Në SHBA, Shteti i Illinoisit shpalli Ditën e Lirisë, 28 Janarin, pikërisht ditën kur është liruar nga burgu në Shqipëri shkrimtari ynë Visar Zhiti.
“Komuniteti shqiptar në IIllinois/ Albananian Community of Illinois” dhe Organizata “Care for Albanian/ Kujdesu për Shqipërinë” celebruan së bashku këtë ngjarje me një veprimtari në qendër të Chicago-s, në 727 West Madison St, Ditën e Lirisë me Visar Zhitin midis tyre.
PROKLAMATA
Të ftuarit që shkonin në mbrëmjen festive në sallën lart, në hyrje gjenin të vendosur në një kornizë Proklamatën, me vulën si të artë dhe me shkronja të mëdha gotike.
Ndalnin aty dhe lexonin:
SHTETI I ILLINOISIT DEPARTAMENTI EKZEKUTIV PROKLAMATË
Duke pasur parasysh që Visar Zhiti, një poet dhe shkrimtar i shquar shqiptar, si dhe një kampion i të drejtave të njeriut, duroi vite të tëra burgimi të padrejtë për poezinë e tij guximtare, e cila sfidonte shtypjen dhe kremtonte shpirtin e pathyeshëm njerëzor dhe duke pasur parasysh që lirimi i Visar Zhitit më 28 janar 1987 shënoi jo vetëm çlirimin e tij vetjak, por edhe një fitore për lirinë e shprehjes, duke mishëruar besimin se poezia është drita në errësirë, fjala që u mbijeton prangave dhe duke pasur parasysh që pavarësisht përpjekjeve të një regjimi totalitar për të heshtur zërin e tij, Visar Zhiti u shfaq si një fanar shprese, duke e shndërruar dhimbjen e tij në vepra letrare të thella që na kujtojnë se, edhe në burgun më të errët, shpirti gjen rrugën drejt yjeve dhe duke pasur parasysh që udhëtimi i Visar Zhitit e solli atë në Illinois, ku ai vazhdon të pasurojë peizazhin tonë kulturor me talentin e tij të jashtëzakonshëm, mençurinë dhe avokatinë e tij për të drejtat e njeriut, duke na kujtuar fuqinë e qëndresës dhe krijimtarisë dhe duke pasur parasysh që shteti i Illinoisit është krenar që është shtëpia e një individi, historia e jetës dhe veprat letrare të të cilit pasqyrojnë triumfin e shpirtit njerëzor mbi tiraninë dhe frymëzojnë brezat për të çmuar lirinë dhe dinjitetin dhe duke pasur parasysh që komuniteti shqiptaro-amerikan dhe të gjithë qytetarët e Illinoisit festojnë trashëgiminë e qëndrueshme të tij, duke njohur kontributet e tij në letërsi, mbështetjen e tij të palëkundur për drejtësi dhe aftësinë e tij për t’u dhënë zë të heshturve dhe duke pasur parasysh që është e duhura të përkujtojmë 28 janarin, si një ditë për të nderuar Visar Zhitin dhe jetën e tij të jashtëzakonshme, duke siguruar që historia e tij të rezonojë me brezat e ardhshëm dhe që liria është një poemë e shkruar në zemrat e të gjithë njerëzve.
Prandaj Unë, governatori i Shtetit të Illinoisit me anë të kësaj shpall 28 Janarin 2025 si Dita e Visar Zhitit, një ditë për të celebruar vlerat e lirisë artistike, të të drejtave të njeriut dhe qëndresën e shpirtit njerëzor. Në dëshmi të kësaj, unë kam vënë dorën time këtu dhe kam urdhëruar që të vendoset Vula e Madhe e Shtetit të Illinois-it. E kryer në Kapitol, në Qytetin Springfield, këtë ditë të Trembëdhjetë të Janarit, në Vitin e Zotit tonë, dy mijë e njëzet e pesë, dhe të Shtetit të Illinois-it, të dyqind e gjashtin.
Sekretari i Shtetit
J B PRITZKER
FILLOI BUKUR
Salla u mbush plot me të ftuar. Gjatë koktejlit të pranishmit bisedonin mes tyre, takonin miq të vjetër dhe nisnin miqësi dinin të gjithë, hollivudiani Jim Belushi. Ai do të recitonte në anglisht me një zë të ngrohtë dhe të thellë sikur vinte nga grykat e maleve tona, poezinë e Visar Zhitit “Ketrat në Uashington”, nga libri i porsa ribotuar në SHBA, “The condemned apple” (“Molla e dënuar”).
Që nga foltorja do të pyeste Visarin:
– Me 10 vjet burg të dënuan për poezitë?
– Zëri i tij kishte dhimbje dhe një si hakërrim ndaj së keqes.
– Po, po, – tha Visari nga vendi në krye me një buzëqeshje enigmatike.
– Dëgjojeni poezinë, – nisi Jim Belushi!
