Diskutimet mes tri grupeve komuniste/ Zbardhet procesverbali që mbajti Boris Vukmiroviç! Si u mor vendimi për formimin e PKSH! 18 orë biseda me…

diskutimet mes tri grupeve komuniste zbardhet procesverbali qe mbajti boris vukmirovic si u mor vendimi per formimin e pksh 18 ore biseda me





































Mbledhja e VitomiricëDR. VASFI BARUTI

Në drejtimin e KQ të PKJ-së mbledhja e parë politike me delegatë të vet dhe delegatët e grupeve “komuniste” shqiptare për formimin e PKSH bëhej në Vitomiricë/ Arbënesh/ të Pejës, më 11-12 tetor 1941. Të vetme që dinë shqiptarët, të mëdhenj e të vegjël, ishte formimi i PKSh-së në Tiranë nga Enver H. më 8 nëntor 1941, madje e sot e pavërteta ka hedhur rrënjë e tek profesorë të njohur të historisë, vetë Akademinë e Shkencave shqiptare. E vërteta e mbajtur në fshehtësi është mbledhja në Vitomiricë të Pejës në Kosovë (Vitomirica prej viti 1999 mban emrin Arbënesh. Mbretëria e Jugosllavisë vitet ’30 kolonizon Vitomiricën me 428 familje serbe e malazeze, në viti 1948 fshati kishte 1632 banorë, kryesisht kolonë, vitet ’60 vendosen familje shqiptare nga Rozhaja e Berani.)

Në Viotmiricë/Arbnesh 18 orë diskutim përfaqësuesit e PKJ-së e të 3 grupeve “komuniste” në Shqipëri, në drejtimin e të ngarkuarit të posaçëm të PKJ-së Boris Vukmiroviç, sekretar organizativ i PKJ-së për Kosovë, mori vendime të rëndësishme për formimin e PKSH.

Mbledhja e Vitomiricës e PKJ-së për Kosovë-Metohi, me rëndësi të veçantë pse diskutohet mundësia e krijimit të partisë komuniste, bëhen analiza të situatës e merret vendim për themelimin e partisë së komunistëve shqiptare; dhe zgjidhej Vitomirica, kryeqendra e PKJ për Kosovë e “Metohi”, qendra e luftës së Kosovës kundër pushtuesve po edhe fshati i Miladin P.. I vetmi dokument i mbledhjes së Vitomiricës mbeti “BlokNotesi” i Boris Vukmiroviç, Sekretar Organizativ i PKJ për rajonin, i cili drejtoi mbledhjen. Pjesëmarrësit në mbledhje janë me pseudonime dhe Akademik Prof. Ali Hadri në “BlokNotesi” identifikoi ”Përfaqësuesit e KQ të PKJ-së për Kosovë e Metohi: Boris Vukmiroviç, Dushan Mugosha, Pavlle Joviçeviq, Ali Shukrija dhe përfaqësues të komunistëve shqiptarë: Koço Tashko, Xhevdet Doda, Fadil Hoxha, Elami Nimani.”1

Mbledhja e Vitomiricës me format “barazie”: katër delegatë nga secila palë: PKJ për Kosovë e Metohi dhe grupet shqiptare. Delegatët Fadil Hoxha, Xhevdet Doda, Elami Nimani ishin edhe me shtetësi jugosllave e anëtarësi partiake dyfishe, madje Fadil Hoxha ishte sekretar politik i PKJsë për Gjakovë. Mbledhjes në Vitomiricë i mungoi formati i vërtetë i barazisë, grupet shqiptare përfaqësohen vetëm nga Koço Tashko, i njohur i dërguari i Kominternit në Shqipëri.

Akademik Prof. Ali Hadri është i pari e i vetmi historian shqiptar që studioi mbledhjen e Vitomiricës por mbeti përshkrimor i ngjarjes. Këtu, herë të parë Vitomirica vjen disi më e plotë me burim arkivor të Arkivit të Prishtinës e burime të pareferuara. Nga dokumenti “Blok-Notesi” (format tepër i vogël) veçoj pjesë substanciale të mbledhjes së Vitomiricës: diskutimi udhëheqës i Boris Vukmiroviq[1] me porosi përfaqsuesve të grupeve shqiptare në punën për formimin e partisë komuniste shqiptare:

