Presidenti i Republikës Bajram Begaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, bëri apel për ruajtjen, pasurimin dhe përcjelljen e gjuhës shqipe, sidomos në kushtet kur shumë shqiptarë jetojnë në vende të ndryshme të botës dhe të një ndërveprimi të pandalshëm me gjuhët e tjera.
Presidenti ndau në faqen e tij zyrtare në Facebook vlerësimin për shqiptarët që e kanë ruajtur dhe trashëguar gjuhën ndër shekuj.
Zoti Begaj përgëzoi në veçanti shqiptarët që ndër vite jetojnë jashtë vendit, prindërit dhe mësuesit, të cilët, krahas bashkëjetesës me kulturat e popujve të ndryshëm në shtetet ku jetojnë, arrijnë të ruajnë gjuhën amtare si identitet kombëtar.
“Është mbresëlënës dhe unikal çdo element që reflekton dashurinë për atdheun. Shqiptarët kudo në botë e ruajnë dhe e trashëgojnë gjuhën si pjesë thelbësore të identitetit tonë kombëtar. Sot, në Ditën Botërore të Gjuhës Amtare, përgëzoj të gjithë ata prindër dhe mësues që përcjellin te fëmijët tanë “Gjuhën Shqype”, – shkruan Presidenti në Facebook.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare Presidenti Begaj shpërndau dhe një material filmik, ku fëmijë, lindur e rritur në shtete të ndryshme të botës, interpretojnë vargjet e poezisë “Gjuha Shqype” të Ndre Mjedës.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co