“KETRAT NË UASHINGTON”
S’besoja të gjeja dhe ketra në Uashington! Zbrisnin nga pemët, loznin në barin e parqeve. Si nuk kanë frikë? Kjo më befason, mes njerëzve dhe natyrës të ketë kaq shumë paqe? Ketra prapë, të vërtetë, ndalin tek këmbët e mia, gjë s’kërkojnë, por diçka u duhet dhuruar. Duart i kam të zbrazëta si uria, ata më dhanë mua mirëbesimin e harruar. Ketra në kryeqytetin modern të një vendi të madh, të florinjtë, me bishtin e bukur si gëzimi. Të isha dhe unë ketër, vetëm një çast, të ndikoja në zbutjen e njerëzimit. Mes duartrokitje ngrit lart librin dhe e tundi duke thënë: Është vepër e bukur dhe me vlera dhe shkoi të marrë një gotë vere a Whiskey…
VAZHDIMI
Më pas Presidenti i Komunitetit Shqiptar në Illinois, AACI, Edon Shaqiri, nga Presheva, i ri, i diplomuar në SHBA, drejtues në një Bankë, i rrethuar nga ekipi i tij, – kemi një bord të mrekullueshëm, nga të gjitha trevat, – e thotë me modesti dhe mburrje, – që punojnë me aq përkushtim dhe harmoni, falë tyre arritëm të kemi ato që kemi sot, – dhe nis të ligjërojë me një shqipe të pastër dhe të rrjedhshme për rëndësinë e kësaj dite, që besojmë se do të festohet çdo vit në shtetin e Illinois-it, Dita e Lirisë. E kemi prej Visarit… dhe ai vazhdoi të lexojë për jetën dhe veprën e shkrimtarit… Ndërsa Presidentja e “Care for Albania”, dr. Sonila Sejdaras, psikologe e re, edhe ajo e diplomuar në SHBA, do të tregonte për arritjet e organizatës që ka themeluar dhe drejton, e përqendruar në shëndetin mendor si dhe të ndihmojë vendin, vendlindjen e saj, Korçën, por edhe Shkodrën, edhe Prishtinë, kështu janë projektet e së ardhmes. Prezantuesja e takimit, Brikena Gjylameti, e ardhur nga Filadelfia për këtë ngjarje, fton Visar Zhitin, për të thënë fjalën e tij, që po prisnin të gjithë. Nga foltorja Visari falënderoi guvernatorin e Illinois-it, J. B. Pritzker, që na dha festën e një Dite Lirie, që më shumë se sa e tij, ishte e ëndrrës tonë të përbashkët. Rrugët e lirisë janë të shumta dhe të ndryshme, të vështira, por të bukura si dashuria – vazhdoi.
– Unë dola nga portat e hekurta të burgut në atdhe dhe arrita në dritat marramendëse të Chicagos në SHBA, nuk jam vetëm, para meje kanë ardhur plot e plot të tjerë, – Zhiti kujtoi emblemën me emrin Arshi Pipa, – na thërret liria këtu, – theksoi, – ku këtu është më e vërtetë dhe më e fortë, ku liria është e lirë… që na bën ta duam shumë këtë vend si një atdhe i ri dhe na bën ta duam edhe më shumë atdheun që lamë dhe e di që rruga më e rëndësishme e lirisë është ajo që të çon tek vetja ashtu si tek tjetri, tek e mira dhe tek ardhmëria, etj., etj. Liria jeni ju, e mbaroi fjalën e tij Visar Zhiti. Mes duartrokitjesh atij i dhuruan lule dhe Proklamatën, që u lexua me zë të lartë në anglisht nga i riu Veton Hasku, shef i shtabit të senatorit të shtetit në Illinois. Është juaja, – i thatë Zhitit për proklamatën. – Më shumë ju duhet të tjerëve, – tha Zhiti.
U recituan dhe poezi të tjera në shqip dhe anglisht, për lirinë, dashurinë dhe Kosovën. Liria është dhe duhet të jetë për të gjithë, popuj dhe vende, ndryshe s’është liri për askënd, – përsërisnin fjalë të Zhitit ata që u ngritën të përshëndesin, nga diaspora e re dhe e vjetër, ku malli për atdhe përzihej me shqetësimet e tanishme… Gazetari nga Kosova, Skënder Karaçica kujtoi se si kur Kosova ishte e robëruar dhe Visari ende në burg çuditërisht i erdhën dorazi një cikël me poezi, as ai s’e dinte si, te Visarit për revistën e tyre. Dhe i botoi si një amanet.
***
Dhe përshëndetja për të gjithë “Komunitetin Shqiptaro– Amerikan të Illinois-it” nga Senatori i Shtetit, Ram Villivalam, Distrikti i 8-të i Senatit, e futur në një dosje blu te errët, me një stemë ari dhe shkronja të lara me ar, ia dhanë Visarit. Ishte si një Proklamatë tjetër, po aq e bukur. “…me rastin e Ditës së Visar Zhitit, 28 janari 2025. Fjalët e tij – një diell i dytë do të lindë – theksonte Senatori, – të mbeten një parim udhëzues për ne të gjithë, duke simbolizuar shpresën dhe qëndrueshmërinë që dolën nga sakrifica dhe sfida e tij kundër shtypjes…” Poezia e diellit. Si një plagë. Kishte ardhur dhe këtu. Që dhe nëse shërohet gjithnjë e më shumë, shndërrohet në rrezëllim drite. Në festat e ardhshme të Ditët së Lirisë.
Përgatiti dhe përktheu Eda Agaj Zh.
/Gazeta Panorama