“1. Të mbahen menjëherë disa mbledhje të grupeve, t’i parashtrojnë mendimet, qëndrimet e veta, të paraqiten në mënyrë autokritike, e gjithë kjo të diskutohet në mënyrë komuniste, të studiohet arsyeja e ndasisë ose mospajtimit. Mbasi të mbërrihet pajtimi ose mospajtimi nëse ndonjë grup nuk dëshiron me u pajtue. 2. Të zgjidhet udhëheqja e përkohëshme [e K.Q të partisë]. 3. Të përgatiten tezat për unitetin e partisë, duke paraqitur gabimet, tezat për situatën dhe punën. 4. Udhëheqjes së përkohëshme të partisë t’i dorëzohen të gjitha organizatat dhe të gjithë njerëzit e grupeve, tezat t’u përcillen anëtarëve të partisë dhe ata të kuptojnë detyrat që shtrohen para tyre. Të formohen Komitetet e vendit dhe të qarqeve, në krye të të cilëve të qëndrojnë udhëheqësit më të mirë. 5. Gjatë zbatimit të tezave kush tregohet i mirë të lihet brenda partisë, kush është i dobët, i luhatshëm të përjashtohet nga partia. 6. Të zhvillohen njëkohësisht dhe aksione nëse janë mundësitë e forcat. Pasi bëmë prezantimin tonë të Partisë Komuniste ramë dakord se ishte e ndershme të përgatitemi dhe të vijnë atje [Shqipëri] nga Komiteti Krahinor i joni mysafirë nga Partia Komuniste e Jugosllavisë të analizojmë gjithçka që është thënë këtu. Shokët nga Shqipëria në të gjitha drejtimet ishin dakord [me analizën, vendimet për formimin e partisë komuniste].”2

Vitomirica, në penë të Prof. Dr. Ali Hadri: 3 “… Bisedimet zgjatë 18 orë. Mbledhjen e udhëhoqi Boris Vukmiroviç, sekretar organizativ i KQ të PKJ, i cili pas analizës së situatës në grupet komuniste shqiptare shprehu mendimet e tij si dhe propozimet për mundësitë e bashkimit të tyre [të grupeve] në një parti unike. Në mbledhje në Vitomiricë është biseduar për situatën në Grupi i Korçës, Grupi i Shkodrës, grupi i të Rinjve dhe përfaqësuesit e tyre muar pjesë në Vitomiricë. Është ruajtur procesverbali [Blok-Notesi] që mbajti Boris Vukmiroviç, në bazë të cilit mund të mendojmë me saktësi si kanë rrjedhur bisedimet ndërmjet përfaqsuesve të Komitetit Krahinor të PKJ dhe përfaqësuesit të grupeve komuniste shqiptare. /…/ Boris Vukmiroviç mbajti shënim se të gjithë përfa- qësuesit pas diskutimi të gjatë kanë shprehur dëshirën të krijohet një parti unike e Shqipërisë. Në mbledhje është konstatuar, thekson Boris Vukmiroviç, se grupet komuniste shqiptare nuk e njohin [të paditur] rolin e partisë [komuniste] dhe për këtë arsye ka ardhur deri tek përçarja [mes grupeve] e pas analizës të situatës në grupet komuniste shqiptare nxori mendimet e sygjerimet e tyre në aspekti i ndasive të grupeve në parti.”[2]4

Fadil Hoxha delegat: ”… Kur filloi mbledhja unë u tregova se nuk jam përfaqësues i Grupit të Shkodrës, sepse askush nuk më ka autorizuar. Unë jam sekretar [politik] i organizatës së Gjakovës [i KQ të PKJ për Gjakovë] /…/ Elhami [Nimani] nuk ka qenë i autorizuar nga grupi i Të Rinjve të jepte pëlqimin. /…/ U vendos që Ali Shykria të shkonte në Shqipëri. /…/ KQ krahinor ndryshoi mendimin, në vend të Shykriut në Shqipëri vendoset të vijë Duçi [Dushan Mugosha]. Porositë e Komitetit Krahinor [KQ i PKJ] fillojnë të formojnë udhëheqjen e përkohshme të partisë komuniste të Shqipërisë në formim. Mbledhja pati rëndësi të madhe se janë miratuar konkluzione të mira /…/ Boro [Boris] tha të formohet një udhëheqje e përkohshme derisa të formohej Komiteti Qëndror.”5

Prof. Dr. Nina Smirnova: Historiane ruse jetën ia kushtoi me objektivitet historisë së Shqipërisë, njohëse edhe e BlokNotesit: ”Bashkimit të tre grupeve komuniste i paraprinë këshillimet me komunistët jugosllavë në Vitomiricë më 11 e 12 tetor 41. /…/ Nga protokolli të cilin e mbajti Boris Vukmiroviç, del se çështja kryesore ishte krijimi i partisë komuniste. Sipas propozimit të Koço Tashkos komiteti qendror duhet të parashikojë mospërfshirjen e kryetarëve të grupeve e të zëvëndësve të tyre në përbërjen e tij për të përjashtuar mundësitë e rivalitetit midis tyre dhe nxjerrjen e njerëzve të rinj nga radhët e veprimtarëve të thjeshtë. Ai propozoi të zgjidheshin delegatë të PKJ Dushan Mugosha e Miladin Popoviçi e të nxirrej (Miladini) nga përqëndrimi. Dhe në seancën e fundit Mugosha lexoi listën e miratuar në Vitomiricë të anëtarëve të KQ të përkohshëm të PKSH.”6 Vitmirica te dalë nga internimi.

Vendimet e Vitomiricës formalizohen në mbledhja themeluese të 8 [3] nëntorit: 1. Të themelohet partia komuniste [në Shqipëri]; 2. KQ i zgjedhur i partisë komuniste të jetë provizor; 3. Ish-kryetarët e grupeve e zëvendësit e tyre s’duhet të jenë në udhëheqjen e KQ provizor; 4. Delegatë të KQ të PKJ-së për formimin e partisë komuniste në Shqipëri do jenë Miladin P. e Dushan Mugosha; 5. Tre grupet e përfaqësuar në Vitomiricë do jenë grupet kryesore në mbledhjen themeluese të partisë; 6. Udhëheqjes së perkohëshme të partisë t’i dorëzohen të gjitha organizatat dhe gjithë anëtarësitë e grupeve komuniste; 7. Në seancën e fundit Mugosha lexoi listën e miratuar në Vitomiricë të anëtarëve të KQ të përkohshëm të PKSH. 8. Nga letra e 30 tetorit ’41 e Miladinit për KQ të PKJ-së kuptohet qartësisht se Miladin P. ishte mandatuar për punën formuese të partisë komuniste shqiptare.

Kush përzgjodhi tre grupet për Vitomiricë e katër delegatët e tre grupeve shqiptare në mbledhjen e Vitomiricës? Dushan Mugosha, i dërguari i PKJ-së, ardhës në Shqipëri fundgushti ’41 për njohjen e situatës komuniste në vend. Organizatori e drejtuesi i mbledhjes së Vitomiricës ishte PKJ, drejtues i mandatuar nga Tito ishte Boris Vukmiroviq, Sekretar organi zativ i PKJ.

Nga letra e Milos (Miladin P.) e 30 tetorit ’41 për KQ të PKJ lexohet qartë interesi i veçantë i Titos për krijimin e forcimin e PKSH-së. PKJ është faktori subjektiv numër një për krijimin e PKSH, misioni kryet nga i mandatuari i PKJ Miladin Popoviq e ndihmësi Dushan Mugosha. Vitomirica mbahej sekret i madh. Në Kur lindi Partia Enveri “shkroi” 3-4 rreshta të shigjetojë Koço T.: ”E dërguam Koço Tashko në Kosovë të marrë kontakte /…/ me Komitetin Qendror të PKJ-së për Kosovën. Asgjë të rëndësishme nuk na solli.”7 Diktatori ishte i mirëinformuar për Vitomiricën nga Mugosha, ish-pjesëmarrës atje, por ia desh puna …..

Është shkruar shumë për formimin e PKSH e legjendime si i ç’shkroi diktatori. Në AQSH s’ka asnjë dokument origjinal as me fotokopje. Për grupet komuniste e delegatët në mbledhjen themeluese është një copë letër me shkrim dore, në “dokument” mungon data e tij e autori; një tjetër copë letër ku listohen të “zgjedhurit” e Komitetit Qendror të Përkohshëm të PKSH, pa datim (shkruar nga Plasari) dokumenti pa burimin. Pranohet e “vërtetë” e pamohueshme se ishin tre grupe në mbledhjen themeluese, por ka burime të besueshme, si raporti i Divizionit të Inteligjencës Britanike për Ballkanin në Shqipëri, se në mbledhjen themeluese ishin më shumë se tre grupe komuniste.

LETRA E MILADINIT, TETOR 1941

Miladin Popoviq në krye të PKJ-së për Kosovë-Metohi, me funksion Sekretar Politik i PKJ-së për rajonin, i ngarkuar personal i Titos me mandat nga mbledhja politike e Vitomiricës për bashkimin e grupeve në Shqipëri dhe krijimin e partisë komuniste shqiptare. Miladin Popoviq protagonist politik kryesor në themelimin e partisë komuniste edhe i keqpërdoruar politikisht nga historiografia komuniste dhe e sot me Prof. Kristo Frashëri, Prof. Dr. Paskal Milo, Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi etj. dhe vetë diktatori. Miladin P. pranohet se ishte në mbledhjen e grupeve për themelimin e partisë komuniste, por si i “dërguar” i Kominternit dhe nulizohet misioni i tij themelues! Përkundër kësaj “teze” politike sjell letër të Miladin P. që i dërgon KQ të PKJ-së, me dëshirë t’i jepet në dorë Titos, shumë i interesuar për formimin e forcimin e partisë komuniste. Misioni i PKJ-së me Miladin P. faktori subjektiv numër një për formimin e PKSH.

Miladin Popoviq Leksion historie profesorëve të historisë!

“I dashur shok, dorëzo këtë letër pranë Komitetit Qëndror e sipas mundësisë tuaj shokut Tito, pasi që më parë është i interesuar për gjendjen e komunistëve, partisë në Shqipëri. /…/ Përgatitjet për thirrjen e mbledhjes themeluese të PKSH, deri datën e dërgimit të raportit ishte si vijon:

Të dëgjohet grupi i parë [i Korçës], i dytë [i Shkodrës] dhe i tretë [të Rinjve]; të shihet ku përqëndrohet ndarja [dallimet mes grupeve]; të vlerësohet se kush ka punuar në mënyrë më të rregullt; dhe nga grupet e tjera të gjenden njerëzit më të mirë, më punëtorë dhe më besnikë, të cilët nuk janë të helmuar me fraksionizëm e nga ata të formohet një udhëheqësi e përkohëshme, Komiteti Qëndror; kjo udhëheqësi do të kishte për detyrë të zbatojë në jetë tezat e miratuara [Vitomiricë] mbi punën, të lidhet me të gjithë anëtarët e grupeve; të bëhet seleksionimi dhe ajo që nuk përputhet e nuk vepron bazuar në tezat e miratuara mbi punën, me njëherë të hidhen poshtë [përjashtohen]; pas organizimit të celulave të shkohet në formimin e komiteteve lokale e zgjedhjen e udhëheqësisë nga shokë më të mirë; gjatë gjithë kohës në organizimin e partisë të punohet dhe në aksione; pas krijimit të organizatës partiake pika kryesore e programit janë aksionet kundër okupatorit; njerëzit që kanë krijuar fraksionet dhe ndarjet të largohen nga të gjitha postet udhëheqëse, t’u jepet punë e të shikohet se si janë ata në vepër; të kryen përgatitje për 28 nëntorin, ditën e pavarësisë shqiptare. Do hynin shumë në punë direktivat, udhëzimet e kritikat dhe ndihma e KQ të PKJ. /…/”8 Raporti i Miladin P. është në harmoni me diskutimet e detyrat e shtruara në Vitomiricë dhe qartas është dëshmi për punën e misionin e tij në Shqipëri.

Miladin P. në letër bën shpjegime të holla pune për përgatitjen e mbledhjes themeluese të partisë komuniste, siç janë takime e bisedime me tre grupe (pa i cilësuar komuniste): grupi i parë ai i Korçës, grupi i dytë i Shkodrës dhe i treti (i të Rinjve, pa e thënë emrin e tij). Në letër është i qartë se në bisedime me grupet ishte i kujdesshëm me porosi për të evidentuar njerëzit më të mirë të grupeve, të përjashtohen të padevotshmit, të pamëshirë me fraksionet, përjashtimi nga radhët e celulave të padenjët, porosi për organizimin e celulave komuniste, të komiteteve qarkore dhe programi i punës për luftë kundër okupatorëve. Historiografia bashkëkohore shqiptare Miladin P. e trajton si delegat i Kominternit, kurse letra e tij për PKJ me lutje t’i jepej në dorë Titos Prof. është dëshmi se ai ishte i dërguari i posaçëm i Titos, por për këtë ka dhe mirëfilli dokumente autentike nga Miladin. Prof. P. Milo në librin “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore” fsheh të vërtetën kryesore të letrës së Miladinit për KQ të PKJ.

Titulli i autorit: Mbledhja politike e PKJ-së për formimin e Partisë Komuniste Shqiptare

BURIME KRYESORE
1. Ali Hadri. Prilozi za istorija socializma.
Beograd 1960:243
2. Arkivi Republika e Kosovës, Prishtinë,
“Blok Notesi” 1941.
3. “Blok Notesi” i Boris Vukmirovic,
Arkivi Prishtinë, Fondi Krahinor i PKJ, 1941.
4. Ali Hadri. Prilozi za istorija socializma.
Beograd 1960:243.
5. Libri “Fdil Hoxha në vetë të parë”.
Prishtinë 2010:99-101
6. Dr. Nina Smirnova. Historia e
Shqipërisë gjatë shekullit XX. 2004:224
7. Enver Hoxha. Kur lindi Partia. 1981:97
8. Arkivi Qëndror i Prishtinës.
Fondi Dushan Mugosha.

/ Gazeta Panorama/ 

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →