nga dy motive: Së pari, nga frika se Bashkimi Sovjetik do të mund të bënte një paqe të ndarë me Gjermaninë dhe, së dyti, nga frika se sovjetikët për shkak të humbjeve të jashtëzakonshme që kishin pësuar në luftë kundër ushtrisë naziste, si fitues, me triumf, do të mund të kërkonin edhe 50% të territorit gjerman. Madje, një frikë tjetër ishte edhe ajo së Bashkimi sovjetik nuk do të vazhdonte të përfshihej më tej në luftën kundër Japonisë. Për çfarëdo diskutimi që të kishte. Plani duhej miratuar nga udhëheqësit e koalicionit antifashist.

Ka pasur hamendësime se sovje- tikët e kishin konsultuar planin me britanikët, por kjo, jo vetëm nuk provohet, por bëhet thjesht e pabesueshme për shkak se sovjetikët, siç e kam thënë më lart, planin për të pushtuar Lindjen e Gjermanisë ia kishte thënë ministrit të jashtë britanik, Eden. Dhe në atë kohë, në fundin vitit 1941, as amerikanët, as britanikët nuk kishin plane zonash pushtimi. Ambasadori sovjetik Gusev, kur mbështeti planin britanik dhe paraqiti edhe planin sovjetik (thjesht për lindjen), u krijoi amerikanëve përshtypjen për ndonjë marrëveshje të fshehtë. Presidenti Rooswelt u shqetësua shumë për pranimin e planit britanik nga sovjetikët dhe dyshoi për një lojë mbas shpine. Në marrëdhëniet midis ShBA dhe BS gjatë kësaj periudhe të luftës, nuk kishte pasur probleme. Edhe marrëdhëniet e sovjetikëve me amerikanët në fakt ishin më të mira se ato me britanikët. “SHBA i kushtoi një vëmendje të madhe bashkëpunimit më BS, si nga presidenti Rooswelt deri në ditët e fundit të luftës, ku u nda në prill 1945 nga jeta, ashtu edhe nga pasuesi i tij, Harry Truman. Të dy ishin gjithmonë të gatshëm për shumë kompromise me Stalinin në çështje të rëndësishme. Ndryshe, Churchilli kërkonte një linjë të ashpër kundër diktatorit Stalin. Por Mbretëria e Bashkuar ishte aq e dobësuar në vitin 1945, saqë nga pikëpamja diplomatike nuk kishte fuqi t’u kundërvihej SHBA-ve”.

Presidenti amerikan do t’u kërkonte menjëherë bashkëpunëtorëve të tij të sqaronin se si ishte në hollësi plani britanik i ndarjes së zonave të pushtimit, si janë ato sovjetike dhe sa janë marrë parasysh propozimet amerikane për ndarjen e zonave. Ai do të shprehej se “unë duhet të di menjëherë qartësisht a përputhet propozimi ynë për ndarjen e katër zonave me atë që unë kam kërkuar para disa muajsh”. Dhe pas një konsultimi të gjerë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Mbrojtjes, të Marinës dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i pakënaqur për përgjigjen dhe arsyetimin për planin britanik, presidenti Rooswelt, shumë i revoltuar do të shprehej: “Unë nuk jam absolutisht dakord me propozimin britanik për ndarjen e zonave”. Presidenti nuk kishte kundërshtim për zonën sovjetike, por ishte i prerë kundër planit britanik për zonën amerikane.

Presidenti Rooswelt ngulte këmbë që duhej bërë gjithçka që amerikanët të kishin pjesën veriore dhe veriperëndimore të Gjermanisë, sidomos asaj duhej t’i përkisnin portet e Hamburgut, Kielit, Bremenit, por edhe ato të Holandës. Ai do t’i shkruante një letër ministrit të tij të jashtëm, Hull dhe në fund të saj do të theksonte se “nëse këto që po ju shkruaj unë i keni plotësisht të qarta, atëherë hajdeni të bisedojmë bashkë”. Presidenti do t’i dërgonte një letër edhe kryeministrit britanik Churchill, ku midis të tjerash do t’i theksonte: “Ju lutem, mos prisni nga unë të pranoj stacionimin e trupave amerikane në Francë. Këtë nuk do ta bëj”. Çështja po merrte një rrugë shumë serioze me britanikët. Dhe ndarja e zonave do të mund të ndikonte edhe në marrëdhëniet e mëtejshme dhe në bashkëpunimin në fushën ushtarake në Gjermani, në luftën kundër ushtrisë naziste. Luftës po i vinte fundi dhe asnjë çarje nuk duhej të kishte midis aleatëve perëndimorë. I nervozuar nga qëndrimi i britanikëve, presidenti Rooswelt do të mblidhte shefat e shtabeve të ushtrisë amerikanë dhe do t’u thoshte se “të parët që do të pushtojnë Berlinin do të jenë amerikanët”. Kjo ishte e papritur dhe ndryshe nga qëndrimet e mëparshme. Edhe kryekomandanti i ushtrisë së aleatëve, gjenerali Eisenhower, ishte shprehur me kohë se “Berlini nuk ishte qëllimi ynë ushtarak”. Dukej se disa gjëra po komplikoheshin. Ambasadori amerikan në Londër që do t’i diskutonte këto qëndrime me Komisionin Evropian të Këshillimit (E.A.C.) do të kundërshtohej hapur nga përfaqësuesi britanik dhe sovjetik.

Kërkesat e presidentit amerikan, dukej se nuk mbështeteshin, të paktën nuk përputheshin me atë të Departamentit të Shtetit, por edhe të shefit të shtabit të përgjithshëm, gjeneralit George Marshall. Duke biseduar me të më tej presidenti dukej se nuk do të këmbëngulte më aq shumë në qëndrimin e tij për zonën amerikane të pushtimit. Ndërsa hyrjen e ushtrisë amerikane e para në Berlin, nuk do ta artikulonte më, të paktën publikisht, siç e kërkonte kryeministri Churchill. I zbutur, në fillim të prillit 1945, presidenti Rooswelt do të tërhiqej. Ai do të thërriste në zyrën e tij këshilltarin e ambasadës amerikane në Londër, George Kennan. Diplomati do t’i shpjegonte presidentit se në Komisionin Evropian të Këshillimit, ishte e pamundur të pranohej plani amerikan, mbasi kundërshtimi britanik dhe sovjetik ishte i ashpër. Presidenti do t’i thoshte diplomatit që të bëhej edhe një përpjekje nga ambasadori Winant, duke pranuar zonën sovjetike dhe dukë kërkuar edhe një herë që zona amerikanë të jetë në veri dhe veriperëndim. “Diplomati Kennan, me guxim e pyet Presidentin: Po në rast se nuk pranohet përsëri plani ynë? Dhe presidenti, me qetësi do të përgjigjej: E ç’rëndësi ka? Kjo ishte thjesht një ide e imja”. Në këtë vendim për t’u tërhequr nga plani i tij, presidenti duket se më shumë u bind nga këshillat e shefave të shtabeve të ushtrisë. Më vonë, do të diskutoheshin në Komisionin Evropian të Këshillimit vetëm disa çështje me vijat ndarëse të sektorëve të aleatëve në Berlin.

Në konferencën e Quebec-ut në fund të shtatorit 1944, presidenti Rooswelt dhe kryeministri britanik Churchill do të bisedonin me një gjuhë miqësore dhe mirëkuptuese. Duke u ndalur të zonat e pushtimit kryeministri britanik do të surprizonte kur i premtoi Presidentit amerikan se “amerikanët do të kenë hapësirat e tyre në portet e Bremenit dhe të Bremerhavenit”. Në fillim të vitit 1945 ishte më e qartë se asnjëherë se fitorja e koalicionit antifashist, ishte e afërt. Trupat amerikane dhe britanike po përparonin drejt lindjes dhe ato sovjetike drejt perëndimit, duke iu afruar gjithnjë e më shumë Berlinit. Tashmë ishin çliruar edhe shumë vende të Evropës Lindore dhe Juglindore, përfshirë edhe Shqipërinë, si një anëtare e denjë e frontit antifashist dhe koalicionit të “Tre të Mëdhenjve”. Ushtria naziste po shkonte drejt humbjeve të njëpasnjëshme. Komandën e përgjithshme të saj tashmë e kishte marrë në dorë vetë Hitleri. Ai përpiqej të ndërmerrte ndonjë ofensive në frontin e perëndimit me divizionin e dytë tankist dhe me ushtrinë tankiste 5. Ata ndërmerrnin sulme ndaj aleatëve perëndimorë, sidomos në Ardene.

Është e çuditshme dhe kjo është komentuar gjatë nga ushtarët gjermanë, se përse Fyhreri do t’i kushtonte aq shumë rëndësi luftimeve në Perëndim dhe në frontin e Lindjes do të ishte, në fillim të vitit 1945, më i tërhequr. Ofensivën drejt perëndimit do ta quante “Zgjimi në Ren”. “Në janar 1945, industria gjermane e luftës kishte rënë në nivelin e asaj të fillimit të vitit 1942, ndërsa prodhimi për marinën ushtarake dhe aviacionin ushtarak ishin në nivelin e fundvitit 1941”. Hitleri kishte humbur tashmë besimin tek shumë nga bashkëpunëtorët e tij, zyrtarët e lartë dhe shumë gjeneralë. Ai dyshonte kudo për tradhti dhe kompromise me armikun dhe me hebrenjtë. Ai ushtronte terror ndaj kujtdo. Në një moment, në fillim të vitit 1945, do të dukej se Hitlerin e rrethonin me besnikëri dhe përkushtim nacional-socialist vetëm Joseph Goebles, Heinrich Himmler dhe Martin Bormann. Por, më vonë u pa se njëri, Himmleri, udhëheqësi i Policisë dhe i trupave SS, do ta linte Fyhrerin në baltë, në ditët e fundit të regjimit./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →