Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar së bashku me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Misionin në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë shprehën të enjten keqardhjen për vendimin e qeverisë së Kosovës për shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe në veri.
Me 31 maj qeveria e Kosovës miratoi vendimin përfundimtar për shpronësim të disa pronave në komunat e Leposaviçit dhe Zubin Potokut, të banuara me shumicë serbe. Sipas qeverisë vendimi është në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Kosovës dhe se shpronësimi është bërë në funksion të realizimit të “Projekteve Infrastrukturore të Interesit Publik” në këto komuna.
Shpronësimet e pronave në veri patën ngjallur edhe reagime të qytetarëve serb të cilët thanë se autoritetet në Prishtinë po synojnë të ndërtojnë baza të policisë në tokat e shpronësuara. Disa nga pronarët iu drejtuan gjykatave dhe të paktën 8 hektarë toke u përjashtuan nga shpronësimi.
Në një komunikatë të përbashkët, diplomatët thanë se “qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin parapraë të shpronësimit, të cilin qeveria ende nuk e ka trajtuar”.
Diplomatët thanë se përderisa disa nga pronat e pronarëve që janë ankuar në gjykatë u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të përfundonin përpara se të merrte këtë vendim.
“Është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që veprimtaritë e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve të respektohen plotësisht” thuhet në reagimin e diplomatëve, në të cilin theksohet se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës që dalin nga plani i Martti Ahtisaarit, në bazë të të cilit Kosova shpalli pavarësinë e saj.
“Ne inkurajojmë qeverinë e Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë themelet e shoqërive demokratike. Për më tepër, ne i bëjmë thirrje qeverisë që të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj parimeve të Ahtisaarit, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë”, thuhet në reagimin e vendeve të Quint-it.
Edhe Komisioni për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pas miratimit të raportit për Kosovën në muajin mars, që i hapi rrugën hapave të ardhshëm drejt anëtarësimit në këtë Këshill, kërkonte që shpronësimet e tokave në veri të Kosovës të kryhen “me respektimin më të rreptë të ligjit” dhe në përputhje të plotë me planin e zotit Ahtisaari./ VOA
Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co